Durrës, mbërrijnë dy luftanijet e para të NATO-s
Dy nga pesë anijet ushtarake të NATO-s, ekuipazhi i të cilave do të zhvillojë një vizitë 5-ditore në vendin tonë, në kuadër të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mes NATO-s dhe vendeve aleate, u ankoruan paraditen e djeshme në Portin detar të Durrësit. Burime zyrtare nga Komanda e Flotës Detare të Veriut, me qendër në Durrës, thanë, se në kalatat e portit më të madh të vendit janë ankoruar fregatat TCG Salihreis (Turqi) dhe HMS Somerset (Britani e Madhe), ndërsa pritet të mbërrijnë brenda disa orësh dhe anijet ushtarake FGS Niedersachen (Gjermani), HS Hydra (Greqi) dhe ITS Euro (Itali). Anijet e grupit të dytë detar të NATO-s kanë ardhur në vendin tonë në kuadër të programit të vizitave portuale, që ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mes NATO-s dhe vendeve aleate. Njohja e kësaj force detare me partnerët e saj si dhe zhvillimi i marrëdhënieve me autoritetet ushtarake dhe civile, është një tjetër synim i kësaj vizite. Komandanti i grupit të dytë detar të NATO-s është Sinan Ertugru, ndërsa fregata TCG Salihreis (Turqi) është anija flamurmbajtëse e këtij grupi. Burimet shtuan se gjatë qëndrimit 5-ditor në vendin tonë, ekuipazhet e anijeve në fjalë pritet të vizitojnë Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, Muzeun Arkeologjik të Durrësit; në kalanë e Krujës, Muzeun Historik “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, kalanë e Beratit etj. Në kuadër të kësaj vizite ushtarakët tanë dhe ata të NATO-s do të zhvillojnë edhe veprimtari të përbashkëta sportive.
3 Mars 2008