E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkojnë ndihmë në polici, por dhunohen nga inspektori

Atë e bir, Agron dhe Përparim Muça, janë bërë objekt i dhunës policore mbrëmjen e së hënës. Ata kanë shkuar në Komisariatin e Policisë së Fierit për të kërkuar ndihmë, pasi ndiheshin të kërcënuar, janë pyetur nga inspektori i rendit Viktor Muçaj, janë futur në dhomat e paraburgimit dhe gjatë qëndrimit për disa orë në to janë dhunuar. Dhuna ndaj babait dhe të birit mësohet të jetë ushtruar në prani të dy efektivëve të tjerë të policisë, të cilët duhet të deklarojnë para SHKB-së dhe prokurorisë si dëshmitarë okularë, kjo për faktin se të dhunuarit kanë kryer padi në këto dy organe hetimi.

Dhuna

Agron dhe Përparim Muça, përkatësisht 59 dhe 26 vjeç, mësohet të jenë dhunuar dy net më parë në mjediset e komisariatit. Konfirmohet nga dy të dhunuarit, se mes tyre dhe inspektorit të rendit nuk ka pasur asnjë shkak që ta shtynte deri në këtë dhunë çnjerëzore. Përparim Muça, 26-vjeçari i dhunuar, ka thënë për "Shqip" se ka qëndruar në mjediset e policisë pa asnjë shkak për më shumë se 8 orë. "Unë kam shkuar së bashku me babanë për ndihmën e policisë dhe kam rënë pre e dhunës dhe e paaftësisë së policëve. Gjatë qëndrimit tim në mjediset e policisë, inspektori Viktor Muçaj më ka qëlluar me shqelma e grushte. Në shumë raste ka përdorur edhe mjete të forta si shkopinj e dru e çfarë gjendej në zyrë. Dhuna e tij ndaj meje ka zgjatur për disa orë, por objekt i dhunës është bërë edhe im atë, që është i moshuar e i sëmurë", tregon për "Shqip" djali i dhunuar.

Rrëfimi

Përparimi tregon në prononcimin e tij edhe shenjat që i ka lënë polici. Ato janë të dukshme në shpinën e tij, si dhe në nofull, e cila ka filluar të enjtet. Gjithashtu, me shenja të ngjashme të dhunës është edhe i ati i 26-vjeçarit, i cili tregon se "inspektori i rendit më merrte fytyrën dhe me dy duart e tij ma rrotullonte sikur ajo të ishte top". Kjo u përsërit disa herë, ndërsa më futi edhe thonjtë në nofulla. Ja i shihni si më janë ënjtur". Mësohet nga Agroni se djali i tij i rrahur nga inspektori i rendit është me epikrizë. "Përparimi vuan nga mushkëritë. Ai heq në mënyrë kronike ujë nga mushkëritë. Ka lindur me këtë defekt dhe vijon të vuajë", tregon i moshuari, ndërsa thotë se për këtë çështje do të shkojë deri në Ministrinë e Brendshme. Dhuna mësohet të ketë përfunduar pak minuta pas mesnatës së kaluar. Menjëherë pas daljes nga policia, atë e bir i janë drejtuar spitalit, ku kanë marrë ndihmë mjekësore deri paraditen e së martës.

Zanafilla

Rreth mesditës së hënë në familjen e Agron dhe Përparim Muçës, në lagjen "Kryengritja e Fierit", kanë shkuar dy persona që ata nuk i njihnin dhe mësohet se kanë kërkuar prej tyre një sasi lekësh. Madje, dy personat e panjohur kanë lënë edhe afat, orën 14:00. Menjëherë Agroni ka telefonuar te salla e komandës së Policisë Fier, tek numri 129, ku nuk i përgjigjej askush. Së bashku me të birin e tij, Përparimin, i drejtohet komisariatit. Aty takon inspektorin e lagjes ku dhe banon, Hetem Brakën, të cilit i bëjnë prezent shqetësimin. Ndërsa inspektori Braka ishte duke dokumentuar shqetësimin e dy familjarëve, ndërhyn inspektori tjetër Viktor Muçaj, i cili nën forcën e uniformës i detyron Agronin dhe Përparimin të hyjnë në mjediset e brendshme të policisë. Aty mësohet të kenë qëndruar që nga ora 15:00 deri në mesnatë, ku dhe janë dhunuar.

Denoncimi

Pas daljes nga policia, rreth mesnatës, si dhe pas mjekimit përgjatë gjithë orëve të para të mëngjesit dhe të paradites, atë e bir i janë drejtuar Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, ku kanë kërkuar takim me kreun e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Bajram Bashkëshkurti. Nga burimet konfirmohet se janë takuar me kreun e SHKB-së dhe kanë denoncuar tek ai dhunën e efektivit të policisë, si dhe kanë paraqitur për kreun e SHKB-së raportin mjekësor dhe epikrizën. Zyrtarisht nga SHKB-ja mësohet se ka nisur hetimi për inspektorin Viktor Muçaj. Gjithashtu, dy personat e dhunuar kanë kryer kallëzim për dhunë edhe pranë Prokurorisë së Fierit.

Reagimi

Zyrtarisht Policia e Fierit ka pranuar ngjarjen që ka ndodhur me familjarët Muça. Në reagimin për gazetën "Shqip", zyra e informacionit dhe e marrëdhënieve me publikun ka dalë në prononcimin se është ushtruar dhunë. Denoncimi i Agron dhe Përparim Muçës është marrë në shqyrtim edhe nga krerët e policisë. Këta të fundit janë duke zbardhur shkaqet. Nga komunikimi i parë me inspektorin që lakohet për ushtrim dhune, mësohet se 26-vjeçari Përparim Muça dyshohet si autor i vjedhjes së disa zamzaneve dhe shisheve me verë në lagjen "Qënas". Për të pranuar akuzën, edhe pse ai ka ardhur për ndihmë në polici bashkë me të atin, ndaj tij është ushtruar presion psikologjik dhe ndoshta dhunë, por kjo e fundit po zbardhet". Si shkak i presionit dhe dhunës nga ana e uniformave blu të Qarkut të Fierit, plot 12 raste është duke hetuar Prokuroria e Rrethit Fier e Lushnjë. Shumë nga rastet që po hetohen janë bërë publike edhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në këtë drejtori.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›