E Shtunë, 31 Tetor 2026

Butrint, thellohet bilanci tragjik

Thellohet bilanci tragjik i ngjarjes së Butrintit. Ndërsa kërkonin trupin e një 18-vjeçari nga Lushnja, i cili ishte i vetmi që ishte shpallur zyrtarisht i humbur, palombarët kanë gjetur dje dy trupa të tjerë. Janë dy të rinj, 20 dhe 25 vjeç, emrat e të cilëve as që ekzistonin në listat e publikuara nga policia një ditë pas ngjarjes.

Pas apelit që bënë përmes ekraneve dhe faqeve të gazetave një ditë më parë familjarë të 17-vjeçarit Ndriçim Myftari nga fshatrat e Lushnjës, e marta deri në pasdite ka qenë një ditë kërkimesh intensive në liqenin e Butrintit. Dy skafe të policisë transportonin specialistë të forcave RENEA, me profil palombarë, të cilët kanë kryer me interval disa zhytje gjatë ditës së djeshme. Zona përballë Portës së Luanit, në qytetin antik të Butrintit, ka qenë në qendër të kërkimeve të tyre. Ndërkohë që operacioni është mbështetur nga uniforma të RENEA-s e të komisariatit të policisë së rendit e asaj kufitare të Sarandës.

Në vendin e quajtur Vila e Peshkatarit, zona që rrethon "teatrin" e ngjarjes, në bregun tjetër, ku klandestinët synonin të arrinin pas lundrimit me varka, kanë qenë të pranishëm tërë ankth Ylli dhe Bashkim Myftari, përkatësisht i ati dhe xhaxhai i 18-vjeçarit lushnjar, që janë bërë shkas për organizimin e kërkimeve me palombarë prej ditës së hënë.

Pas disa orësh kërkim të mundimshëm nën ujë, nga grupi i pesë palombarëve vjen lajmi se kanë hasur në një trup. Veshja me pantallona xhins dhe me bluzë të zezë ka bërë të shpresohej se ishte bërë e mundur gjetja e Ndriçimit. Kanalet televizive raportuan se ishte ai që kërkohej. Por ngjarjet kanë marrë rrjedhë tjetër, kur babai i Ndriçimit, Ylli Myftari, që ka këqyrur kufomën, ka mohuar që ai të jetë djali i tij. Është menduar se ai i përkiste një 30-vjeçari, ndërkohë që nuk kishte asnjë dyshim se edhe ai është pjesë e viktimave të tragjedisë së Butrintit.

Ndërkohë që kufoma është mbajtur në molin e peshkatarëve, në pritje për ta nisur në morgun e spitalit të Sarandës, një inkursion i dytë i nënujit ka nisur nga palombarët. Shoqëruar nga lutjet e njerëzve të adoleshentit lushnjar, palombarët kanë veshur përsëri kostumet dhe të dy skafet e policisë janë nisur në zonën ku klandestinët e mbijetuar kanë thënë se ka ndodhur tragjedia. Moti ka qenë mjaft i favorshëm për këto kërkime, pasi zhytja është bërë në kushtet e mungesës së plotë të dallgëzimit. Rreth orës 13:00, thirrja për një gjetje të re ka ardhur nga grupi i palombarëve. Zërat që vinin prej tyre dhe komunikonin me dhjetëra të interesuar që prisnin me ankth në breg, thoshin se trupi i dytë mbante veshur një palë tuta sportive dhe atlete me qafa. Flokët në ngjyrë gështenjë dhe një nishan në fytyrë, afër buzës së poshtme, që dhanë si detaje në moment policët e skafeve, ka sjellë sërish një zhgënjim të ri për familjarët e Ndriçim Myftarit. Mosha e tij gjithashtu është përcaktuar në kufijtë 24-25 vjeç. Të dy kufomat janë transportuar për në morgun e qytetit të Sarandës. Hamendësimet rreth identitetit të tyre kanë qenë të shumta. Njëra prej tyre është thënë se i përket një trafikanti nga Saranda, ndërsa për tjetrën është menduar se është e Dashamir Manes nga Fieri. Vetëm pasdite policia doli me deklaratë zyrtare për identitetin e dy viktimave. Ata janë Amarildo Kuko, 20 vjeç dhe Fatos Hoxha, 25 vjeç, që të dy nga Fieri.

Dy orë pas gjetjes së këtyre dy trupave, rreth orës 15:00, operacioni i kërkimit është ndërprerë nga palombarët. Shkak është bërë lodhja e tyre, por edhe informacioni që kanë ofruar hidrologët për regjimin e ujërave në Kanalin e Butrintit. Sipas tyre, në pjesën e parë rryma e ujërave është me orientim për nga deti, ndërsa në pjesën e dytë të ditës në kah të kundërt.

Pasi ka mësuar se në Komisariatin e Sarandës ka mbërritur me helikopter mesditën e djeshme zoti Ahmet Prençi, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtori i përgjithshëm i Krimeve, Agron Kuliçi, babai i 17-vjeçarit Ylli Myftari, në rraskapitjen e përditshme sa në Butrint në Sarandë, ka pritur para dyerve të Komisariatit të Sarandës për të takuar autoritetet e larta dhe për t‘u bërë atyre edhe një lutje direkte.

Një baba mes ankthit dhe zhgënjimit

Familjarë të një familjeje të këputur nga Lushnja kërkojnë djalin e vetëm, që kishte mbushur vetëm 18 vjet në jetë. "Më vjen mirë që u bëra shkak të gjendeshin njerëz të tjerë të Zotit, por edhe unë e dua me çdo kusht tim bir", tha ai për "Shqip", duke shtuar se "shteti lëshon profka për lehtësimin e sistemit të vizave e për aq e kaq vende pune, por fukarallëku në Shqipëri nuk bie thjesht sherrin, por tragjedinë, humbjet e jetëve, për të cilat askush nga shtetarët nuk ndihet fajtor. Unë jam fukara e familje e këputur, por edhe filli, mirë thonë, atje ku është më i hollë këputet. Shpresoj që nesër të nisë prapë zhytja e palombarëve dhe djali të më dalë e t‘ia shoh edhe një herë fytyrën e bukur…".

Deklarata

Zëdhënësi Branko: Po mbledhim informacione nga të gjitha rrethet për persona të humbur

Policia: Nuk e dimë numrin

e të mbyturve në Butrint

Policia nuk ka ende ide të qarta mbi numrin e personave që mund të kenë humbur jetën në kanalin e Vivarit, që lidh liqenin e Butrintit me detin Jon. Gjetja e dy kufomave të tjera dje ka zbuluar se policia nuk ka pasur informacion të plotë për numrin e personave që ndodheshin në varkën e mbytur, apo që policia nuk ka qenë transparente në komunikimin me publikun në lidhje me këtë ngjarje.

Zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Klodian Branko, doli dje në një konferencë për shtyp, ku sqaroi se aktualisht është e pamundur të përcaktohet numri i saktë i personave të humbur në tragjedinë e Butrintit. Zëdhënësi deklaroi mes të tjerash se: "Nisur nga vështirësitë e hasura për të pasur numrin e saktë të të mbyturve, sqarojmë se personat e shoqëruar janë grumbulluar nga organizatorët e këtij kalimi të paligjshëm të kufirit, nga zona të ndryshme të vendit, të cilët nuk kanë njohje me njëri-tjetrin. Veprimet hetimore për këtë çështje vazhdojnë intensivisht, kërkimet në vendin e ngjarjes vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë. Nga veprimet e deritanishme, nuk na rezulton të kemi viktima të tjera, megjithatë vazhdojnë komunikimet me të gjithë komisariatet e policisë në vend për marrjen e informacioneve nga të gjitha zonat, për njerëz të denoncuar si të humbur, ose të nisur drejt shtetit grek ditët e fundit, për të na orientuar në hetimin e plotë të çështjes".

Ndërkohë, zëdhënësi i policisë deklaroi dje se nga hetimet e deritanishme janë zbuluar personat që organizuan udhëtimin tragjik të së dielës. Ai tha se deri dje në mbrëmje janë shoqëruar dhe pyetur në Komisariatin e Policisë 27 persona. Nga deklarimet e tyre rezulton se organizatorët, rekrutuesit, transportuesit dhe strehuesit e këtyre shtetasve që do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme janë shtetasit: Dashamir Mane, Brahim Madhi, Hyqmet Sollaku, Albert Gega, Bashkim Sena dhe Ahmet Bushi. Dy nga këta persona janë arrestuar menjëherë pas tragjedisë, ndërsa të tjerët janë shpallur në kërkim policor. Zëdhënësi i policisë sqaroi gjithashtu se kërkimet për 18-vjeçarin Ndriçim Myftari do të vazhdojnë, pasi nga deklarimet e personave të shoqëruar, hidhen dyshime se ai mund të jetë mbytur.

Dy familje presin trupat e djemve. Të afërmit e Festim Hoxhës: Iku të bënte para për dasmën e motrës

Tragjedia e Butrintit, hapet vaji në Fier

Tragjedia e Butrintit ka prekur edhe dy familje të tjera. Dy viktimat e gjetura dje në thellësitë e kanalit të Vivarit në Butrint janë banorë të rrethit të Fierit. Ky informacion ka ardhur në Komisariatin e Policisë Fier, nga policia e qytetit jugor të Sarandës. Pasditen e djeshme, Policia e Sarandës ka kërkuar prej asaj të Fierit që të bëjë verifikimin për dy personat, të dhënat e të cilëve ka mundur t‘i gjejë pas nxjerrjes së trupave të pajetë nga uji. Burimet zyrtare policore tregojnë se një prej viktimave është Festim Hoxhaj. Me këtë identitet në Fier kanë qenë dy persona, një në fshatin Drizë dhe një tjetër në fshatin Vidhishtë të Komunës Kuman. Policia lokale konfirmoi se një prej viktimave është Festim Hoxhaj, lindur e banues në fshatin Vidhishtë të Komunës Kuman. Ai është djali i vetëm i familjes Hoxhaj, vëlla i katër motrave, njëra prej të cilave këtë verë do të martohej. Kryeplaku i fshatit Vidhishtë, Skënderi, tha dje për gazetën "Shqip" se: "Festim Hoxhaj njihej si djalë punëtor dhe rrjedh nga një familje e varfër". Në familjen e 27-vjeçarit Hoxhaj morti është hapur pasditen e djeshme, kur policia lokale ka shkuar për verifikim dhe u ka kërkuar familjarëve të dhëna më shumë për Festimin. Më pas mësohet që inspektori i fshatit i ka treguar të atit të Festimit, Kadriut, për fatin e djalit. Nëna e Festimit mësohet se vuan prej vitesh nga zemra dhe njoftimi i saj për tragjedinë ka qenë i vështirë. Ndërsa i ati, Kadriu, dhe disa bashkëfshatarë janë nisur për në Sarandë, për të marrë trupin e pajetë të të riut, nëna është çuar me urgjencë në spital, pas një goditjeje në zemër. Motrat dhe pak të afërm në fshat kanë hapur dyert dhe presin ngushëllime. Festimi, me arsim 8-vjeçar, kishte punuar në ndërtim dhe në bujqësi. Ai kishte provuar disa herë të shkonte në Greqi, por pa sukses. "Kishte vendosur që të punonte disa muaj për të ardhur në verë, me qëllim që t‘i bënte dasmën motrës. Ndërsa për veten e tij dasmën e kishte lënë për më vonë, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të familjes", thotë një prej kushërinjve të Festimit. Historia e Festimit nuk ndryshon nga ajo e të gjithë emigrantëve të tjerë që sfidojnë rrezikun për një jetë më të mirë.

Edhe në familjen e Amarildo Kukës, dyert e mortit janë hapur dje. Të afërm të familjes po e mbajnë derën hapur, pasi prindërit e 20-vjeçarit janë nisur për në Sarandë.

Qarku i Fierit është prekur me dy viktima nga tragjedia e Butrintit, ndërsa edhe 13 nga të mbijetuarit dhe një i zhdukur janë nga po ky qark.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›