E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati: Ekonomia në rritje të rreme dyshifrore

Nënsekretari socialist për programin, Ervin Bushati, deklaroi dje se qeveria me nxitim të paprecedent, paraqet një rritje të dyshimtë ekonomike, që nuk afrohet fare me mirëqenien e qytetarëve të saj. Sipas tij, rritja ekonomike e propaganduar nga zërat qeveritarë është jashtë logjikës së shifrave dhe analizave të FMN dhe të Bankës së Shqipërisë për gjendjen e ekonomisë në Shqipëri. "Abuzimet me fondet publike nuk mund të rritin artificialisht as ekonominë e as nivelin e jetesës së qytetarëve, vetëm fryjnë xhepa zyrtarësh, por jo qytetarësh", theksoi Bushati. Socialistët pretendojnë se deklaratat e INSTAT që mbështetin parashikimet euforike të Kryeministrit, janë 2-3 herë më të larta se parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar. "Instituti në varësi të qeverisë nxitoi si asnjëherë më parë, të na japë pa mbaruar viti foton më optimiste që mund të kishte ekonomia shqiptare. Njësoj si në ‘epokën‘ komuniste, realizimi i planit të Kryeministrit është tejkaluar bindshëm nga institucionet vasale të qeverisë", deklaroi Bushati. Në këndvështrimin e selisë rozë, euforia patologjike e qeverisë na sjell përsëri parasysh shpejtësinë e pasurimit të kastës qeveritare në kurriz të varfërisë të familjes shqiptare. "E vërteta është që përfitimet e kësaj kaste të vogël janë nga fondet e taksapaguesve që përditë më shumë e ndiejnë peshën e abuzimeve qeveritare me fondet publike", u shpreh Bushati. Ajo që qeveria paraqet si rritje të mirëqenies ekonomike të qytetarëve, vijoi ai, është vetëm një gënjeshtër më shumë në prag të vitit elektoral, që do të ketë shumë të tilla në vijim. "Sa më shumë afrojnë zgjedhjet, aq më shpesh votuesit do të dëgjojnë të qena e të paqena nga kjo qeveri, që përpiqet të na mbushë mendjen, në vend të barkut, sesa mirë po jetojmë", tha Bushati. Partia Socialiste kujton qeverinë se në të vërtetë, këto rezultate të paqena vetëm sa ngulin një gozhdë më shumë në vuajtjet e familjes shqiptare, për sa kohë që ajo përpiqet të ushqehet, të shërohet dhe të mbijetojë para kësaj loje të dhimbshme, që shteti i vetë i vendos para derës së shtëpisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›