Hoxha, Sefgjini: Sdua të gjykohem nga Krimet e Rënda
Kreu i Tatimeve, i akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës kërkoi të gjykohej në Gjykatën e Tiranës
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi kërkesën e parë të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, në procesin gjyqësor për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Gjatë seancës së paradites së djeshme, avokati i Sefgjinit, Zef Nika, iu drejtua togave të zeza, të kryesuara nga gjyqtari Xhelal Elezi, duke kërkuar që kjo gjykatë të deklarojë moskompetencën për këtë dosje penale. “Duke parë shtyrjen e vazhdueshme të seancave gjyqësore, kërkojmë nga ju, anëtarë të trupit gjykuese që të shpallni moskompetencën e gjykimit të kësaj dosjeje, pasi vepra penale për të cilën akuzohet klienti im është ajo e “rrëmbimit të personit” e shoqëruar me tortura të rënda dhe sipas akuzës, është kryer në vitin 1995. Në atë kohë nuk ka qenë e ngritur Gjykata e Krimeve të Rënda dhe kompetencën për gjykimin e kësaj vepre penale e ka pasur Gjykata e Shkallës së Parë”,-tha avokati Nika, gjatë fjalës së tij.
***
Anëtarëve të trupit gjykues nuk iu desh shumë kohë për të marrë një vendim. Të këshilluar në vend, ata u shprehen me vendim të ndërmjetëm, duke rrëzuar kërkesën e parë të Sefgjinit. “Akoma nuk kemi arritur në fazën e parashtrimit të kërkesave të mbrojtjes”,-thuhet në dispozitivin e vendimit të ndërmjetëm të administruar në procesverbalin e seancës së djeshme gjyqësore. Ndërkaq, pas rrëzimit të kësaj kërkese, avokati i të pandehurit, Budjon Meçe, i zgjedhur nga familja akuzoi Gjykatën për zvarritje të procesit. Shkak për këtë akuzë u bë moslegjitimiteti i tij në këtë proces, vetëm me prokurë të posaçme të familjes. Përfaqësuesi i akuzës, prokurori Xhevat Hana, duke parë debatin mes gjykatës dhe avokatit mbrojtës të të pandehurit Meçe, kërkoi nga gjykata caktimin e dy ekspertëve mjeko-ligjorë për përcaktimin e gjendjes shëndetësore të këtij të pandehuri. Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit, duke caktuar dy ekspertë të Mjekësisë Ligjore për kryerjen e një akt-ekspertimi për gjendjen shëndetësore të të pandehurit Budjon Meçe.
***
Pas pranimit të kërkesës së prokurorit, gjykata vendosi të ndërpresë seancën gjyqësore për të njoftuar Mjekësinë Ligjore për caktimin e dy ekspertëve që të vijnë në seancën e radhës për të bërë betimin para Gjykatës. Ndërkohë, në seancën e djeshme ishte i pranishëm i pandehuri kryesor në këtë proces, Arben Sefgjini dhe i pandehuri tjetër në gjendje të lirë, Avni Koldashi. Për të pandehurin Ilir Kumbaro që shijon lirinë, gjykata ka caktuar një avokat kryesisht që ishte prezent gjatë gjithë seancës. Ndërsa asnjë nga dy të pandehurit që ndodheshin në sallën e gjyqit nuk preferuan të flasin gjatë dhe pas mbarimit të seancës gjyqësore, duke u larguar pa zhurmë, ashtu siç erdhën pranë kësaj gjykate rreth orës 9:20 minuta të mëngjesit të djeshëm. Sipas akuzës, në lidhje me caktimin e masës shtrënguese “arrest shtëpie”, organi i prokurorisë po pret caktimin e datës së shqyrtimit të kësaj kërkese, pasi sipas burimeve prokuroria i qëndron asaj kërkese dhe pritet që gjykata ta rishqyrtojë. Të katër të pandehurit që ndodhen në këtë proces gjyqësor akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë rrëmbyer shtetasit Ziso Kristopulli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha. Trupi i këtij të fundit, edhe pas 13 vitesh nuk është gjetur ende dhe mendohet se është vrarë dhe zhdukur kufoma. Shkak për rrëmbimin e tyre kanë qenë dyshimet se të tre të viktimat po përgatisnin projekte për rrëzimin e pushtetit të asaj kohe që drejtohej nga kryeministri i tanishëm,Sali Berisha.
TË PANDEHURIT
Akuzat që rëndojnë mbi
ish-punonjësit e SHIK
TIRANË- Të pandehurit Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë, nga ku ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini. Nga verifikimet e kryera të prokurorisë ka rezultuar se një nga automjetet e përdorura në ngjarjen e rrëmbimit ka qenë me targa TR 2449 C, e cila drejtohej nga Avni Koldashi, makinë kjo që kishte si pronar institucionin e SHIK-ut dhe që rezulton se është tërhequr nga katër të pandehurit e kësaj dosjeje.