Buxheti 150 milionë lekë, fituesit pas një jave
Fondi i Ekselencës
Ata që nuk firmosin deklaratën që do të punojnë në atdhe dhe mungojnë për një muaj humbasin përfitimin
Të dhëna
Penalizmi - Në rast se fituesit thyejnë rregullat e paracaktuara më parë nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, ata nuk do të marrin paratë e financimit
Deklarata - Para nisjes së studimeve në një nga universitetet e huaja, fituesit do të nënshkruajnë dokumentin ku të pohojnë se do të kthehen të punësohen në atdhe
Vështirësitë - Një pjesë e mirë e kandidatëve, të cilët kanë dashur të punësohen në vend kanë kërkuar mbështetje nga ministri Myqerem Tafaj, pasi nuk kanë mundur të punësohen me forcat e tyre
Paratë e vendosura në dispozicion për studentët e shkëlqyer shqiptarë, të cilët plotësojnë kriteret për thellime studimesh në universitetet më të mira në botë, janë gjetur për këtë vit.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, ka deklaruar se janë plot 150 milionë lekë, të reja të cilat do tu shpërndahen më të mirëve.
Dje është mbyllur afati i fundit i aplikimeve, ndërkohë që njoftohet se fituesit do të shpallen pas një jave.
Fituesit e bursave do të nënshkruajnë një deklaratë ku të thonë se pas përfundimit të studimeve do të kthehen për të punuar në atdhe. Në rast se ata nuk frekuentojnë për një muaj ose kanë rezultate mbi notën 8 atë herë u hiqet bursa.
Studentët e viteve pasardhëse kanë deklaruar se paratë që duhet të merrnin në llogari nga Ministria e Arsimit nuk u janë derdhur në kohë, por ky vit, para zgjedhjeve elektorale të muajit qershor duket se është çelur më i mbarë për studentët e shkëlqyer dhe paratë e tyre do të hidhen në llogaritë përkatëse në kohën e duhur, pavarësisht fatit të keq të kolegëve të tyre.
Qëllimi kryesor ka qenë ngritja e kapaciteteve në sektorin e arsimit të lartë duke mundësuar eksperiencat më të mira perëndimore. Janë duke kontribuuar në sektorë të ndryshëm, kryesisht në sektorin e arsimit të lartë, por edhe në sektorë të tjerë, të cilët kanë qenë prioritet për zhvillimin e ekonomisë në vend, deklaroi dje Edlira Late, drejtoreshë e arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Dje u shënua edhe mbyllja e aplikimeve për fondin e ekselencës. Edhe këtë vit, kanë qenë të shumta kërkesat për të përfituar bursa shkollimi nga ky fond vlera e të cilit shkon në rreth 150 milionë lekë. Gara për të përfituar paratë për studime të thelluara apo për ciklet e parashikuara nga strukturat arsimore që e ngritën këtë mënyrë financimi, nuk është e lehtë.
Kriteret janë 15 universitetet më të mira, pra kandidati duhet të jetë i pranuar në 15 universitetet më të mirë sipas klasifikimit të Times High Education, sqaron Late.
Lista përfundimtare e kandidatëve të përzgjedhur dhe masa e bursës për secilin prej tyre miratohen nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, pas nënshkrimit të deklaratës, për kthim të detyruar dhe punësim në Shqipëri. Në rastet kur rregullat shkelen të rinjtë penalizohen. Kush nuk i frekuenton studimet për më shumë se një muaj, humb të drejtën e bursës. Të njëjtin penalizim marrin edhe ata studentë që vlerësohen me notë më të ulët se tetë. Në vitin 2007, për herë të parë qeveria shqiptare caktoi një fond të veçantë në dispozicion të studentëve më të shkëlqyer shqiptarë, të diplomuar në universitetet e vendit apo të huaja, me synim mbështetjen e tyre për të vazhduar studimet doktorale e postdoktorale në universitete apo qendra kërkimore të njohura perëndimore. Pavarësisht deklaratës së nënshkruar nga studentët që përfitojnë nga fondi i ekselencës, nga viti në vit është parë vështirësi e madhe për punësimin e tyre në kohën e kthimit nga universitetet e huaja.
Dy vjet më parë, një grup studentësh i dërguan kreut të Ministrisë së Arsimit, Myqerem Tafaj, një shkresë ku i kërkonin ndihmë për të lobuar në administratë për punësimin e tyre. L.Mixha
Ekselenca
Fondi i 2012-s, ende peng i qeverisë
Fondi i Ekselencës nuk është lëvruar ende nga qeveria shqiptare, ndonëse 1 vit me vonesë. Edhe pse lista e fituesve është shpallur që në muajin korrik, fondi mbahet ende peng nga institucionet përgjegjëse, shumë që kap vlerën e rreth 3 milionë eurove.
Çoroditja që ka nxitur ky fakt te përfituesit vështirë se shpjegohet me fjalë, ndërsa pasojat janë të dukshme kur numëron studentët e kthyer. Duke mos pasur paratë në dorë ato nuk kanë arritur ti paguajnë këstet në datat e përcaktuara nga universitetet më të mira të botës, ku edhe nisën studimet, për shkak të bursës që shteti u premtoi.
Skandali ka çorientuar studentët ekselentë, të cilët janë përfitues të këtyre bursave, aq sa jo vetëm 1, por disa prej tyre kanë lënë përgjysmë studimet. E kundërta ka ndodhur me disa të rinj, që për shkak të gjendjes së mirë financiare kanë arritur ti paguajnë privatisht studimet. Mirëpo, mësohet se ka edhe nga ata prindër, të cilët kanë marrë kredi, vetëm e vetëm që fëmijët e tyre të mos kthehen të zhgënjyer aty ku ishin.
Përfituesit e parë zyrtarë të këtij fondi për vitin e kaluar akademik ishin rreth 80 të rinj, studentë që kanë përfunduar studimet bachelor apo master, por sot kjo listë është reduktuar, për të mos thënë që janë përjashtuar mbi 30% e tyre. Sh.Me
Buxheti 150 milionë lekë, fituesit pas një jave burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email