Fati i Evropës, në duart e irlandezëve
Fati i traktatit për reformimin e Bashkimit Evropian, është tani në duart e zgjedhësve irlandezë. Irlanda është i vetmi vend i bllokut me 27 anëtarë, që zhvillon një referendum në lidhje me paktin që synon të modernizojë Bashkimin Evropian. Kryesuar nga Kryeministri Brajan Kouen, partitë më të mëdha politike, grupet e biznesit dhe ato të bujqësisë, kanë kryer një fushatë intensive në mbështetje të votës pro. Por, shumë prej mbështetësve të marrëveshjes kanë pohuar se teksti i komplikuar i saj, e ka bërë të vështirë "shitjen" e saj te zgjedhësit. Marrëveshja do të përcaktojë tani një President afatgjatë të Këshillit Evropian të liderëve të BE-së, një shef më të fuqishëm të politikës së jashtme, si edhe krijon një sistem më demokratik votimi e u jep më shumë zë parlamenteve kombëtare dhe atyre evropiane. Sondazhet e fundit të opinionit publik, thonë se rezultati është shumë i paparashikueshëm. Sipas ekspertëve, pjesëmarrja në votime do të jetë vendimtare, pasi Irlanda i ka shkatërruar njëherë planet e BE-së për zgjerim drejt lindjes, duke refuzuar traktatin e Nicës në 2001-in kur vetëm 35 për qind e elektoratit mori pjesë në votime. Traktati i Nicës u miratua gjithsesi në një votim të dytë, por politikanët e Irlandës, insistojnë se një përsëritje e votimit, këtë radhë, nuk është një opsion i vlefshëm. Në përfundim të ditës së djeshme, gjithsesi, nuk u regjistrua një pjesëmarrje e jashtëzakonshme në votim. Politikanët irlandezë thonë se BE nuk ka është në pozita rinegociimi, pasi Traktati i Lisbonës, është aktualisht një zëvendësim për Kushtetutën e "varrosur" më herët nga zgjedhësit në Francë dhe Holandë. Asnjë eksit poll nuk ishte planifikuar, pas referendumit e kështu, shefat e Bashkimit Evropian, janë detyruar të qëndrojnë me frymën pezull deri të premten kur edhe do të fillojë numërimi i votave. Sa për rezultatin, ai pritet të bëhet i ditur vetëm sot pasdite. Irlanda, në fakt, është shpërblyer jo pak nga anëtarësimi i saj në BE, 35 vite më parë, por ndjenjat e euroskepticizmit nuk kanë qenë asnjëherë më të larta se tani. Kjo për shkak se ekonomia e vendit, që lulëzoi në mes të viteve ‘90, së fundmi po duket shumë e brishtë, ndërkohë që borxhet e brendshme të vendit dhe çmimet në rritje të ushqimeve, po e rëndojnë akoma më shumë situatën. Shumë njerëz besojnë se ndryshimet e propozuara nga BE nuk janë shpjeguar siç duhet. "Për momentin, unë nuk jam i bindur, sepse mendoj se është një proces jo demokratik dhe shumë i paqartë ky që po na propozohet tani", thotë një irlandez. Por, një tjetër irlandez thotë: "Unë jam shumë pro-evropian, gjithnjë kam qenë. Mbaj mend kur kam qenë i ri, Irlanda ishte shumë e izoluar. Kam jetuar shumë kohë në Gjermani dhe mendoj se Evropa sjell vetëm të mira për Irlandën". Disa kritikë, thonë se nuk është e drejtë që Irlanda të thotë fjalën e fundit për paktin, pasi popullata e saj përbën më pak se 1 për qind të 490 milionë banorëve të bllokut. Eurodeputetja irlandeze, Marian Harkin, thotë: "Unë mendoj se në një mënyrë, zgjedhësit irlandezë nuk e pëlqejnë faktin se janë ata që po vendosin edhe për pjesën tjetër të Evropës. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe për t‘u vënë mbi shpatullat e kujtdo". 17 vende e kanë ratifikuar që tani marrëveshjen në parlamentet e tyre kombëtare, por liderët e BE-së druajnë se vende si Britania e Madhe, mund të pezullojnë procesin e ratifikimit në rast se Irlanda do të votojë kundër.