Bello: Demi i vlerësuar nga qeveria qesharak
Partia Socialiste e konsideron jo real vlerësimin që qeveria i ka bërë dëmeve të shkaktuara
TIRANË- Partia Socialiste e konsideron qesharak dhe jo real vlerësimin që qeveria i ka bërë dëmeve të shkaktuara nga vala e shpërthimit gjatë tragjedisë së Gërdecit. Një ditë pasi qeveria miratoi tabelën e vlerës së dëmit për secilin prej fshatrave të prekura nga kjo ngjarje, PS me anë të deputetit të saj Marko Bello ka bërë të ditur se çmimet e vendosura nuk justifikojnë demin real të shkaktuar në terren. Bello duke marrë në analizë vetëm fshatin e Gërdecit, ku ishte dhe vatra e shpërthimit, bën të qartë se shuma mesatare e akorduar nga qeveria për një shtëpi të demtuar nuk i përgjigjet vlerës së pasurisë së shkatërruar. "Për Gërdecin qeveria shqiptare e pa të arsyeshme të akordonte vetëm 254 milionë lekë të reja që për 109 shtëpi të dëmtuara i bie mesatarisht 2.3 milion lekë të reja. Po ta llogarisim mbi tregun dhe koston që vetë Kryeministri e përcaktoi si 25 mijë lekë te reja për metër katrorë, i bie që çdo familje të dëmtuar në Gërdec t'i sigurohet ndërtimi për vetëm 93 metër katrorë sipërfaqe kur atje ka pasur ndërtime 2 dhe 3 katëshe vila të reja të ndërtuara me djersën dhe gjakun e banorëve dhe të fëmijëve të tyre që punojnë në emigracion. Ndërsa për pajisjet qeveria ka dhënë vetëm 2.2 milion lekë të reja që po ta pjesëtojmë prapë me 109 familje i bie vetëm 22 mijë lekë të reja me të cilat sot nuk mund të blesh dot asnjë sobë me dru", - u shpreh Bello. Akoma më i dhimbshëm për socialistët është fakti i çmimit të përcaktuar nga qeveria për çdo jetë të humbur gjatë kësaj katastrofe jonatyrore. "Më e dhimbshëm është çmimi prej 2 milion lekësh për viktimë. Si mundet të japë qeveria çmim për njeriun. Pyes a mund të vendoset çmim për një djalë 3-vjeçar që u vra teksa luante ne oborrin e shtëpisë. Mund të vendoset çmim për një grua shtatzënë e cila u masakrua nga predhat që kishin në bazë dorën e krimit shtetërorë", - theksoi Bello.