E Shtunë, 31 Tetor 2026

Busek: Aplikimi për në BE po përdoret për fushatë elektorale

Autori i Lajmit: red.
Ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore dhe aktualisht këshilltar për çështjet e Zgjerimit pranë presidencës çeke të Bashkimit Evropian, Erhard Busek, mendon se aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në fund të këtij muaji është i lidhur me çështjet e brendshme të politikës shqiptare dhe po përdoret si një mjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në një intervistë për çështjet e unionit, Busek konstaton, se veç përdorimit që mazhoranca po i bën kërkesës për aplikim, edhe vetë Bashkimi Evropian po përballet me dy çështje thelbësore në lidhje me zgjerimin. E para ka të bëjë me konfliktin kufitar mes Sllovenisë dhe Kroacisë, që po pengon këtë të fundit, të bëjë hapa përpara drejt anëtarësimit, edhe pse është shteti i parë në radhë për t iu bashkuar bllokut. E dyta, sipas Busek, është përgjigjja qe do ti jepet aplikimit te Malit te Zi, te kryer qe ne dhjetor.
Paralajmërimi
“Në këtë kushte, duke i shtuar edhe krizën aktuale financiare, është e kotë të mendohet se mendja e 27-shes është te zgjerimi”, - paralajmëron diplomati austriak. Megjithatë, sipas tij do të ishte më në favor të unionit, që vendet e Ballkanit Perëndimor të trajtoheshin në bllok, për të mos krijuar diferencime të mëdha mes tyre. Ndërsa zëdhënësja e Komisionit Evropian, Kristina Nagi pohoi dy ditë më parë se data caktohet pas konsulencës me presidencën çeke. “Për sa i përket Komisionit, ne jemi sigurisht në kontakt të rregullt me autoritetet e vendeve potencialisht kandidate siç është Shqipëria, dhe në këtë kontekst çështja e një aplikimi të mundshëm është diskutuar disa herë gjatë muajve të kaluar, por siç e thashë më parë i takon presidencës të bjerë dakord për një datë të veçantë”, - ka deklaruar Nagi. Ajo nënvizoi se qëndrimi i këtij institucioni nuk ka ndryshuar kurrë, duke përfshirë edhe kërkesën për plotësimin me sukses të reformave kyçe, në veçanti, përveç zgjedhjeve, atë që lidhet me shtetin ligjor dhe me funksionimin e institucioneve demokratike. “Zgjedhjet parlamentare shqiptare të fund të qershorit do të jenë një test madhor për demokracinë shqiptare. Kjo është ajo që kemi thënë vazhdimisht dhe ky mbetet qëndrimi i qartë i Komisionit. Unë mund të shtoj se paraqitja e aplikimit për kandidaturën është sigurisht një hap shumë i rëndësishëm, por është gjithashtu e rëndësishme që një hap i tillë të ndiqet nga një vendim i Këshillit për t i kërkuar Komisionit të përgatisë një raport opinioni mbi meritat e këtij aplikimi”, - është shprehur Nagi. Nëse shqiptarët dorëzojnë aplikimin më 28 prill, siç thuhet ende jo-zyrtarisht nga burimet e presidencës çeke në Bruksel, drita jeshile që Komisioni të nisë shqyrtimin nuk pritet para zgjedhjeve. Por duket se të gjitha këto zëra kundër nuk do të merren parasysh nga kryeministri, Sali Berisha. Ashtu siç informoi të enjten dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, Berisha pritet të dorëzojë kërkesën në 28 prill kur do të jetë në Pragë pas një vizite në Kinë.

Lohan: Aplikimi të shtyhet pas zgjedhjeve

Shefi i delegacionit të Komisionit Evropian, Helmut Lohan kërkon nga politika shqiptare që ta paraqesë aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimi Evropian, pas zgjedhjeve te qershorit. Sipas tij paraqitja e kësaj kërkese më parë nuk do të ketë ndonjë rol të madh. Qëndrimi i tij i bashkohet atij të Komisionerit për Zgjerimin, Oli Rehn i cili ka deklaruar më parë se do të ishte mirë që Shqipëria të aplikonte pas zgjedhjeve. “Paraqitja e kërkesës para zgjedhjeve nuk do të ketë një rol të madh”, - siguroi Lohan gjatë seminarit “Procesi i aderimit në Bashkimin Evropian, nga aplikimi në anëtarësim”, organizuar të premten me studentët dhe pedagogët e Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër. Ai pohoi më tej në këtë takim se anëtarësimi i Shqipërisë në strukturat e Bashkimit Evropian, në momentin e duhur, do të sjellë rritjen e investimeve të huaja, siguri dhe do të rrisë standardin e jetesës. Sipas tij, anëtarësimi jep mundësi për të qenë më mirë në aspektin ekonomik, si dhe për të qenë më i integruar në strukturat ndërkombëtare. Lohan u ndal edhe në procesin e liberalizimit të vizave, duke pohuar se kjo gjë mund të arrihet vetëm në 2010. “Liberalizimi i vizave është në bazë të kushteve që do të plotësojë Shqipëria. Tashmë që procesi i aplikimit të pasaportave biometrike ka nisur të shpërndahet, jam i bindur se vitin e ardhshëm, shqiptarët do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm në shtetet e Bashkimit Evropian”,- tha Lohan. Në seminarin me studentët e Universitetit "E.Çabej" Lohan u shoqërua nga rektori i Universitetit të Gjirokastrës, Gëzim Sala. Vizita në Gjirokastër, e Shefit të Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, është pjesë e një turi 4-ditor në jug të vendit.

Ky lajm është publikuar: 18/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›