E Shtunë, 31 Tetor 2026

Busti i Apolonisë, më i veçanti në Mesdhe prej 50 vitesh

Bëhet fjalë për bustin e plotë të një atleti, i gjetur në një formë optimale (tërësisht e paprekur) dhe që sipas arkeologëve franko-shqiptarë të ekspeditës arkeologjike në Apoloni, i përket periudhës romake. Busti i atletit, sipas arkeologut francez Jean-Luc Lamboley, u gjet në një kanal që lidhte vilat romake të shekullit të III-të Pas Krishtit, në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë në sektorin “G” të saj, i ndodhur në pjesën veriperëndimore të qytetit antik.

Sipas arkeologut francez, “gjetja më e re në Apoloni është gati e paprekur, gati-gati sikur ajo statujë të jetë punuar pak kohë më parë nga ndonjë punishte”. Për vlerat e saj Lamboley ka shtuar se “artistikisht është një kryevepër, e konservuar në kushte të shkëlqyera”.

“Dua të shtoj se jemi tejet fatlumë, pasi u shpërblye puna jonë gati 15-vjeçare. Duhet ta kuptoni se keni diçka unike të gjetur në botë dhe specialistët e kësaj fushe të periudhës romake duhet të vijnë këtu për të shikuar nga afër statujën e gjetur së fundmi”. Sipas profesor Lamboley, “Apolonia antike ka qenë qyteti më i madh grek në territorin shqiptar, e më pas u zhvillua si një qytet tejet i pasur. Statuja e gjetur mendohet se i përket një familjeje aristokrate”.

Prof. Lamboley dhe ekspedita e përbashkët franko-shqiptare ka rënë në gjurmët e hershme edhe të një tempulli arkaik të Horës së Apolonisë, në perëndim të mureve të qytetit antik. Vendndodhja e tempullit të zbuluar është në një distancë të shkurtër nga fshati Pojan dhe pikërisht, në pronat e familjes së Bonjakëve.

Tempulli i ndërtuar me gurë gëlqerorë, i panjohur nga gërmimet arkeologjike të mëparshme, i ka çuar specialistët në pretendimet paraprake se prej andej janë prodhuar një numër i madh terakotash, të njohura ndryshe si figurina. Këto tregojnë se ndërtesa e shenjtë i është dedikuar një perëndie të rëndësishme për qytetin, që sipas arkeologëve mund të jetë perëndia Artemis apo Apolloni.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›