E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomitë më të fuqishme

Për rritjen reale të vendeve për periudhën 2000- 2008 janë përdorur të dhënat dhe vlerësimet e bëra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, të publikuara tetorin e vitit të shkuar përmes "Pasqyrës Ekonomike Botërore". Në vitin 2008, PBB-ja botërore është parashikuar të jetë 56,777 miliardë dollarë për një popullsi totale prej 6,658 miliardë banorësh krahasuar me 35,960 miliardë dollarë për 6,028 miliardë banorë të vitit 2000. Duke përjashtuar inflacionin e dollarit, rritja rezulton 3.4 për qind në vit. Me Produkt të Brendshëm Bruto që i kalon 14,596 dollarët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqësojnë 25.7 për qind të PBB-së botërore; vlerë e ngjashme deklarohet edhe për Bashkimin Europian, por e shpërndarë në mënyrë shumë johomogjene në 497 milionë banorë, kundrejt 306 milionëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vlerësimi sipas PBB-së

Duke përdorur PBB-në si tregues të dimensionit të tregjeve, ekspertët italianë krahasuan zhvillimin e dy zonave me ndikim të fortë, sidomos kur vjen fjala tek eksportet e ekonomisë europiane, pra Azinë, (përjashto Japoninë e Kinën, aq të mëdha sa të përfaqësojnë zona më vete) dhe 28 vendet ish-komuniste, përfshi këtu edhe Rusinë. PBB-ja e tyre, që në vitin 2000 përfaqësonte një treg prej 2,581 miliardë dollarësh, tani vlerësohet të ketë arritur në vlerën 5,021 miliardë dollarë (rritja reale është 61 për qind për këto vende dhe 54 për qind për shtetet aziatike). Në raportin e përpiluar nga ekspertët italianë vihet re me habi se gjithsesi "kontinenti i vjetër" fsheh zonën më dinamike të globit pas Kinës, kjo pasi progrese të forta ndeshen në thuajse të gjitha vendet e tij.

Norvegjia, vendi më i pasur në BE

Si element matës për nivelin ekonomik të vendeve nga ekspertët si më i vlefshmi për studimin e tregjeve është përcaktuar PBB-ja për frymë. Ajo varion nga një maksimale prej 51,472 dollarësh për Norvegjinë (që ka zbritur në vend të dytë Zvicrën) te minimalja prej 236 dollarësh për frymë të Kongos. Në total janë 50 ato vende me PBB-në më të madhe se 10 mijë dollarë për frymë, 45 vende kanë mbi 2 mijë dollarë për frymë, ku bën pjesë edhe Shqipëria, dhe 55 vende e kanë nën 2 mijë dollarë PBB-në për frymë. Grupi më i pasur numëron 1,367 miliardë banorë, ai i ndërmjetmi (ku përfshihet edhe Kina) 2,653 miliardë, ndërsa grupi i tretë, ai më i varfëri 2,629 miliardë banorët e tjerë. Shqipëria rezulton në vendin e 59-të, më keq se Bosnja, Kili, Ukraina, Irani, Malajzia, Uruguai, Maqedonia e Republika ishull e Mauricit dhe më mirë se Meksika, Panamaja, Venezuela, Armenia e Libani.

Bujqësia, joprioritare në ekonominë e vendeve të pasura

Pavarësisht zhvillimit ekonomik të vendeve të caktuara apo nivelit të konsumit të popullsisë, bujqësia nuk konsiderohet si sektor prioritar për një pjesë të vendeve më të zhvilluara të botës. Vërehet një lidhje mjaft e fortë e kundërt mes PBB-së për frymë dhe peshës së bujqësisë në PBB e 6 vende që kanë vetëm 1 për qind në këtë peshë (mes të cilave SHBA-ja, Gjermania dhe Britania e Madhe). Ndërkohë 8 vende të tjera të zhvilluara e kanë 2 për qind prioritetin për bujqësinë (grup ku bëjnë pjesë Japonia, Franca e Italia), që të gjitha me të ardhura për frymë më të mëdha se 25 mijë dollarë në vit. Shqipëria e ka peshën e bujqësisë në prodhimin e brendshëm në raportin 23 për qind, më të lartin nga të gjitha vendet e tjera të rajonit. Ndërkaq pozitive është lidhja mes të ardhurave për frymë dhe përqindjes së shërbimeve në PBB, ku SHBA-ja e Franca në këtë kuadër mbajnë rekordin botëror me 77 për qind. Britania e Madhe ka kuotën 73 për qind, Italia 71 për qind, Gjermania 69 për qind. Për Shqipërinë shërbimet përbëjnë 56 për qind të të ardhurave.

Përgatiti dhe përktheu: Ervin Koçi
Marrë nga “Panorama .It”

3 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›