Bush-Shefer: “Vendet e A-3-shit të përmbushin standardet”
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush dhe kreu i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jaap de Hoop Scheffer, kanë diskutuar dje mes tyre dhe për anëtarësimin e vendeve të Kartës së Adriatikut, ku plotësimi i standardeve ka qenë dhe tema kryesore lidhur me këtë çështje. Gjithsesi, pas takimit është mësuar se dy liderët kanë qenë në një mendim se ndërsa mundësia për ftesë është e hapur, plotësimi i standardeve do të jetë një kusht primar. Të dy udhëheqësit diskutuan mbi programin e takimit, i cili gjithashtu do të përfshijë planet e SHBA-ve për sistemin e mbrojtjes nga raketat në Europë dhe një votim për ftesat e mundshme për anëtarësimin e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Presidenti Bush tha se ai vlerëson rolin e NATO-s për stabilizimin e Ballkanit, ku sulmet ajrore të NATO-s në vitin 1999 i dhanë fund përndjekjeve të shqiptarëve dhe dëbuan forcat serbe të sigurimit nga Kosova. “Serbia kundërshton shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se shkel mandatin e Kombeve të Bashkuara që e kanë administruar Kosovën gjatë 9 viteve të fundit”, - tha Bushi. Shtetet e Bashkuara kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe presidenti Bush ka përgëzuar udhëheqësit e saj për zotimin e tyre për të mbrojtur të drejtat si të shumicës shqiptare, ashtu dhe të pakicës serbe. Nga ana e tij, de Hoop Scheffer tha se forcat e NATO-s në Kosovë ndodhen atje për të mbrojtur si shqiptarët, ashtu dhe serbët. Takimi i NATO-s në Rumani do të zhvillohet nga 2 deri më 4 prill. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, thotë se Aleanca trans-atlantike është duke e fituar luftën në Afganistan dhe është një forcë për ruajtjen e paqes në Kosovën e pavarur. Udhëheqësi i NATO-s u takua dje me presidentin Bush për bisedime përpara takimit të nivelit të lartë të prillit, që do të zhvillohet në Rumani. Pas takimit, duke folur me gazetarët, presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura gjithashtu për misionin e NATO-s në Afganistan.
3 Mars 2008