E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Roli i Nexhmije Hoxhës dhe 5 çiftet që sundojnë Shqipërinë

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Paul Lendvei
Uashington Post, nga Vjena korrespondent i shërbimit të jashtëm të “London Financial Times”

2 nëntor, 1976. Vjenë – Njeriu i gjithëpushtetshëm në Shqipëri, Enver Hoxha, kundërshtoi sot haptazi dhe përpjekjen më të fundit të udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Leonida Brezhnjev, për të rikthyer edhe një herë tjetër marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy ish- aleatëve komunistë. Hoxha, duke folur në Kongresin e Partisë Komuniste në Tiranë, nuk e përmendi në mënyrë të veçantë këtë ofertë të fundit të Brezhnjevit, bërë gjatë një fjalimi një javë më parë (25 tetor). Por këto sulme flluska, që Hoxha i drejtoi kundër Brezhnjevit dhe Bashkimit Sovjetik, qartësuan edhe një herë tjetër qëndrimin e shqiptarëve komunistë se nuk kërkojnë të pajtohen me ish- aleatët e tyre. Enver Hoxha foli për disa orë me radhë dje në çeljen e punimeve të Kongresit dhe do ta marrë përsëri fjalën sot, në ditën e dytë të punimeve. Fjalimi i tij u shpërnda nga Agjencia Telegrafike e Lajmeve (ATA) këtu në Vjenë. Dje Hoxha sulmoi ashpër imperializmin amerikan dhe socialimperializmin sovjetik. Ndërsa falënderoi Kinën, për ndihmën e saj ekonomike dhe shtoi se mbështetja e jashtme mund të mos ishte vendimtare për Shqipërinë, e cila ishte mbështetur virtualisht prej vitesh tek Kina si të vetmin kontakt me botën e jashtme. Trazirat në Kinë, në tutoren e largët të Shqipërisë që prej prishjes me Bashkimin Sovjetik 16 vite më parë, mund të reflektohen kërcënueshëm dhe për vetë Enver Hoxhën, i cili e ka drejtuar vendin 2.4 milionë banorësh me dorë të hekurt për më shumë se tri dekada. Tanimë 67 vjeç, zërat thonë se ai nuk është në kushte të mira shëndetësore, ai ka arritur të spastrojë kundërshtarët e tij të vërtetë apo të mundshëm brenda gjirit të partisë gjatë trazirave të Luftës së Dytë Botërore. Historia e tij është një shembull klasik i ideologjisë që shërben si maskë për forcat historike, kushtet gjeografike dhe presionet lokale. Të gjitha sulmet e dhunshme verbale mbi “revizionizmin modern titist” dhe “imperializmin social të Bashkimit Sovjetik”, shpjegohen me fjalë shumë të thjeshta, ato të interesave të fuqisë dhe konflikteve të brendshme. Kryesisht klasa e mesme dhe udhëheqja e edukuar në Perëndim, e drejtuar nga vetë Hoxha, djali i edukuar në Francë i një bejleri pasanik, ka krijuar një botë të tijën. Duke u mbështetur në një lloj izolimi të vetimponuar, e kombinuar me thirrjen për prekjen e ndjenjave nacionaliste nëpërmjet kërcënimit dhe terrorit, Hoxha dhe grupi i tij janë dhe udhëheqësit e padiskutueshëm. Shqipëria qëndron e izoluar, edhe pse kufijtë e këtij shteti kufizohen me Jugosllavinë, Greqinë apo Italinë, e cila është vetëm 42 milje larg përballë ngushticës së Otrantos. Spastrimet e përgjakshme gjatë viteve 1948-1949, eliminuan elementët projugosllavë dhe rreth dhjetë vjet më vonë, 1960-1961 u erdhi radha dhe funksionarëve të lartë të shtetit që kundërshtuan prishjen me Moskën. Pas pushtimit të Çekosllovakisë, në gusht 1968, parlamenti anuloi formalisht dhe anëtarësinë e vendit në Traktatin e Varshavës. Nepotizmi ushtrohet në shkallë të gjerë. Mes 60 anëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë, pesë janë çifte të martuar. Ato përshijnë “Zonjën e Parë” me ndikim të jashtëzakonshëm, zonjën Nexhmije Hoxha dhe gruan e komandant lejtnantit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kryeministrit që prej 1954-ës, Mehmet Shehun. Gruaja e numrit tre në rangun e drejtuesve, Hysni Kapo, është gjithashtu pjesë kryesore e organit të partisë. Që prej vitit 1973, spastrimet kanë prishur unitetin e jashtëm të Byrosë Politike drejtuese. Gjatë dy viteve të shkuara, 3 nga 13 anëtarët e Byrosë të zgjedhur në kongresin e vitit 1971 janë hequr pa ndonjë shpjegim. Rivali më i fuqishëm i mundshëm i Hoxhës, ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, dhe shumë gjeneralë të tjerë janë qëlluar për vdekje në shtator 1974. Tetë nga 18 anëtarët e Kabinetit u pushuan nga detyra. Në pikëpamjen e izolimit të liderëve shqiptarë, është e panevojshme të spekulosh për ndryshimet e politikave prapa çdo spastrimi. Ishte shumë e vështirë për shembull, të besoje se Hoxha pranverën e shkuar, tha se një grup armiqsh revizionistë donin të prishnin miqësinë me Kinën dhe ta rreshtonin vendin përkrah “revizionistëve sovjetikë”. Me më shumë mundësi, trazira u shkaktua nga vështirësitë ekonomike dhe marrëdhëniet e sforcuara me Kinën. Ndërsa pretendimet e propagandës zyrtare që shqiptarët jetojnë si askush tjetër në botë, pa taksa dhe me çmime 15 herë më të ulëta se ato të vitit 1950, së bashku me raportin e planit të fundit 5-vjeçar, tregojnë se qëllimet ambicioze nuk u arritën.
Ky lajm është publikuar: 18/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›