QSUT, gati kostot për pacientët
Pacientët që do t’i drejtohet spitalit më të madh të vendit, që është Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do të dinë me saktësi se sa do të jetë kostoja e kurimit të çdo sëmundjeje. Madje jo vetëm kaq, por me nxjerrjen e protokolleve të mjekimit, pacientët do t’i paguajnë ditët e qëndrimit në spitalin “Nënë Tereza”, njëlloj sikur të ishin në hotel, me lekë për çdo orë. Ndarja që do t’u bëhet pacientëve, përsa i përket pagimit të kostove, do të bazohet në të qenit i siguruar ose jo. Kështu, pacientët e siguruar nuk do të paguajnë për t’u vizituar dhe shtruar në spital, dhe do ta kenë thjesht për t’u informuar “faturën” e kostos së sëmundjes, ndërsa të pasiguruarit do t’i paguajnë deri në qindarkën e fundit lekët që do të shpenzohen për kurimin e tyre. Për të marrë udhë kjo reformë, pritet vetëm përfundimi i protokolleve të mjekimit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), që sipas drejtuesve të këtij spitali, do të jenë shumë shpjet gati për t’u zbatuar te pacientët. Nëndrejtori i QSUT-së, Mehmet Hoxha shprehet se ka mbetur vetëm një hallkë për t’u realizuar në këtë proces, i cili do të garantojë përfundimisht të drejtat që duhet të kenë pacientët. “Ky është një proces tashmë i standardizuar, i përfunduar. Ka ngelur hallka e fundit që është kostifikimi, pra nxjerrja e kostos për çdo sëmundje, nxjerrja e kostos për çdo pacient. Jo më kosto historike, por kosto reale. Këto protokolle ishin iniciativë e domosdoshme, paska e vonuar, por fatmirësisht u realizua. Do të garantojmë të gjitha të drejtat e pacientit”, - deklaron Hoxha. Por, përveç nxjerrjes së kostos së kurimit të çdo sëmundjeje, protokollet e mjekimit, sipas autoriteteve të QSUT-së, do të shmangin edhe abuzimet që mund të kenë bërë mjekët përsa i përket orientimit të pacientëve jashtë dyerve të spitalit, për të gjetur barna edhe kur ato kanë ekzistuar në spital. “Mjeku është i detyruar të ndjekë me skemë të përcaktuar mjekimin që nuk i lihet fiktivitetit, volumtorizmit apo dëshirave të njërit mjek apo të tjetrit dhe mjeku është i detyruar të punojë në ekip dhe ekipi është i detyruar të punojë në bazë të këtyre protokolleve. Kjo do të garantojë një listë më të plotë ekzaminimesh, një listë më të plotë trajtimi, më të duhur, më të nevojshme, më të padëmshme, por njëkohësisht edhe më pak të kushtueshme”, - shpjegon nëndrejtori i QSUT-së. Protokollet e mjekimit janë përgatitur për të gjitha shërbimet, duke u bazuar në modelet që ofrojnë spitalet europiane. Ato përfshijnë një sërë ekzaminimesh, por edhe trajtimesh që fillojnë nga barnat më të lira.