E Diel, 1 Nëntor 2026

Risitë diplomatike të Edvinit kthehen tek primitiviteti i neshove, nash-ove dhe kapove filo-serbe

Fondacioni “Qemal Stafa” mblodhi dje në tryezën me temë: Prioritetet e politikës së Jashtme dhe Integrimit europian” demek do “ekspertë, analistë dhe profesionistë të pavarur”, të cilët i futi nga hatllat dhe nëpër “Dyert e Hapura” në procesin e vorbëzimeve dhe hartimit të Politikës së Jashtme me anë të Arta Dades dhe Sajmir Tahirit.
Tani që Kosova u pavarësua dhe “deti u bë kos”, ata që dikur thërrisnin se “Beogradi është kryeqytet i Serbisë” dhe që kishin ëndërr të kalonin uikendet me Sllobon e nën hijen e tij në Pallatin e Bardhë të Karagjorgjëve dhe lagjen beogradase “Dedinjë”, pasi zbuluan se Sllobo kishte ndërmend të bënte paqen në Ballkan pasi kishte ditur më parë të bënte luftën me karkalecat e ku u vranë pa dashje ndoca djem trazovaçë kongolezë të Patric Lumumbës, kishin thirrur Arta Daden dhe Gim Neshon për shkëmbim eksperience.
Gim Nesho, merita e vetme e të cilit në diplomaci ka qenë se në vitin 1997 priste të vinte në Tiranë Zani Çaushi e Altin Dardha, dhe që para hotel “Dajti”-t thirri sa kish në krye “ta rrëzojmë me armë Sali Brishën…”, u tregoi për diplomaci të madhe pjesëmarrësve kontributin e teze Vitos dhe xhaxhi Hysniut në forcimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare qysh në kohën e Murat Tërbaçit dhe më vonë të shokut-ambasador Hysni, kontribute këto padyshim në favor të Kosovës.
Më pas Gim Nesho i mallëngjeu të pranishmit kur u tregoi për kontributin e xhaxhi Hysniut në pastrimin e Kosovës nga “qelbësirat” që kërkonin Kosovë të pavarur nga Beogradi, pastrim që ai e bëri bashkë me shokët Dushan, Shefqet, Ramiz, Rankoviç, me metodat që dikur ua kishte mësuar “shoku i shtrenjtë Duq” me thika serbe që kalonin nëpër qafat e shqiptaro-mëdhenjve.
Më pas e mori fjalën shoqja Arta, e cila u betua se sa kohë që kish punuar si terxhumane nën drejtimin e shokut Feçorr, bashkë me marksist-leninistët e mbarë botës kish punuar për të rrëzuar Tito-revizionistin e qelbur nga pushteti, me qëllim që me ndihmën e Sinan Hasanit dhe Fadil Hoxhës të pavarësonin Kosovën. Më pas shoqja Arta tregoi sesi me anë të mësimeve të shoqeve Vito Kapo e Ollga Pëllumbi e kish bërë telef në pozicion horizontal shokun-koleg kryediplomat serb Vuk Drashkoviçin, të cilin e kish hedhur në Otpor-rebelimin për të shembur Sllobon nga pushteti dhe për të vënë në vend të tij shokët Koshtunica, Marko Millosheviç dhe Tomislav Nikoliç, me qëllim që këta të na ndihmonin për pavarësimin e Kosovës.
Më pas shoqja Arta dëshmoi me fakte se ndër Prioritetet e Politikës së Jashtme dhe Integrimit Evropian, kur kishte bërë detyrën e kryediplomates nëpër kariolle, kish ndihmuar në ruajtjen dhe shpëtimin e fotografisë së shokut Enver, të cilën Paskali kish dashur ta zhdukte. Dhe se këtë akt revolucionar e kish bërë ngaqë shoku komandant qante për Kosovën dhe bozhuret e kuqe të saj, që i kishin prishur atje ballistët e Xhem Gostivarit, Xhaferr Devës dhe Rexhep Mitrovicës, që ishin bërë me gjermanët dhe jo me shokët Velo, Lola Ribar, Jovanoviç, Sergej Krajger, Vladimir Bakariç, Aleksandër Rankoviç, Moshe Pijade, Eduard Kardel, Tihomir Bllashkoviç e të tjerë shokë serbë e jugosllavë.
Më pas, në vazhdën e trajtimit të çështjeve dhe prioriteteve strategjike të politikës së Jashtme dhe integrimit evropian sipas mësimeve teorike dhe shembullit të shokut Qemal Stafa, që ishte ndër të parët që kish shtënë solidaritet revolucionar me shokët me origjinë serbe Vasil Shanto dhe Vojo Kushi qysh në kohën e Grupit Komunist të Shkodrës, shoku Sajmir Tahiri kërkoi edhe ndihmën teorike dhe mendimet e ekspertëve të pavarur dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, për të kataloguar dhe më pas për të pasuruar procesin e hartimit të programit të Partisë Socialiste shqiptare, nën shembullin e Partisë Socialiste të Serbisë, të udhëhequr nga shoku Sllobo, miku i shokut Nano.
Më pas Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Qemal Stafa”, shoku Saimir Tahiri, duke trajtuar në të njëjtën kohë edhe politikën e Jashtme edhe integrimin evropian, për ta bërë sa më atraktiv vendin tonë në intensifikimin e shkëmbimeve kulturore dhe sociale me Serbinë demokratike të Tadiçit dhe Koshtunicës solli shembullin e Kryetarit të PS shokut Edvin, që kish bërë “Qytetar Nderi” të Tiranës dhe i kish dorëzuar Çelësin e Bashkisë vëllamit serb Goran Bregoviç.
Më pas, mbasi vuri në dukje se “vendi ynë tashmë është përkrah komunitetit ndërkombëtar në misione paqeruajtëse për të kontribuar në konsolidimin e demokracisë kudo ku ajo çalon, Sajmiri ia dha fjalën sërish shoqes Arta Dade, e cila demonstroi përvojën e vet në korrigjimin e defekteve të demokracisë zgjedhore edhe në SHBA gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2001, ku kish zbuluar gabime të rënda në numërimin e votave në shtetin Florida në favor të kandidatit republikan për President të SHBA-ve Xhorxh Bush, defekte që i kish bërë publike dhe i kish demaskuar me forcë nëpër mediat amerikane, ato ndërkombëtare dhe sidomos ato shqiptare. Madje shoqja Arta deklaroi se pas këtyre zbulimeve të defekteve zgjedhore në SHBA, ishin hakmarrë ndaj saj dhe e kishin hequr nga posti njëherësh bashkë me Zonjën e Hekurt Madaleine Ollbright, ndaj së cilës shoqja Arta deklaroi se kish epërsi intelektuale faktin se zonja Ollbright nuk kish qenë ndonjëherë spikere festivali të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar dhe nuk kish punuar si terxhumane e grupeve marksist-leniniste që shkonin asokohe për vizita në Humgari, ngaqë nuk dinte gjuhë të huaja, si anglisht dhe hungarisht, apo edhe hebraisht. Dhe me të drejtë shoqja Arta theksoi se ky kontribut i saj i jepte një tjetër dimension rolit të vendit tonë në politikën e Jashtme dhe në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe kolegët nëpër kariollet e kryeqyteteve europiane, për çka shoqja Arta deklaroi se “po mbyllet dekada e dytë pluraliste dhe ne sot mund të themi se përkundër diplomacisë njëngjyrshe të mëparshme, (pra asaj të kohës së shokëve Feçorr, Kadri dhe Hekuran), politika e Jashtme e Shqipërisë në këto vite të demokracisë ka pasur dhe ka një mision kompleks..., është dypalëshe apo shumëpalëshe, dhe po promovon vlerat e vendit tonë kudo në botë”.
Gjatë fjalës së tij, z.Taulant Balla, Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme në A.K. të PSSH, solli në vëmendjen e të pranishmëve të kontributit të tij personal në mbrojtjen e shoqeve moldave nga nallanet dhe keqtrajtimet e tutorëve të pashpirt.
Në fund të tubimit shoku Agim Nesho deklaroi se na duhet një klasë diplomatike me në krye shokët Gaqo e Hysni, dhe se duhen spastruar nga diplomacia elementët e futur nga radhët e atyre militantëve që kanë luftuar në radhët e UÇK kundër vëllezërve serbë si Arkani e Nebojsha Pavkoviç, anëtarë të “loyalty club” të Beogradit dhe se minimalisht “në të ardhmen duhet të korrigjohen gabimet e bëra kundër vëllezërve serbë”.  Nga Astrit KOLA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›