E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: “Maqedonia një test, para sfidës me Italinë”

Nga Dash Frashëri
INTERVISTE EKSKLUZIVE- "Në ndeshjen kundër Maqedonisë do të kem rastin të aktivizoj brenda 90 minutëshit të gjithë lojtarët e thirrur", kështu është shpprehur për Albania-sport.com, trajneri i Kombëtares U-21, Artan Bushati, pak para nisjes për në Durrës, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen miqësore kundër Maqedonisë, takimi i cili do të zhvillohet në Bitola të shtetit fqinj, më datë 28 mars, ora 14:00. Sot pasdite do të zhvillojë një stërvitje në Kompleksin stërvitor të Kamzës, pasi kanë ardhur vetëm lojtarët që luajnë në kampionatin shqiptar. Të hënën do të zhvillohet një stërvitje në një stadium, ku përparësi ka "Tofik Jashari" në Shijak". Gjithsesi sipas, ndihmësit të trajnerit Bushati, Eduard Zhupa, alternativë është edhe stadiumi "Ruzhdi Bizhuta" në Elbasan. Ditën e martë, më 27 mars ekipi U-21 do të udhëtojë për në Bitola. Në listën "Bushati", ishte shtuar edhe portieri i dytë i Dinamos, Birja, teksa tani bëjnë pjesë 13 lojtarë nga kampionati shqiptar dhe tetë futbollistë që militojnë në ligat e huaja të niveleve të ndryshme. Bushati, Shqipëria përgatitet për miqësoren e tretë brenda tri muajve të parë të vitit 2007. - Na ndihmojnë këto ndeshje për të evidentuar gjithmonë lojtarë. Në ndeshjen kundër Maqedonisë do të kem rastin të aktivizoj brenda 90 minutëshit të gjithë lojtarët e thirrur. Mbi këtë bazë do të gjykojmë dhe për lojtarët që aktivizohen në kampionatet e huaja, të cilët në këtë grumbullim janë me shumicë. Unë shrpesoj se ata do të japin vlerat e tyre, për të vendosur edhe për ata që do të pajisen me pasaportë shqiptare për t'i shërbyer fillimisht ekipit Kombëtar U-21 e më pas edhe pse jo për atë A. Kemi fituar me Turqinë (0-2) në Stamboll dhe humbëm me Greqinë (3-1) në Ahtinë. Cfarë pret trajneri i U-21 nga sfida me Maqedoninë? - Për të qenë i sinqertë, nuk më intereson shumë rezultati në këtë ndeshje. Rezultatin e ekipit e shikoj vetëm në eliminatoret e Kampionatit Europian 2009. Ne jemi në një periudhë grumbullimesh, përzgjedhjes së elementëve më të mirë dhe testimesh të vazhdueshme, për të zgjedhur edhe lojtarët kryesorë të ekipit Shpresa. Është e natyrshme që rezultatin do ta kërkojmë përmes lojës. A keni ndonjë informacion paraprak për ekipin e Maqedonisë? - Sigurisht, është normale. Megjithatë Maqedonia nuk bën pjesën në grupin tonë eliminator. Gjithsesi ne na interesojnë të posedojmë sa më shumë informacione të ekipeve që bëjnë pjesë në grupin tonë si Italia, Kroacia, Greqia. Kemi të regjistruar ndeshjen e ditës së shtunë, Angli-Itali, ndeshje të cilën tashmë e kemi në videokasetë dhe do ta studiojmë. Meqënëse hapëm temën e Euro 2009. Ndeshja e parë me Italinë (2/3 qershor 2007, në Itali), një takim që sigurisht do të përcillet me shumë vemendja nga media e të dyja vendeve. - Unë e kam shprehur dhe më parë se nuk do të doja ta nisja me Italinë, por tashmë ky është një fakt. Unë them se ne do të synojmë për të bërë më të mirën, që të shfaqemi sa më dinjitozë në Itali. Ka disa lojtarë që thirren për herë të parë në listën tuaj si Ujkani, Neziraj, Leskovci dhe Rrudho. Sa beson Bushati te roli i tyre? - Për Rrudhon tashë më duhet të pranoj se është një lojtar i konfirmuar përderisa ai luanë në Serinë A me Kievon. Ai ka pasaportë shqiptare dhe është praktikisht më lehtë. Unë besoj dhe tre lojtarët e tjerë të thirrur kanë vlera, të cilat i kanë treguar edhe më parë në grumbullimin e dhjetorit të vitit të kaluar. Detyra ekipit Shpresa është evidentimi i lojtarëve cilësorë dhe filtrimi i këtyre lojtarëve për t'i shërbuer sa më mirë ekipit Kombëtar A.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›