E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2012, buxheti më i madh në historinë e vendit

04-11-2011 / Gazeta 55

Investimet në infrastrukturë, rritja e pagave dhe pensioneve, rritja e ndihmës ekonomike dhe kompletimi i projektit “Shqipëria dixhitale”, janë disa nga projektet madhore të qeverisë që pritet të avancojë apo edhe të shkojnë drejt finalizimit gjatë vitit të ardhshëm buxhetor 


Investimet, synimi: Çdo shqiptar të mbërrijë në Tiranë për më pak se dy orë


UPDATE- Qeveria miratoi pak minuta më parë projekt/buxhetin për vitin 2012-të, i cili do t’i drejtohet komisioneve parlamentare, për të kaluar më pas në Kuvend. Kryeministri Sali Berisha gjatë prezantimit të draftit të buxhetit para anëtarëve të kabinetit qeveritar tha se “ky buxhet është më i madhi në historinë e vendit, i cili i përgjigjet premtimeve dhe objektivave të qeverisë për vitin e ardhshëm buxhetor”. Berisha garantoi se s’do ketë rritje të deficitit buxhetor, ndërsa investimet në infrastrukturë do përparësohen edhe më tej, ku veçoi segmentet rrugore Tiranë – Elbasan, Qukës – Qafë Plloçë etj,. “Ky buxhet është më i madhi në tërë historinë e vetë dhe ka si objektiva më kryesorë, garantimin e stabilitetit makroekonomik si përparësi e të gjitha përparësive në kohën e një krize ndofta më të rëndë në historinë e Europës. Buxheti i viti 2012 është hartuar nga Ministria e Financave në bashkëpunim me ju, bazuar në objektivat e garantimit të stabilitetit të të gjithë treguesve më optimal të mundshëm për stabilitet ekonomik. Siç jemi zotuar se nuk ka dhe nuk do të ketë rritje të borxhit, por vetëm ulje të tij, se nuk ka dhe nuk do të ketë rritje të deficitit buxhetor, por vetëm ulje të tij, se nuk ka dhe nuk do të ketë parashikime të tjera përveç atyre me praktikën më konservatore”- u shpreh Berisha. Ai shtoi se në themelin e buxhetit është vendosur të përqendrohet në objektivat më madhorë dhe këto janë rritja e rrogave dhe e pensioneve, duke shprehur bindjen se rritja e studiuar e rrogave dhe pensioneve përbën një akt shumë të rëndësishëm në politikën e investimit në burimet njerëzore si dhe në fytyrën njerëzore të qeverisë. Sipas tij, zemra e dhimbsur është dhe do mbetet zemra e vërtetë e kësaj qeverisje, ndaj dhe viti i ardhshëm sërish Shqipëria do jetë një ndër më të paktat vende që rrisim rrogat, pensionet si dhe ndihmën ekonomike. Kryeministri u shpreh se, në vlerësimin që bëhet për krahasimin global Shqipëria rezulton në vendin e 17- të në botë për rroga dhe produktivitet dhe ky është një nga treguesit më thelbësor që është arritur, duke premtuar se do bëhen përpjekje që të përmirësohet më tej ky raport, duke ruajtur konstante politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve. “Viti 2012 nuk është një vit elektoral, pra ne nuk e bëjmë këtë për qëllime elektorale, siç është përpjekur në mënyrën më të përsëritur opozita të cilësojë politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Uroj që të biem dakord në parlament dhe kësaj radhe pasi kanë votuar për vite kundër tyre ta bëjnë zemrën gur dhe të votojnë për këtë rritje, sepse pensionistët shqiptarë, punonjësit e administratës dhe familjet e tyre kanë nevojë për të ardhura. Ta recitojnë këngën e orizit çdo seancë parlamentare, do kish qenë shumë më e dobishme të votojnë rritjen e rrogave dhe pensioneve që kemi dërguar në parlament për çdo buxhet”- deklaroi kreu i qeverisë duke theksuar se mazhoranca u qëndron në mënyrë të palëkundur premtimeve elektorale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›