E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita, Ali Ahmeti takim me Berishën e Ramën

 

Diskutohet për shanset që Shqipëria dhe Maqedonia kanë për marrjen e ftesës

 

TIRANË- Shanset e Maqedonisë dhe Shqipërisë për anëtarësim në NATO, por edhe zhvillimet politike në të dyja këto shtete kanë qenë objekt i bisedave që kreu i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka zhvilluar me krerët më të lartë shtetëror dhe politikë shqiptarë gjatë ditës së djeshme. Një takim të posaçëm kreu i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të shqiptarëve të Maqedonisë, pati me kryeministrin Sali Berisha, ku natyrisht nuk mungoi dhe solidariteti i shqiptarëve përtej kufirit për ngjarjen e Gërdecit. Ahmeti i shprehu Kryeministrit ngushëllimet dhe solidaritetin për ngjarjen tragjike të Gërdecit. Ai informoi Kryeministrin për gatishmërinë e shprehur nga shumë komuna në Maqedoni për të ndihmuar Bashkinë e Vorës. Kryeministri Berisha falënderoi zotin Ahmeti për solidaritetin, mbështetjen dhe kontributin që të gjithë shqiptarët në Maqedoni, si edhe qeveria maqedonase kanë dhënë në përballimin e kësaj ngjarjeje tepër të rëndë. Gjatë takimit është folur gjithashtu edhe për Samitin e Bukureshtit.Një takim të veçantë delegacioni i BDI-së pati dhe me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Në këtë takim Kryetari i selisë rozë, Edi Rama u shpreh se PS-së ndjek me vëmendje zhvillimet në Republikën fqinje të Maqedonisë, si një vend që bashkë me Shqipërinë shpreson që në Samitin e NATO-s në Bukuresht, të ftohet për t'u bërë pjesë e aleancës. "Ne inkurajojmë përfaqësuesit zyrtarë të Maqedonisë që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e emrit, e të mos ketë asnjë pengesë për marrjen e ftesës në Bukuresht" u shpreh ndër të tjera shefi i opozitës Edi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›