E Diel, 1 Nëntor 2026

Financat: Sqaroni pse km shkoi 15 milionë USD

Kostoja e Rrëshen-Kalimash përplas Boden me Olldashin

Kostoja e kilometrit Rrëshen-Kalimash, pjesë e Durrës-Kukës, ka prekur majat e të paimagjinueshmes, në rreth 15 milionë dollarë. Në raportin e monitorimit të shpenzimeve të kryera gjatë vitit 2009, Ministria e Financave vë re shpenzimet e tepërta për rrugën, që nuk përputhen me planin, ndërsa në relacionin e përgatitur nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit nuk jepen sqarime rreth tejkalimit të shpenzimeve. Për këtë shkak, Ministria e Financave i kërkon Transporteve të japë sqarime rreth kostove shtesë, duke e lidhur edhe me faktin se nuk është realizuar plani i ndërtimit të rrugëve. Akset rrugore tip A2, me katër korsi, identifikohen segmentet e Rrëshen-Kalimash, Kalimash-Kukës, si dhe pjesë të tjera të Durrës-Kukës, për të cilat janë kryer rreth 42 miliardë lekë, apo 99 për qind e planit, kurse si njësi janë ndërtuar 29 kilometra, ose 5 më pak. Mesatarja e kilometrit për rrugët e kësaj kategorie, ku pjesën dërrmuese e zë Rrëshen-Kalimashi, llogaritet në rreth 1.5 miliardë lekë, apo rreth 15 milionë dollarë, apo 2 milionë dollarë më tepër se plani. “Në vlerësimin dhe monitorimin për 9-mujorin, kosto për njësi e këtij produkti në fakt është realizuar me 424 milionë lekë për kilometër më tepër se sa ajo e planifikuar”, thotë Ministria e Financave.

Raporti i monitorimit

Në grupin e rrugëve tip A2 me katër korsi përfshihen kryesisht akse me gjerësi 20 metra si rruga Rrëshen-Kalimash (që zë pjesën më të madhe të realizimit të fondit dhe të sasisë së grup produktit-shënim i Ministrisë së Financave), ndërtim rruga Kukës-Morinë dhe Kalimash–Kukës, objekte që kanë përfunduar punimet. Po punohet me intensitet në objektin “Ndërtim By Pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë në lotet 1, 2, 3. Sipas Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, shpenzimet vjetore për këtë grup produkti janë realizuar në masën 99.7 për qind të planit vjetor, ndërsa nga ana sasiore janë realizuar 29 km nga 34 km të planifikuara si vjetor, pra 85 për qind. “Duke parë koston për njësi vërejmë që në fakt janë realizuar 1.4 miliardë lekë për kilometër, në një kohë që ka qenë planifikuar 1.2 miliardë lekë për kilometër, pra 200 milionë lekë më tepër”, nënvizon nga ana tjetër Ministria e Financave. Sipas dikasterit të Ridvan Bodes, në relacionin e paraqitur për këtë program nga Ministria e Transporteve, drejtuar nga Sokol Olldashi, nuk janë dhënë shpjegime lidhur me arsyet e tejkalimit të kostos për njësi, në fakt në krahasim me planin, si edhe të tejkalimit të shpenzimeve. “Pasi, siç e thamë më lart, produktet nga ana sasiore në fakt janë realizuar 85 për qind të planit vjetor, ndërsa shpenzimet janë realizuar 99.7 për qind e planit vjetor”, theksohet në raportin e monitorimit nga Ministria e Financave. Rritje të kostos evidentohet edhe për akset tip A2’ 2x2 me trotuare dhe ndriçim, konkretisht me 6 milionë lekë të reja më shumë se plani mesatar, që ishte 129 milionë lekë për kilometër. Kategoria e këtij lloj produkti janë rrugët me gjerësi 24-25 m, si ndërtim rruga Transballkanike Vlorë, Instituti Kamzë-kthesa Zall-Herr, ndërtim rruga Porto-Romano Durrës, “Aleksandër Goga” në Durrës, rruga Shkozet-Durrës etj. Shpenzimet në fakt për këtë produkt janë realizuar në masën 87 për qind të planit vjetor, ndërsa nga ana sasiore janë realizuar në rreth 83 për qind. “Në relacion janë bërë sqarimet se mosrealizimi i shpenzimeve për këtë grup produkti ka ardhur edhe si rezultat i bllokimit të kalimit të pagesave për disa objekte për të cilat janë kryer punimet fizike”, thotë Ministria e Financave, e cila pranon hapur borxhin që qeveria u ka disa firmave të ndërtimit, totali i së cilës shkon në rreth 50 milionë euro.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›