Një rrugë e re për narkotikët
Falë “luftës globale ndaj drogave” të dekadës së fundit, pothuajse 2 milionë njerëz që jetojnë në ish-Bashkimin Sovjetik janë të infektuar me HIV, gjysmë milioni qytetarë amerikanë dergjen nëpër burgje për krime jo të dhunshme që lidhen me drogat dhe miliarda dollarë janë shpenzuar për aksione shkatërrimtare e ushtarake në Kolumbi, ndërsa prodhimi i kokainës vazhdon të rritet. Ndërkohë, vendet që kanë ndjekur një rrugë më të përparuar dhe tolerante për politikën e trajtimin për drogat në Evropën Perëndimore, kanë pësuar ulje dramatike të varësisë nga substancat e dëmshme, sëmundjet dhe krimi. Shkëmbimi i shiringave dhe trajtimi me substanca zëvendësuese ka ndikuar në mënyrë efektive kursin e epidemisë së HIV-it. Me një numër prej rreth 13.2 milionë përdorues drogash intravenoze të shpërndarë në të gjithë botën, dekada e ardhshme do të karakterizohet gjerësisht nga përgjigjja kundër kësaj krize të shëndetit publik. Deklarata e re që shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara përgatitën në Vjenë gjatë muajit mars nuk parashikon shkëmbimin e shiringave apo zgjerimin e zvogëlimit të dëmit. Deklarata injoron të drejtat e njeriut te përdoruesit, përfshi këtu edhe të drejtën e shëndetit. Kjo mund të sjellë abuzimin e sistemit shtetëror që i ndëshkon përdoruesit e drogës dhe familjet e tyre me dhunë, punë të detyruar dhe zhvatje të të ardhurave. Ne duhet të hedhim poshtë ideologjitë e dështuara të së kaluarës dhe të hartojmë një rrugë të re, e cila të mbështesë të mirat që vijnë nga shkëmbimi i shiringave dhe zvogëlimi i dëmit.
Frytet e hidhura të ideologjisë së dështuar
Në të gjithë botën, një emergjencë e padukshme po shqetëson jetën e miliona njerëzve. Kjo emergjencë po fut në burg mijëra kundërvajtës të pa-dhunshëm, të cilët shpesh i nënshtrohen trajtimeve çnjerëzore dhe torturuese. Një gjë e tillë kontribuon në përhapjen masive të infeksionit të HIV-it në shumë vende, kryesisht në Rusi, si dhe po dëmtohen vende në rajone të tilla si Amerika Latine, Lindja e Mesme dhe Azia Juglindore. Në disa raste kjo sjell edhe kolapsin e shtetit. Po ashtu, kjo emergjencë ndëshkon miliona njerëz çdo vit, të cilët vdesin me dhimbje të padurueshme. Pacientëve të sëmurë me kancer iu ndalohet mundësia për të përdorur substancat e lira dhe efektive që lehtësojnë dhimbjet. Shkaku kryesor i kësaj katastrofe nuk vjen nga natyra. Kjo vjen nga njeriu, si rrjedhim i ideologjisë së dështuar që përballë provave të pakundërshtueshme, vazhdon të diktojë politikën në të gjithë botën.
Oguri shqetësues
Lufta e çdo shteti për të siguruar rolin e zvogëlimit të dëmit, të realizuar nëpërmjet masave shtrënguese më të minimizuara (shumica e BE dhe disa vende në Amerikën e Jugut), u rrëzua gjatë një takimi përgatitor të bërë këtë javë në Vjenë. Deklarata e draftit që është në bisedime, nuk e përmend zvogëlimin e dëmit. Po qe se politikanët negociatorë të mbledhur në Vjenë nuk do të marrin masa urgjente, bota do të vuajë nga strategji shkatërrimtare edhe për një tjetër dekadë. Plani i ri i Kombeve të Bashkuara, ashtu si precedenti i vitit 1998, u unifikua me parullën “Një botë pa droga - Mund t’ia dalim!” Vazhdimi me politikat mizore që vetëm sjellin tension, vuajtje të kotë dhe vdekjen e miliona njerëzve nga shumë shtete do të përdorej thjesht si justifikim. Kjo është një fitore për ideologjitë dhe një dështim për pjesën tjetër të njerëzimit.
Dy shkrime të botuara nga:
Kasia Malinovska-Sempruch, European Voice, 6 mars, 2009.
Kasia Malinovska-Sempruch, “International Herald Tribune”, 8 mars, 2009
Shtetet anëtare duhet të refuzojnë politikën e drogave të Kombeve të Bashkuara
Vëzhgimi i të Drejtave të Njeriut, Shoqata Ndërkombëtare e AIDS-it dhe Shoqata Ndërkombëtare e Zvogëlimit të Dëmit ka bërë të ditur se deklarata e re politike e Kombeve të Bashkuara për drogat është hartuar për të drejtuar politikën e këtij fenomeni për dhjetë vitet e ardhshme. Këto organizata kanë bërë të ditur se respektimi i të drejtave të njeriut dhe parandalimi i HIV-it duhet të jenë në zemër të kësaj politike, por ka edhe elementë kritikë që janë hequr nga deklarata finale. Ato i kanë bërë thirrje qeverive anëtare për të refuzuar mbështetjen e deklaratës, e cila u vlerësua në segmentin e nivelit të lartë të Komisionit të Drogave Narkotike (CND) në Vjenë, gjatë muajit mars 2009. “Delegatët qeveritarë mund ta kishin përdorur këtë proces për të kuptuar atë që nuk ka funksionuar në dekadën e fundit në përpjekjet për të kontrolluar drogën, dhe të hartojnë një politikë të re ndërkombëtare, e cila reflekton realitetin dhe sfidat aktuale”, - shprehet Prof. Xherri Stimson, shefi ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Zvogëlimit të Dëmit. “Përkundrazi, ata përgatitën një deklaratë që nuk është vetëm e pamjaftueshme. Ajo aktualisht shkatërron detyrimet thelbësore të të drejtave të njeriut dhe të shëndetit.” Pjesë kryesore e kësaj çështjeje janë seritë e masave të njohura kolektivisht, si “shërbimet e reduktimit të dëmit”, të cilat janë nënshkruar nga agjencitë e shëndetit dhe kontrollit të drogës së Kombeve të Bashkuara, përfshi këtu Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin, UNAIDS-in dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Këto masa përfshijnë shkëmbimin e shiringave dhe terapinë mbajtëse medikamentoze (për shembull me metadon), si brenda, edhe jashtë burgjeve, si bazë për t’iu adresuar përdoruesve të drogës që rrezikojnë të infektohen me HIV. Mbi bazën e shumë provave është zbuluar se zvogëlimi i dëmit është thelbësor në parandalimin e infektimit me HIV për përdoruesit e drogave intravenoze. Aksioni është ndërmarrë kundër këshillës së drejtpërdrejtë të UNAIDS-it, Fondit Global në luftë për AIDS-in, Tuberkuloz e Malaria (GFATM), si dhe raportet speciale të Kombeve të Bashkuara për shëndetin dhe torturën. Rreth 30% e të infektuarve me HIV jashtë zonës subsahariane e kanë marrë virusin nëpërmjet përdorimit të pasigurt të drogave në mënyrë intravenoze. Ekzistojnë prova të qarta se ndërhyrjet e zvogëlimit të dëmit mund të frenojnë ose të ndryshojnë epideminë e HIV-it te përdoruesit e drogave me rrugë intravenoze. “Kjo deklaratë politike ka dështuar për shëndetin publik”, - është shprehur Kreig MekKlur, drejtori ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të AIDS-it. “Më pak se 12 muaj pasi shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara u mblodhën në një takim të nivelit të lartë në Nju-Jork për të ritheksuar përkushtimin ndërkombëtar të luftës kundër HIV-it, mohimi i çdo reference në deklaratë për programet e zvogëlimit të dëmit është i papranueshëm dhe i paarsyeshëm.” Po ashtu, deklarata politike dështoi edhe në respektimin e të drejtave të njeriut. Në çdo vend të botës, praktikat abuzive të shtrëngimit ligjor nën moton “Lufta ndaj drogave”, rezultuan në zgjerimin e dhunimit të të drejtave të njeriut. Kështu, interpretime më shtrënguese të marrëveshjeve ndërkombëtare të kontrollit të drogave rezultuan në mohimin e mundësisë së furnizimit me medikamente të lehtësimit të dhimbjeve për dhjetëra milionë njerëz në të gjithë botën. Të dyja këto çështje janë ngritur nga raporti special i Kombeve të Bashkuara për shëndetin dhe për torturën. CND (Komitetit të Drogave Narkotike) i është urdhëruar që të nxisë mbështetjen e jashtme për të drejtat e njeriut brenda deklaratës politike. Të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë ratifikuar të paktën një prej marrëveshjeve themelore të të drejtave të njeriut dhe Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar vazhdimisht se masat ndaj drogave duhet të realizohen në një mënyrë të vazhdueshme konform respektimit të të drejtave të njeriut. “Për shkak të abuzimit me të drejtat e njeriut në gjithë botën, ato duhet të vendosen në zemër të politikave të Kombeve të Bashkuara për drogat”, - është shprehur Xhozef Amon, drejtor i Vëzhgimit të të Drejtave të Njeriut për shëndetin dhe Departamentit të të Drejtave të Njeriut. “Por deklarata politike pati referenca të pamjaftueshme në detyrimet ligjore të shteteve anëtare që janë pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat nuk e morën parasysh respektimin e këtyre të drejtave themelore në politikën për drogat.” Këto organizata kanë bërë të ditur se komuniteti ndërkombëtar duhet të ketë parasysh se rruga e ndjekur në politikat ndërkombëtare për drogat, ka dështuar. Hapa konkrete duhet të merren për të bashkërenduar një strukturë, e cila politikën për drogat e adreson te zvogëlimi i dëmit dhe detyrimet për respektimin e të drejtave të njeriut që duhen bërë zemra e organizimit ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara. Kjo do të thotë që duhen mbështetur masat e zvogëlimit të dëmit. Politikat ndëshkuese për drogat nuk funksionojnë dhe duhet të merret më me seriozitet shëndeti e jeta e miliona njerëzve. Ne kemi nevojë për një rrugë të re. Shteteve anëtare u bëhet thirrje që të mos firmosin në deklaratën politike që nuk ka për prioritet zvogëlimin e dëmit dhe respektimin e të drejtave të njeriut si një përgjigje globale për drogat. Gjithashtu, t’u bëhet thirrje organizatave të shoqërisë civile që t’i shtojnë përpjekjet në sistemin e Kombeve të Bashkuara për të gjetur një reagim më efektiv, më bashkëkohor dhe më të përshtatshëm për drogat.
Prof. Xherri Stimson, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Zvogëlimit të dëmit për drogat
* Shkrimi u përgatit nga “Aksion Plus”, anëtare e rrjetit EHRN (Rrjeti Euroaziatik për Zvogëlimin e Dëmit për Drogat)