Guantanamo, dritë jeshile për apelet e të burgosurve
Të dyshuarit për terroristë që mbahen në Gjirin e Guantanamos, kanë të drejtën të apelojnë kundër burgosjes së tyre në gjykatat civile amerikane. Ky është vendimi i marrë dje nga Gjykata Supreme Amerikane dhe që përbën një tjetër shuplakë për administratën e Presidentit Bush. Gjykata Supreme ka rrëzuar me pesë vota pro dhe katër kundër një vendim të vitit 2006, që e kishte hequr një të drejtë të tillë. Nuk është e qartë ende nëse vendimi do të hapë rrugën edhe për seanca dëgjimi për të burgosurit. Rreth 270 persona mbahen në bazën ushtarake amerikane në Kubë, të dyshuar për terrorizëm dhe lidhje me Al-Kaedën dhe talebanët. Shtëpia e Bardhë ka thënë se po e shqyrton me kujdes këtë vendim të fundit dhe ende nuk ka bërë asnjë koment. Sipas gjykatës, të burgosurit në Guantanamo kanë privilegjin kushtetues të apelimit. Gjykatësit thonë se ligji dhe Kushtetuta janë të destinuara të mbijetojnë dhe të qëndrojnë në fuqi edhe në kohë të jashtëzakonshme. Kjo është e treta goditje për administratën "Bush", nga Gjykata e Lartë, që nga 2004, në lidhje me trajtimin e të burgosurve që mbahen pa afat dhe pa akuza në bazën e Kubës. Gjykata ka vendosur më herët se të burgosurit e Guantanamos mund të dalin para një gjykate civile për të kërkuar që qeveria të justifikojë mbajtjen e tyre të zgjatur në burg. Por, administrata "Bush" dhe kongresi, i kontrolluar asokohe nga republikanët, ndryshuan ligjin në mënyrë që të burgosurit të mbaheshin larg gjykatave civile.