Buxheti 2010, të ardhurat nga ISSH, 53.7 milionë lekë
Për vitin 2010 të ardhurat e fondit të sigurimeve shoqërore të detyrueshme e suplementare programohen 53.757 milionë lekë. Në total rritja e të ardhurave krahasuar me PBB parashikohet rreth 0.1%. Në këtë rritje rreth 5.214 milionë lekë parashikohet të jetë efekti pozitiv nga rritja e numrit të kontribuuesve (nëpërmjet rritjes së nivelit të punësimit dhe uljes së evazionit të kontributeve) ndërsa si efekt i rritjes së bazës kontributeve (pagës mesatare mbi të cilën paguhen kontributet) parashikohet një rritje e të ardhurave me rreth 1.800 milionë lekë.
Të ardhurat nga kontributet e subjekteve buxhetore për vitin 2010 janë programuar 16.580 milionë lekë . Ato zënë 31% të të ardhurave gjithsej ose rreth 1.3% e PBB. Parashikohet të ketë një rritje ndaj të pritshmit 2009, me rreth 5% ose afërsisht sa është parashikuar mesatarisht edhe rritja e nivelit të pagës.
Të ardhurat nga subjektet jobuxhetore programohen në nivelin e realizimit të pritshëm të vitit 2009, duke zënë rreth 0.2% e PBB ose rreth 6% e të ardhurave të parashikuara.
Në këto subjekte, megjithëse parashikohet një ulje e numrit të kontribuuesve, për shkak të privatizimeve, ulja e të ardhurave mbulohet me efektet e rritjes së bazës së kontribuuesve (rritjes normale të pagave).
Të ardhurat nga subjektet private programohen në shumën 31.720 milionë lekë, të cilat zënë në total 2.4 për qind të PBB-së dhe janë baza e financimit të fondit, pasi së bashku me kontributet e sektorit të të vetëpunësuarve në fshat, zënë 63% të të ardhurave të fondit të sigurimeve shoqërore.
Të ardhurat nga sigurimi për të vetëpunësuarit në bujqësi parashikohen 2627 milionë lekë ose rreth 0.2 për qind të PBB-së.