E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në Statut, futet koordinatori elektoral

Partia Socialiste ka gati ndryshimet që do t’i propozohen Kongresit të 5 nëntorit, për t’u përfshirë në Statut. Grupi i punës, i ngritur për këtë qëllim me vendim të Asamblesë Kombëtare që në muajin korrik, ka konkluduar dje me një mbledhje të orëve të vona punën, duke miratuar një paketë përfundimtare amendimesh në Statutin e Partisë, si dokumenti bazë i funksionimit dhe organizimit të kësaj force politike. Pavarësisht punës së gjatë disamujore, mësohet se ndryshimet janë shumë të pakta dhe kanë të bëjnë kryesisht me funksionimin dhe organizimin e strukturave të partisë në bazë, në mënyrë që t’i përshtasë ato sa më shumë si struktura elektorale. Ndaj, për këtë qëllim mësohet se në Statut do të propozohet të sanksionohet posti apo detyra e Koordinatorit elektoral, i cili do të funksionojë në çdo qendër votimi. Thënë më qartë, çdo organizatë partie që funksionon për çdo qendër votimi do të ketë dhe një koordinator elektoral, detyra e të cilit do të jetë organizimi i punëve elektorale, si verifikimi i listave, angazhimi i sistemit të patronazhit për të verifikuar zgjedhësit që nuk janë në vend në momentin e organizimit të zgjedhjeve, verifikimin e emigrantëve etj. Gjithashtu, mësohet se një nga ndryshimet e tjera që janë përfshirë në këtë paketë ka të bëjë dhe me riorganizimin e partisë në emigracion. Burime nga grupi i punës kanë bërë të ditur se propozimet kanë qenë të shumta, por gjatë diskutimit nuk është parë e udhës që të miratohen. Ndërkohë që, si paketa e propozimeve për ndryshimet në Statut, ashtu edhe projekt-programi i hartuar nga grupi tjetër i punës, pritet të kalojnë për miratim paraprak në Asamblenë Kombëtare, e cila parashikohet që të mblidhet në fillim të javës së ardhshme.

Fejzi Braushi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›