E Martë, 3 Nëntor 2026

Bushka: Opozita nuk ka të drejta të pakufizuara për komisionet hetimore

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, deputete  e PS, Klotida Bushka duke i’u përgjigjur pedagogut  të së drejtës Kushtetuese Neritan Alibali, u shpreh se është e drejta e opozitës për të kërkuar ngritjen e komisioneve hetimor por kjo nuk është një e drejtë e pakufizuar por duhet të jetë brenda caqeve kushtetuese.

Në studion e emisionit “3D” në RTSH 1, deputetja e PS-së, u shpreh se , “janë dy momente në lidhje me komisionet hetimore. Një është parashikimi kushtetues për sa i takon kritereve për të ngritur komisionet hetimore, dhe këtu është e drejtë e një pakice parlamentare që ta kërkojë komisionin”.

Por sipas saj, “nuk është një e drejtë e pakufizuar por duhet të jetë brenda caqeve kushtetuese. Më pas ka të bëjë me mënyrën se si ushtrohet puna në një komision hetimor.  Pr/ligji që kemi paraqitur ka të bëjë me faktin se si zbatohet e drejta për një komision hetimor në momentin që ai është ngritur” u shpreh deputetja Bushka.

Nga ana e tij pedagogu Alibali  replikoi me kreun e Komisionit të Ligjeve duke thëne se, “ky ligj është një ligj procedural. Efektet e këtij ligji fillojnë pas ngritjes së komisioneve hetimor. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese , komisionet hetimore janë instrumente të kontrollit që opozita parlamentare i bënë qeverisë. A nuk është kjo marrje e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar objektin e hetimit të një komisioni hetimor të kërkuar nga opozita. Kuvendi nuk mund ti marri këto tagra por është Gjykata Kushtetuese ajo që mund të bëjë interpretimin”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›