E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursat e studentëve në duart e këshillave bashkiakë

Nga Ermelinda Hoxhaj
Këshillat e bashkive dhe komunave do të marrin vendimin përfundimtar për ata studentë që do të përfitojnë bursë për këtë vit akademik. Afati i dorëzimit të dokumentacioneve përfundoi këtë javë. 

TIRANE- Fatet e studentëve dhe nxënësve që do të përfitojnë bursa shtetërore, varen nga këshillat e bashkive dhe komunave. Janë këta të fundit që do të marrin vendimin përfundimtar për ata studentë që do të përfitojnë bursë. Afati i dorëzimit të dokumentacioneve ishte fundi i kësaj jave, ndërkohë data përfundimtare për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është 15 dhjetori 2008, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart, është data 30 nëntor 2008. Në raste të veçanta, kur këshilli i bashkisë apo i komunës nuk mund të miratojë brenda këtij afati numrin e bursave të dhëna, mbetet kompetencë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës shqyrtimi i këtyre vendimeve. Këshilli i Ministrave ka miratuar 190 bursa për nxënësit dhe 1600 bursa për studentët, për vitin shkollor 2008-2009. Numri i studentëve që përfitojnë mbështetje financiare këtë vit, është i njëjtë me atë të një viti më parë, ndërsa ai i nxënësve të shkollave të mesme është shumë më i ulët. Pra vetëm 190, nga 1600 që ishte një vit më parë. Kjo, për shkak se nuk do të ketë vite të para, si pasojë e ndryshimit të sistemit nga ai 8-vjeçar në 9-vjeçar dhe atij të mesëm, nga katër në trevjeçar. Ndërkohë që niveli mujor i bursës për studentët ishte nga 8000-8500 lekë dhe bëhet 8500-9000 lekë. Ndërsa për nxënësit ishte 5000-5500 lekë dhe aktualisht kjo bursë mujore bëhet 6000-6500 lekë të reja në muaj. Këtë vit do të përfitojnë edhe 30 maturantët më rezultatet më të larta të Maturës Shtetërore. Kriteri i parë që përfitohet bursë është ai ekonomik, ku familja ka të ardhura të pakta dhe nuk mund të përballojë shkollimin e fëmijëve. Por bursë përfitojnë dhe ata nxënësi ose studentë, që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10-a. Numri i studentëve që përfitojnë bursë nga rezultatet e larta, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të dhëna për vitin shkollor 2008-2009, është 130. Për këtë kategori janë institucionet e arsimit të lartë që do të paraqesin në Ministrinë e Arsimit, kërkesat për studentët që përfitojnë bursë.

(s.g/GazetaShqiptare/BlakanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›