E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, vihet në punë koronarografia

Aparatura nuk punonte prej një muaji, për shkak të një defekti. Dializa, pa barna dhe pajisje mjekësore

Koronarografia, aparatura që përdoret për ekzaminimin dhe hapjen e arteries kryesore të zemrës ka nisur funksionimin, pasi prej një muaji nuk punonte për shkak të një defekti.

Për një muaj, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) mjekët nuk kanë mundur të kryejnë dot asnjë ndërhyrje me koronarografi, me gjithë fluksin e kërkesave për këtë ekzaminim, ku pjesa më e madhe e pacientëve janë të dërguar nga rrethet për shkak të pamundësisë për t’iu nënshtruar këtij trajtimi në spitalet rajonale. Pas rregullimit të defektit në aparaturën e koronarografisë, ditën e djeshme kanë nisur edhe prenotimet e para për të kryer këtë ekzaminim. Ndërkohë që pacientëve që janë në pritje të këtij trajtimi u duhet të presin edhe disa ditë të tjera për të bërë koronarografinë, kjo jo vetëm për faktin se për këtë ndërhyrje ka gjithmonë radhë, por edhe se futen më shpjet rastet më të rënda, gjendja shëndetësore e të cilëve e ka urgjente këtë ekzaminim. Por një tjetër shërbim me jo pak probleme në Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT është edhe ai Hemodializës. Për të sëmurët me pamjaftueshmëri të veshkave, të cilët bëjnë hemodializë për të pastruar gjakun, jo vetëm nuk ka barna, por as mjete të tjera, nga aget deri tek fashot. Në këto kushte, pacientët që trajtohen me dializë në QSUT kanë ngelur në mëshirë të fatit, pasi spitali nuk u siguron më asnjë medikament. Shqetësimi kryesor i tyre është mungesa e medikamenteve bazë, pa të cilat ata nuk do të mund të mbijetonin në rast se nuk do të mund t’i siguronin në rrugë private. Pacientët shpjegojnë se medikamentet bazë, të cilat më parë i siguronin nëpërmjet spitalit, tashmë nuk i marrin më. Një problem tjetër që shqetëson këta pacientë, të cilët janë të detyruar të bëjnë dializë tri herë në javë nga katër orë, është mosbërja e këtij procesi të plotë gjatës natës. Pacientët shpjegojnë se për arsye nga më të ndryshmet dializa natën nuk bëhet me orar të plotë, proces ky që ndikon në dëmtimin e shëndetit të tyre, pasi nuk realizohet në mënyrë të plotë. Por, ndërsa pacientët prej kohësh vijojnë të përballen me mungesën e barnave, plotësimi i nevojave të tyre nuk është kaq i thjeshtë, pasi për të blerë barna dhe pajisje mjekësore duhet të bëhet tenderi. Sipas burimeve nga QSUT-ja, tenderat e barnave përfunduan në muajt qershor dhe korrik dhe për rrjedhojë, në këtë periudhë nuk duhet të kishte mungesa në medikamente dhe pajisje mjekësore, por në fakt situata tregon të kundërtën.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›