Reaksioni u shkaktua nga tretësi fiziologjik
Mjekët e spitalit të Korçës deklarojnë se shkaku për prekjen nga reaksioni i tetë pacientëve të pavijonit të kardiologjisë ka qenë solucioni fiziologjik. Shishja me tretësin dhe kampionet i kanë kaluar laboratorit të qendrës sanitare për mbjellje në rast se rezulton tretës i infektuar. Lajmi bëhet i ditur nga ana e shefit të shërbimit kardiologjik pranë spitalit, Ilia Skëndi, dhe drejtorit Ilia Jatagani. Sipas tyre, pritet përgjigjja e analizave laboratorike, të cilat do të thonë edhe fjalën e fundit në rast se tretësi ka pasur ngarkesa të dëmshme bakteriale apo ka qenë i infektuar. Spitali i Korçës është vënë në gjendje alarmi, kur, të paktën tetë persona që trajtohen në kushtet spitalore në repartin e kardiologjisë, kanë pësuar reaksion nga ilaçi. Siç pohojnë mjekët e spitalit, ata janë duke u trajtuar në vijimësi, edhe pse e kanë kaluar gjendjen kritike, menjëherë pas ndërhyrjes nga ekipi i mjekëve specialistë. Shefi i pavijonit të kardiologjisë, Ilia Skëndi, sqaron se shkaku i reaksionit ishte solucioni fiziologjik, pasi medikamentet me të cilat trajtohet çdo pacient janë të ndryshme, ndërsa tretësi ka qenë i njëjtë dhe i përbashkët. "Ka pasur tetë pacientë në pavijonin e kardiologjisë, të cilët kanë pësuar një reaksion pirogen me dridhje dhe temperaturë të lartë. Reaksioni për pacientët e pavijonit ka ndodhur te të sëmurët kardiakë, të cilët kishin marrë mjekim, ku ishte përdorur si tretës solucioni fiziologjik. Për tretjen e medikamenteve është përdorur solucion nga e njëjta shishe, pasi të tjerat kanë rezultuar të rregullta dhe nuk kanë shkaktuar probleme shëndetësore. Por solucioni i njërës prej shisheve të tretësve, që është përdorur te tetë pacientë që marrin mjekime me medikamente të ndryshme, ka shkaktuar reaksionin pirogen. Nisur nga ky fakt, pasi kemi bërë ndërhyrjen e menjëhershme me një ekip të gjerë mjekësh specialistë për të përmirësuar shëndetit e të prekurve nga reaksioni, është bërë edhe bllokimi i shishes përkatëse që ka pasur solucionin fiziologjik", tregon shefi i shërbimit kardiologjik, Ilia Skëndi. Ai ka përjashtuar dyshimin se mund të ketë qenë një gabim njerëzor nga ana e infermierëve që ka çuar në këtë situatë, duke konfirmuar se, në fakt, shkaku i reaksionit ka ardhur nga solucioni fiziologjik që përdoret për tretjen e ilaçeve. Kampione të kësaj shisheje që është bllokuar nga mjekët dhe titullarët e spitalit, janë dërguar në laboratorin e qendrës sanitare për analiza. Solucioni fiziologjik, sipas drejtorit Jatagani, vjen steril dhe i kontrolluar dhe ky ka ardhur me furnizimet e fundit, por mes kutive që vijnë të mbyllura, njëra nga shishet që përdoret për tretjen e medikamenteve ka shkaktuar këtë situatë të rëndë. Për këtë arsye, nga ana e spitalit po kryhen edhe verifikime për furnizimin, edhe pse solucioni ka ardhur në sasi të mëdha dhe deri më tani nga përdorimi nuk ka shkaktuar efekte anësore përveç këtij rasti.