NATO, Rama letër Schefferit për marrjen e ftesës
Kryetari i PS-së siguron partnerët opozita është e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë për realizimin e reformave
TIRANË- Ngjarja e Gërdecit dhe implikimi në të i strukturave të veçanta të shtetit, nuk ka penguar opozitën që të shprehë edhe një herë mbështetjen e saj të plotë për anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën e Atlantikut të Veriut (NATO). Kur na ndan vetëm një javë nga Samiti i Bukureshtit, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama me anë të një letre dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj Organizate politiko-ushtarake, Jaap de Hoop Scheffer, ka siguruar partnerët ndërkombëtar se opozita shqiptare, pavarësisht dallimeve politike, është e gatshme që të bashkëpunojë me qeverinë për realizimin e atyre reformave, që do të siguronin jo vetëm marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO por edhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit për plotësimin e standardeve të kërkuara edhe për integrimin e plotë në BE.
Gërdeci
Lideri i opozitës Edi Rama e nis letrën e tij dërguar Schefferit me një falenderim dhe mirënjohje të të gjithë shqiptarëve për mbështetjen që vendet anëtare dhe drejtuesit e lartë të NATO-s i dhanë Shqipërisë në tejkalimin e situatës së rënduar të krijuar nga shpërthimi i Gërdecit. "Një fjalë e urtë shqipe thotë, "Miku i vërtetë është miku në nevojë", dhe falë Jush e të gjithë miqve që na u gjendën pranë, ne nuk u ndjemë vetëm përballë pasojave të jashtëzakonshme të shpërthimit tronditës, mundëm të shpëtojmë jetë të çmuara të plagosurish e besoj do të mundemi të gjejmë zgjidhje për problemet e rënda të të mbijetuarve", - shprehet Rama në letrën e vet. Pavarësisht pasojave tragjike, kreu socialist thekson më tej se kjo ngjarje do ti shërbejë politikës dhe shtetit shqiptar si mësim tepër domethënës për nevojën e ndryshimeve të mëtejshme për krijimin e një shteti tërësisht modern dhe të denjë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane. "Besoj se do të dimë ta kthejmë këtë dhimbje të thellë në një forcë të madhe për të nxjerrë të gjitha mësimet e duhura nga një tragjedi që nuk ishte rezultat i një fatkeqësie natyrore", - thekson Rama.
Mbështetja
Më pas kryesocialisti Edi Rama i bën me dije numrit një të NATO-s për vullnetin që ka treguar dhe po tregon opozita shqiptare në realizimin e atyre reformave në bashkëpunim edhe me mazhorancën. "Opozita shqiptare është edhe më e angazhuar për të luajtur rolin e saj në përmbushjen e aspiratës së Shqipërisë për integrimin në familjen euroatlantike", - shprehet Rama. Në vijim të këtij vullneti kryetari i PS-së përmend në letrën e vet se si asnjëherë më parë në jetën e demokracisë shqiptare forcat politike arritën të ndërtojnë një proces bashkëpunimi që garanton realizimin dhe miratimin e një prej pjesëve kryesore të reformës së gjatë të drejtësisë. "Ne ndërtuam një proces politik të bazuar jo mbi interesa të ngushta partiake po mbi interesin kombëtar për të përmbushur detyrimet që do t'i mundësonin Shqipërisë marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO, duke dhënë kontributin e konsensusin tonë për të kryerjen e reformave", - shprehet Rama duke siguruar gjithashtu se shqiptarët janë të gatshëm të marrin përsipër përgjegjësinë për të qenë pjesë e NATO-s. "Më lejoni që në emër të opozitës shqiptare t'ju garantoj se ne do të bëjmë çdo përpjekje e nuk do të kursejmë asnjë energji për të garantuar jo vetëm ftesën po edhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një borxh që ua kemi të gjithë atyre që u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë e demokratike dhe atyre që sot janë ende fëmijë e që, pa humbur kohë, duhet të jenë të lirë e të sigurt në gjirin e familjes euroatlantike", - thekson më tej Rama në letrën e vet, duke vënë në dukje se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO gjatë samitit të Bukureshtit do të jetë për shqiptarët preludi i një rruge të re me sfida dhe përgjegjësi të mëdha.