E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush: G7, përgjigje unite kundër krizës globale

 

Xhorxh Bush dhe ministrat e Financës së shtatë vendeve më të industrializuara të botës, G7, kanë premtuar se do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të luftuar krizën globale ekonomike në unitet pa ofruar asnjë zgjidhje konkrete për krizën financiare. Në një takim të organizuar në Uashington nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti amerikan, Xhorxh Bush dhe ministrat e Financave u pajtuan që të përdorin të gjitha mjetet ekzistuese për t'i mbështetur bankat kryesore dhe për ta parandaluar dështimin e tyre, pa njoftuar se si do të bëhet kjo. "Veprimet e një vendi nuk duhet të minojnë apo t'u kundërvihen veprimeve të një tjetri. Përmes këtyre përpjekjeve, bota po dërgon një sinjal të qartë, se ky problem na ka goditur të gjithëve dhe do ta zgjidhim së bashku", tha presidenti amerikan. Në një konferencë për shtyp, Presidenti Bush tha pas takimit se ministrat do të punojnë shpejt për të mbrojtur depozitat bankare, për të hedhur para në institucionet financiare për të rivënë në punë tregun e kredive. Bush siguroi se ekspertët e financës kanë rënë dakord që të garantojnë mbrojtjen e taksapaguesve. "Ne e kuptojmë se trazirat në tregjet financiare i prekin të gjithë qytetarët tanë, të cilët me të drejtë janë të shqetësuar për këtë krizë. Prandaj e kuptojmë se duke u marrë me këtë krizë financiare, ne realisht ndihmojmë njerëzit që të jenë në gjendje të kenë të ardhme më të mirë. Në Amerikë është e rëndësishme që shtetasit tanë ta kenë kuptuar se ajo që prek Wall Street-in, i prek edhe të tjerët. Të gjithë ne e kuptojmë se kjo është krizë serioze globale dhe kërkon përgjigje serioze globale për të mirën e popullit", tha Bush në konferencën për shtyp pas takimit. Sipas ekonomistëve, liderët botërorë kanë arsye të forta për të bashkëpunuar me SHBA-në, sepse ekonomia amerikane përbën 25 për qind të prodhimit të përgjithshëm neto në shkallë botërore. Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar parashikon që Shtetet e Bashkuara po hyjnë në një periudhë rënieje ekonomike këtë vit, duke shkaktuar një ngadalësim të theksuar në të gjithë ekonominë globale. Uashingtoni po harton plane për të blerë një pjesë të vlerës së aksioneve të institucioneve financiare ndërkombëtare, në mënyrë që t'i shpëtojë ato nga humbjet e mëdha. Kjo është hera e parë që një masë e tillë merret nga qeveria amerikane që nga periudha e depresionit të madh (1930). Ndërkohë bursat në të gjithë botën vazhdojnë të lëkunden. Pas një ngritjeje të shkurtër të enjten, të premten aksionet ranë përsëri. Edhe në mbyllje të së premtes bursat në Azi, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara vazhduan të bien, ndërsa çmimi i naftës në botë ka prekur nivelin më të ulët në vitin e fundit.

Mekein mbron Obamën në fushatë
Kandidati republikan për presidencën amerikane, Xhon Mekein, është detyruar të mbrojë rivalin e tij demokrat, Barak Obama, në një takim të fushatës së tij në Lakesville, Minnesota. Mekeini ka kundërshtuar disa nga përkrahësit e tij në tubim, të cilët kanë përdorur slogane fyese kundër Obamës. Atij iu desh që të ndërhynte disa herë për t'i dhënë fund ofendimeve publike. Një zonjë tha për Obamën se ishte "arab", por Mekein ia mori mikrofonin dhe tha se "nuk është e vërtetë. Ai është një baba i mirë, me një familje të mirë me të cilin më qëllon të mos jem dakord për disa çështje thelbësore". Barak Obama e ka falënderuar Mekeinin për ndërhyrjen që ka bërë para mbështetësve të tij, për të qenë të respektueshëm, dhe për të frenuar sloganet raciale dhe të mbushura me urrejtje kundër kandidatit demokrat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›