E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: Letra e SHBA-së paralajmërim për Berishën

Partia Socialiste ka reaguar sot ndaj letrës së ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për çështjet Europiane, Philip Gordon drejtuar qeverisë shqiptare. Në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së Ditmir Bushati theksoi se letra është një qëndrim i rikonfirmuar i qeverisë amerikane në lidhje me zgjidhjen e shpejtë të krizës politike dhe garantimin e pavarësisë së funksionimit të institucioneve.
Sipas tij letra është në të njëjtën kohë edhe mesazhi i Departamentit Amerikan të Shtetit i cili paralajmëron qartë aventurën e Sali Berishës për të vënë nën kontrollin personal çdo qelizë të shtetit të së drejtës, përfshirë edhe Shërbimin Informativ Shtetëror.
"Ankesat e qeverisë shqiptare ndaj qëndrimeve të Ambasadorit të SHBA-ve dëshmojnë një sharlatanizëm politik dhe mungesë sensi e përgjegjësie kombëtare, kur dihet nga praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare se një ambasador përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e vendit të vet. Qëndrimet e Ambasadorit në ikje ëithers dhe atij në ardhje Arvizu në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri ngjasojnë si dy pika uji, pasi nuk janë qëndrime personale, por qëndrimet e aleatit kryesor të kombit shqiptar, SHBA-ve" theksoi Bushati.
Ai shtoi më tej se Partia Socialiste rishpreh vlerësimin e saj për kontributin e Ambasadorit Withers në çuarjen përpara të marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona dhe posaçërisht ndihmën e tij për Shqipërinë në procesin e demokratizimit dhe integrimit euro-atlantik. Gjithashtu Bushati theksoi se PS-ja është e bindur se bashkëpunimi SHBA-Shqipëri do të thellohet më tej në sajë të angazhimeve të konfirmuara në Senatin Amerikan nga Ambasadori në ardhje Alexandër Arvizu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›