E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Fazlliç dhe Isufi bashkëpronarë

Prokuroria e Përgjithshme i është përgjigjur me “punë” sulmeve të Këshillit të Ministrave në lidhje me dosjen “Fazlliç”.

Në fshehtësi të plotë hetues të Prokurorisë së Tiranës dhe akuzës qendrore kanë sekuestruar të gjithë dokumentacionin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) për firmat e Damir Fazlliç dhe të (ish) bashkëpunëtorit Erion Isufi.

Pas marrjes në dorëzim të aktiviteteve private, prokurorët janë drejtuar në zyrat e hipotekës për të evidentuar pronat e personave në fjalë.

Hetuesit kanë marrë në dorëzim informacione të detajuara dhe më pas kanë vendosur për të bllokuar tjetërsimin e tyre.

Tjetërsimi, sipas akuzës, është një mënyrë që prona dhe subjekti privat të mos shiten apo të jepen me qira. Hetuesit saktësojnë se aktiviteti në këto subjekte do të vazhdojë si në të kaluarën, me gjithë personelin dhe administratorin.

Krahas sekuestros konservative të pronave të Fazliç, prokuroria po përgatit edhe një bllokim të një subjekti, që është në pronësi të Erion Isufit. Emri i subjektit, sipas hetuesve, nuk bëhet i ditur.

Subjektet e bllokuara

Prokuroria e Tiranës tha dje se ka regjistruar procedimin penal ndaj shtetasit Damir Fazlliç për “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Dyshohet se biznesmeni serbo-boshnjak ka disa prona në Shqipëri, me bashkëpronarë. Dyshimet e prokurorisë kanë rënë mbi shtetasin Erion Isufi, i denoncuar publikisht në media si krahu i djathtë i Fazlliç.

“Kemi marrë të gjitha të dhënat nga QKR-ja për pronat e Damir Fazliç dhe shtetasit Erion Isufi.Kemi dyshimin, krahas denoncimeve publike, se dy personat e lartpërmendur kanë bashkëpunuar dhe kanë në aktivitet disa firma. Madje, dyshimet vazhdojnë deri te bashkëfajësia e këtyre dy shtetasve për shitjen e një firme prej 1.7 milionë eurosh te një firme fantazmë në Qipro”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës.

Sipas tyre, do të hetohen të gjitha lidhjet e Fazliç në Shqipëri, ku deri tani emri që ka dalë si bashkëpunëtor i tij ka qenë pikërisht Erion Isufi.

Personi, i cili është edhe kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, ka qenë administrator në një firmë të tij. Lidhur nga këto informacione, hetues të Prokurorisë së Tiranës thanë se kanë përgatitur bllokimin e një aktiviteti të tij, i cili ka seli në autostradën Tiranë-Durrës.

Gjithsesi, burimet pohojnë se për sekuestron konservative të këtij aktiviteti do të veprohet me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kopje të urdhrave për bllokimin e aktivitetit kanë mbërritur në hipotekë dhe sot pritet që të vendoset bllokimi.

Gjithsesi, hetuesit e çështje si druhen një tjetër “bllokade” të qeverisë, pasi zyrat e hipotekës administrohet dhe ka varësi nga Ministria e Drejtësisë. Frika e prokurorëve dhe hetuesve është dekonspirimi i hetimeve.

Dëshmitarët e parë

Prokuroria e Tiranës tha dje se ka përgatitur listën e personave që do të merren në pyetje pas hapjes së procedimit penal për shtetasin Damir Fazlliç.

Hetues të çështjes thanë se personi i parë, që mund të shkelë në organin e akuzës, është Erion Isufi. Kunati i Lulzim Bashës mund të pyetet për bashkëpronësinë e disa aktiviteteve të tij me shtetasin Damir Fazlliç dhe dijeninë e tij rreth një shitjeje fiktive.

Gjithashtu, hetuesit saktësuan pasditen e djeshme, për gazetën “Shqip”, se Isufi mund të jetë personi që mund të ketë dijeni rreth këtij veprimi të paligjshëm.

Krahas Isufit, hetues të Prokurorisë së Tiranës po kryejnë veprimet hetimore pa humbur shumë kohë, duke përpiluar edhe fletë-thirrjet e para. Një ndër to është edhe avokatja Flutura Kola, e cila ka përfaqësuar firmën qipriote në blerjen e “Crown Acquisitions” për 1.7 milionë euro.

Sekuestrimi në Porto Romano

Prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë një hap për të sekuestruar një pronë të Damir Fazliç në Shqipëri. Pas deklaratave të ashpra, PD-PS dhe porkurori-ministri, çështja “Fazlliç” po precipiton me shpejtësi.

Prokurorët e Tiranës kanë vendosur t’i bllokojnë atij pronat e blera në Porto Romano, në Durrës, nën akuzën e pastrimit të parave.

Burimet saktësojnë se prokurorët kanë vendosur të bllokojnë tokën në Porto Romano prej disa mijëra metra katrorësh, ku do të ndërtohej një park energjetik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›