E Diel, 1 Nëntor 2026

Rasti "Fazliç", ligji njeh komunikimin verbal

Kodi i Procedurës Penale i jep të drejtë prokurorisë. Ne kete rast rrezohen pretendimet e Policisë së Shtetit se ndalimi i biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazliç, duhet të bëhej nëpërmjet një urdhri me shkrim nga ana e Prokurorisë 

TIRANE-Pretendimet e Policisë së Shtetit se ndalimi i biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazliç, duhet të bëhej nëpërmjet një urdhri me shkrim nga ana e Prokurorisë nuk qëndron. Urdhrat nëpërmjet komunikimit verbal, ku përfshihet ai me telefon, mbështeten tërësisht në ligj e konkretisht në Kodin e Procedurës Penale. Referuar pikës 3 të nenit 134 të këtij ligji, citojmë se "lajmërimet e bëra verbalisht nga prokurori zëvendësojnë njoftimet, me kusht që ky fakt të shënohet në procesverbal". Ky sanksion është respektuar pikë për pikë nga Prokuroria e Tiranës, që duke pasur informacionin se udhëtimi i Fazliç ishte regjistruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Aviacionit Civil për t'u larguar nga Shqipëria, do të kryhej në orën 16:30 minuta, depozitoi dhe protokolloi në Komisariatin e Policisë Rinas në orën 15:06 minuta, nëpërmjet oficerëve të policisë gjyqësore, ftesën për paraqitje të tij. Një tjetër argument që rrëzon pretendimet e ministrisë së Brendshme lidhur me këtë çështje, është edhe pika 4 e nenit 308 të po të njëjtit ligj, ku thuhet se "ftesa për paraqitje njoftohet të paktën tri ditë para asaj që është caktuar për paraqitje, me përjashtim të rasteve që për arsye të mundshme, prokurori mendon të shkurtojë afatin". Në rastin e Fazliç, kur ky i fundit mendohej të largohej nga Shqipëria pak orë pasi ai kishte shkelur në vendin tonë, atëherë për këtë "arsye të mundshme" prokurorët e çështjes menduan ta shkurtojnë afatin e kësaj ftese për paraqitje. Por në vend që të ndihmonin organin e akuzës, forcat e policisë kanë preferuar të shkelin ligjin, jo vetëm duke mos zbatuar urdhrin e prokurorëve, por edhe duke i penguar këta të fundit në punën e tyre.

(d.b/GazetaShqiptare/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›