Departamenti Amerikan: “Shkarkimet politike në polici, problem serioz”
Publikohen rezultatet e DASH-së për vitin 2007. Administrata Publike rezulton tejet e politizuar
Habjon Hasani
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka “vulosur” maskaradën e kryer në rradhët e policisë shqiptare duke vënë theksin mbi shkarkimet e shumicës së punonjësve të kualifikuar dhe zëvendësimin e tyre me punonjës të rinj, pa përvojë dhe të propozuar nga struktura politike. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, emërimet politike janë një problem që karakterizon gjithë administratën shqiptare, por në rastin e policisë këto ndryshime janë më evidente dhe arbitrare. “Një nga problemet e hasura lidhur me ndihmën në kualifikim, është politizimi i lartë në të gjitha nivelet e qeverisjes që sjell si rezultat mungesën e një administrate civile të fortë, kështu që shumë punonjës që i nënshtrohen kualifikimit, bëhen objekt largimi nga detyra gjatë tranizicioneve politike. Ky problem ishte veçanërisht i mprehtë në policinë e shtetit pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Mes viteve 2005-2006, pothuajse 90 për qind e shefave të pikave kryesore kufitare u transferuan ose u zëvendësuan. Në shumë raste, personeli i ri nuk kishte përvojë të mëparshme, kualifikimin e duhur, apo një ide të qartë të funksionimit të kufirit”-shkruhet në raport.
Pastrimi
Shqipëria është ndoshta pika më nevralgjike dhe më e ekspozuar e pastrimit të parave në rajon. Raporti për vitin 2007 i DASH-së ka bërë të ditur se Shqipëria është e ekspozuar ndaj pastrimit të parave e, për më tepër, sasia e të hollave që pastrohen në vendin tonë nuk mund të përllogaritet. Në kapitullin për pastrimin e parave, raporti thekson se i vend transit për trafikimin e narkotikeve, armëve, kontrabandës dhe qenieve njerëzore, Shqipëria përballet me rrezikun e lartë të pastrimit të parave. Të ardhurat që sigurohen me rrugë kriminale burojnë kryesisht nga trafiqet, korrupsioni zyrtar dhe mashtrimet. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë burimet kryesore të pastrimit të parave. Përmasa e saktë që shumë nga këto aktivitete të paligjshme zënë te të ardhurat totale të krimit dhe të pastrimit të parave, nuk dihet. ”Kriminelët investojnë para të pista në ndërtimin e banesave dhe në projektet e zhvillimit të bizneseve. Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallrat kontrabandë për shkak të kontrollit të dobët në dogana. Grupet e krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë si bazë operacionesh për kryerjen e aktiviteteve kriminale në vende të tjera dhe shpesh i kthejnë fitimet e paligjshme në Shqipëri. Fitimet nga këto aktivitete pastrohen lehtësisht në Shqipëri falë ekonomisë që zhvillohet me para në dorë dhe kontrollit të dobët të qeverisë ndaj veprimtarive bankare”, - shkruhet në raport.
Korrupsioni
Qeveria, thuhet në raport, ka ndërmarrë disa hapa kundër korrupsionit: si miratimi i ligjit për Parandalimin e Konflikteve të Interesave dhe nxjerrja e një afati kohor për zbatimin e tij. Po ashtu, vëzhgimi nga ana e shoqërisë civile i ka rritur shpresat se korrupsioni do të bjerë. Qeveria nxori jashtë ligjit qarkullimin e gomoneve dhe disa llojeve të tjera mjetesh lundruese në të gjitha ujërat territoriale për një periudhë prej tre vjetësh, gjë që duket se e ka pakësuar lëvizjen e drogave përmes mjeteve të vogla të lundrimit, veçanërisht në Itali. Shqipëria punon me fqinjët në marrëdhënie dypalëshe dhe nisma rajonale për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet. Në raport thuhet se korrupsioni mbetet një problem me rrënjë të thella në Shqipëri. Pagat e ulëta, ryshfetet dhe rrjetet e lidhje të ngushta sociale në Shqipëri e vështirësojnë luftën ndaj korrupsionit në polici, gjykata dhe dogana. Në kuadër të përpjekjeve antikorrupsion, Shqipëria ratifikoi Konventën e OKB-së kundër korrupsionit. Në vitin 2007 Policia dhe Gjyqësori u bënë më aktive në hetimin e zyrtarëve të qeverisë dhe personelit të rendit për korrupsion. Në raport përmenden shifrat e dhëna nga Prokuroria e Përgjithshme, në bazë të të cilave, nga rritja 13 për qind e rasteve që arritën të paraqiten në gjykata, shumica kishte të bënte me korrupsionin, veprimtaritë e paligjshme të zyrtarëve të qeverisë dhe trafikimin.
3 Mars 2008