E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Turku: Rama, dhunues i aspiratës evropiane



Zëvendësministrja e Turizmit, Zana Turku, e quajti dje kreun e opozitës, Edi Rama, si dhunuesin dhe aspiratës evropiane të shqiptarëve. Ajo përmendi para mediave se në një kohë kur Shqipëria bën përpjekjet për t’u integruar ashtu si vendet e tjera fqinje, protestat e opozitës prezantojnë një imazh që dashur pa dashur nuk japin atë që vërtet Shqipëria është dhe duhet të prezantojë. “Është naive për mua organizimi i protestave të tilla që në thelb kanë një kërkesë që vetë kryetari që i udhëheq këto protesta është i bindur se nuk mund të realizohen”, - theksoi znj. Turku. Sipas saj, arsyeja është më e thjeshtë, me çdo mënyrë Rama kërkon të dëmtojë vendin e vet, Shqipërinë. “Përse është i etur për kaq dhunë kryetari i partisë së opozitës kur ka shumë zgjidhje demokratike, njëra nga më kryesoret është ajo e pjesëmarrjes në Parlament. Çfarë pret ky kryetar të fitojë përmes dhunës, duke arritur deri aty sa të detyrojë edhe njerëzit e tij, se do të marrë masa në rast se nuk do t’i përgjigjen thirrjes për në protesta. Prandaj do t’u drejtohesha bashkatdhetarëve të mi të mos gënjehen dhe të mos ndjekin një njeri i cili prodhon vetëm konflikte dhe që nuk do t’i vinte kurrë keq për pasojat që do të shkaktonin këto konflikte”, - deklaroi zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›