E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush, takim me mikun Berluskoni

Silvio Berluskoni, Kryeministri italian, ofroi një kontribut më të madh të Italisë në misionet ushtarake të NATO-s në Afganistan, gjatë takimit me Presidentin amerikan, Xhorxh Bush, që po qëndron në Romë prej dy ditësh. Në këmbim, Berluskoni shpreson të marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kërkesën e Italisë, për përfshirjen në grupin 5 plus 1 të fuqive perëndimore që po merren me krizën e krijuar mbi ambiciet bërthamore të Iranit. Gjithsesi, diplomatët thanë se një gjë e tillë, ka pak gjasa të ndodhë. "Ka pasur kërkesa si nga zyrtarët amerikanë ashtu edhe nga zyrtarët e NATO-s për të gjitha vendet, që si pjesë e koalicionit në Afganistan, të intensifikohen përpjekjet dhe të rritet angazhimi atje", thanë ndihmësit e Bushit që po e shoqërojnë Presidentin amerikan në udhëtimin e tij në Evropë. Berluskoni, që është rikthyer në pushtet pas fitores së zgjedhjeve të prillit, është një aleat i deklaruar i Presidentit Bush. Ndërsa Franko Fratini, ministër i Jashtëm italian, kishte bërë të ditur që më herët se Italia po përgatit dërgimin e rreth 2360 trupave të saj ushtarake në Afganistan e madje në zonat më të rrezikshme të këtij vendi nëse një gjë e tillë do t‘i kërkohej nga NATO. Zyrtarët italianë të Mbrojtjes thanë gjithashtu, se rregullat për angazhimin e trupave italiane në Afganistan, do të bëheshin më fleksibile dhe se forcat ajrore italiane mund të dislokonin avionët ushtarakë "Tajfun" me qëllim që të mbrohen forcat e NATO-s nga ajri. Në bisedimet e zhvilluara në vilën "Madama", një vilë e këndshme e epokës së rilindjes që përdoret për pritjet qeveritare, Berluskoni mori mbështetjen e Presidentit Bush për përfshirjen e Italisë në ekipin e vendeve që po negociojnë me Iranin në lidhje me programin e tij bërthamor. Italia është në fakt partneri më i madh tregtar i Iranit në Evropë. Gjithsesi, të pyetur nëse Italia mund të bëhej pjesë e ekipit 5 plus 1, që përbëhet nga pesë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Rusia, Franca, Britania, SHBA-ja dhe Kina, plus Gjermaninë, këshilltarët e Presidentit Bush u përgjigjën: "Nuk mund të themi se një opsion i tillë është me të vërtetë realist". Bush, që mori pjesë më herët në Samitin BE-SHBA në Slloveni, si pjesë e turit të tij të fundit evropian në cilësinë e Presidentit, filloi vizitën e tij zyrtare në Romë mëngjesin e djeshëm, me një ndalesë në akademinë amerikane në "Janiculum Hill" dhe më pas pati një drekë me Presidentin Napolitano, në pallatin e Kuirinales. Sot, në axhendën e tij është parashikuar takimi me Papa Benediktin XVI para se të udhëtojë drejt Parisit dhe më pas drejt Londrës. Masat e sigurisë ishin të jashtëzakonshme në këtë vizitë në Romë, me 10 mijë policë të mobilizuar, një numër të madh rrugësh të mbyllura, fluturime të ndaluara mbi hapësirën ajrore romane dhe sinjale telefonash celularë të bllokuar, në qendër të qytetit. Protestuesit antiluftë, ndërkohë thonë se 10 mijë njerëz kishin dalë në marshimet paqësore të zhvilluara nga e majta dhe sindikatat e tregtisë që koinciduan me mbërritjen e Presidentit Bush në Romë, të mërkurën në mbrëmje. Gjithsesi, policia pohon se ka pasur vetëm 2 mijë marshues. Nuk janë regjistruar gjithsesi incidente të dhunshme. Për shumë banorë të Romës, vizita e Presidentit Bush do të thotë kaos në trafik dhe telashe të shumta pak ditë pas Samitit të Kombeve të Bashkuara mbi krizën e çmimeve, të javës së kaluar, për të cilin gjithashtu masat e sigurisë ishin të larta. Bush dhe bashkëshortja e tij, Laura, po qëndrojnë në rezidencën e ambasadorit amerikan, vila "Taverna", në një nga lagjet më të mira të Romës. Gjatë ditës së djeshme, në axhendën e Zonjës së Parë, Laura Bush, ishte ndërkohë një vizitë në zyrat e Programit Botëror të Ushqimit, me seli në Romë, që ofron ndihma emergjente për të zbutur urinë në botë. Ajo do t‘i bashkohet bashkëshortit sot, në Vatikan.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›