Turpërohet Partia e Plehut - merr vetëm një votë

Debati për dy dekretet e presidentit Topi, është shndërruar dje në testimin e parë të aleancës së presidentit ende në detyrë me Edi Ramën. Vetëm një votë ka marrë dekreti për KLSH-në, ndërkohë që mazhoranca është konfirmuar në Ligjin për Menazhimin e Mbetjeve me 75 vota “pro”.
Berisha: Rama dhe Topi hodhën themelet e “Partisë së Plehut”. “Lepuri fle te partiçka dhe biznesmenët e lidhur me kryetarin e PS”
Kuvendi debatoi dje gjatë seancës plenare, për dekretin e Presidentit të Republikës për “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, pas vendimit të pak ditëve më parë të komisionit të veprimtarive prodhuese për rrëzimin e këtij dekreti. Nga ana e tij, kryeministri Berisha garantoi se Shoqëria Civile do jetë bashkë vendimmarrëse me Këshillin e Ministrave, për çdo mbetje dhe përpunimin e tyre. “Çdo vendim qeverie do jetë objekt i një konsultimi të gjerë me Shoqërinë Civile dhe organizatat e mjedisit. Do t’u faktojmë shqiptarëve se këto vendime qeverie janë në interesin më të mirë në ruajtjen dhe kontrollin e mjedisit”. Kryeministri tha gjithashtu se kundërshtarët e ligjit e kanë mendjen te mbledhja e votave përmes plehut, duke përdorur edhe Shoqërinë Civile. “Ata punojë për partiçka dhe jo për shoqërinë civile”
Kuvend- Nisur nga diskutimet e ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, për ligjin e “Menaxhimit të Mbetjeve”, ka reaguar kryeministri Sali Berisha, i cili duke e quajtur ligjin brenda standardeve të Bashkimit Evropian, u shpreh se kundërshtarët e tij, “sot hedhin bazat e ngritjes së Partisë së Plehut”. Sipas kryeministrit, ligji i miratuar në parlament, është ligji i mbrojtjes së Shqipërisë nga mbetjet toksike, ndërsa i cilësoi si shpifje deklaratat e përfaqësuesve të opozitës.
“Sot, kjo ditë shënon de facto themelimin në këtë sallë të ”Partisë së Plehut”. Pasi u themelua “Aleanca e Plehut”, shpërtheu epidemia; “o burra të gjejmë vota në plehra” dhe po rrëmohet, po kërkohet, po bëhet gjithçka që në plehra të mbijnë partiçka. Ligji i cili është miratuar në këtë Parlament, është ligji i mbrojtjes së Shqipërisë nga mbetjet toksike. Thelbi dhe qëllimi i tij është mbrojtja e këtij vendi nga mbetjet toksike. Por le t’i shohim gjërat jashtë bursës së shpifjeve dhe sharjeve, në të cilën sa më shumë të shpifësh e të shash aq më lart ngjitesh në shtyllën e turpit. Le të shohim pak jashtë saj. Çfarë është ky ligj? Ky është ligji që i imponon qeverisë të përjashtojë me vendim të Parlamentit, të gjitha plehrat toksike. Ky është ligji që i imponon qeverisë që mbetjet jotoksike të lejohen të importohen, jo siç ndodh deri tani, jo siç u vendos në 2003-shin kur këta zotërinj ishin në pushtet, këta që i kanë varur shpresat tek “Partia e Plehut” për të ardhur në pushtet dhe që nuk do ta shohin pushtetin të paktën dhe për 20 vjet ne këtë mënyrë. Nuk vihet kështu në pushtet, nuk është kjo rruga e pushtetit”- u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë tha se në ligjin për Mbetjet, parashikohet importi i vetëm 50 elementëve, nga 400 mbetje në tërësi. “Ja ku e keni listën. Sipas kësaj liste, në Shqipëri duhet të hyjnë 400 mbetje, ndërsa ky parlament dhe kjo qeveri ka vendosur që në Shqipëri mund të hyjnë gjithsej 50 mbetje, prej tyre, asnjëra toksike dhe secila prej tyre do të hyjë sipas kushteve që do të përcaktohen në vendimin e Këshillit të Ministrave. Përse duhet ky ligj? Duhet sepse ky parlament ka ratifikuar një marrëveshje me BE-në. Ndërkohë që birbilenjtë u frynin trumpetave dhe borive, bilbilave këtu, ne firmosnim Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit dhe kjo Marrëveshje, në nenin 70 dhe 108, për mjedisin dhe përafrimin e legjislacionit, i imponon Shqipërisë të lejojë qarkullimin e lirë të plehrave jo toksike.
Cili është raporti i Shqipërisë me hapësirën evropiane? Ju duhet ta dini, të dashur qytetarë, se Shqipëria eksporton mbetje të saj nga kjo listë, në vit, 96 mijë e 900 ton. Ja ku është lista. Shqipëria eksporton mbetje të saj, pra mbetje të prodhimit, mbetje të tjera, në vendet e Bashkimit Evropian dhe vende të tjera. Meqenëse kanë dhuntinë të mashtrojnë më lehtë se sa pinë një kafe, më lejoni t’ju informoj atëherë se; nga këto mbetje; mbetje plastike janë 37 tonë, mbetje alumini, mbetje zinku, mbetje plumbi, mbetje magneziumi, mbetje tekstili, mbetje druri. Të gjitha këto mbetje, për shkak të kësaj marrëveshjeje që kemi firmosur me BE-në, Evropa i pranon nga Shqipëria”- tha kryeministri. Ai vuri në dukje se ata që përpiqen të ngrejnë partinë mbi plehra, ata janë të pashpresë, ndërsa disfatat elektorale do t’i ndjekin nga pas. “Unë them se këta që përpiqen të mbijnë partinë mbi plehrat, këta janë të pashpresë, sepse kryetari i tyre, duke e parë se e ka të pamundur të fitojë, pasi kalon nga disfata në disfatë, ka vendosur me çdo kusht të urdhërojë të krijohet parti dhe të varet prej tij. Një ditë thirri Filip Çakulin dhe i tha; “ose Fix Fare parti, ose do sikterisesh”. Çakuli i thotë: zotëri, a nuk nxore mësim nga 99-shi ti që do të më bësh mua parti?”. Është ekzaktësisht kështu si ju them unë, nëse doni ju sjell dokumentin. Pastaj ai gjeti faqezinjtë dhe u tha; “dilni kundër regjistrimit o faqezinj, sepse përndryshe ju dolën pasuritë”. Dhe faqezinjtë rendën poshtë e përpjetë “Eureka”, për të shpëtuar pasuritë e fshehura dhe u thanë shqiptarëve mos u regjistroni se ky regjistrim është në përputhje me modelet antishqiptare e antikombëtare. Shqiptarët u treguan atyre “Partinë e Plehut”, hyni në “Partinë e Plehut”se rrugë tjetër nuk keni”- deklaroi Berisha. Këta ju flasin për toksina, tha kryeministri, por a e dini ju sesa toksina hyjnë në Shqipëri?. “Në Shqipëri futen njëmijë lëndë toksike, ato janë ilaçe, ato janë fertilizantë, ato janë insekticide, ato janë të gjithëllojshëm, ato janë futur edhe më përpara, ato janë futur që kur është krijuar shteti shqiptarë dhe deri më sot. Por kanë kushtet e kontrollit të tyre. Atëherë, sipas kësaj logjike primitive, ne duhet ta përjashtojmë çdo lloj importi toksik. Por a ka më toksike dhe të rrezikshme sesa helmet e arsenikut, apo helmet e zhivës dhe helme të tjera? Nuk ka gjëra më toksike se ato. Por megjithatë, unë ju garantoj se ato futen me destinacionin e caktuar dhe kontrollohen, po nga ato laboratorë, që ju thoni se ne nuk i kemi. Por ne i kemi laboratorët more zotërinj, ne i kontrollojmë ato. Duhet t’i ndalojmë ato tani, se doni ju të krijoni “Partinë e Plehut”? Jo! Absolutisht jo. Mendoni ju se do i gënjeni shqiptarët. Kanë ikur ato kohëra kur u thoshin se po erdhi treni ekspres do ndodhë hataja dhe dilnin një grusht “bashibozukësh” dhe e kthenin trenin prapa. Por “trenin e Evropës” nuk do të mund ta ndalë kush më në këtë vend dhe ky është procesi i integrimit”- tha më tej kryeministri Berisha, i cili iu drejtua deputetëve të opozitës duke deklaruar se në pushtet s’kanë për ta ardhur kurrë përmes mashtrimit dhe gënjeshtrës. “Vazhdoni krijimin e partive se kështu do të vini në pushtet ju, pa alternativë, sepse alternativë ju nuk formuloni dot. Ka ikur koha e mashtrimit, që kur dilni dhe ju thoni shqiptarëve se kjo është “Republika e të papunëve”, në një kohë kur në këtë Republikë janë 1 milionë e 70 mijë krahë pune, sipas statistikës botërore dhe të gjithanshme, që kur ju u thoni shqiptarëve se mund të krijojmë 300 mijë vende pune në një vit. Zotërinj, ju mendoni se janë “hunj të kuq” shqiptarët? Jo, të jeni të sigurt, që ata ju japin ujë në bërryl ju. Ju keni vetinë që krijoni një realitet që nuk ekziston dhe pastaj t’i besoni këtij realiteti, sepse kryetari juaj, hyn në shtrat Edi Rama dhe zgjohet Angela Merkel, zgjohet Nikola Sarkozi, zgjohet Barak Obama. Zotërinj, a e kuptoni ju se jetoni në një situatë të pa precedent për sa i përket realitetit? Ju këtë realitet doni ta sillni në parlament. Nëse atij i duket vetja njëherë Angela Merkel, njëherë Nikola Sarkozi, njëherë Barak Obama, njëherë David Cameron, ndërkohë që fjalimet ia kopjon Ed Miliband-it, se aty i merr i kopjon dhe vjen e na i lexon. Kjo rrugë po ju mban jashtë pushtetit” - tha më tej Berisha.
Mediu: Ligji për Mbetjet, në përputhje me standardet europiane
Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, u shpreh dje gjatë diskutimeve në Kuvend se ligji “Për Mbetjet”, është i parashikuar në kuadër të legjislacionit tonë dhe direktivave europiane mjedisore dhe është rezultat i zbatimit të detyrimeve të MSA-së, me bindjen se plotësimi i këtyre standardeve do ta sjellë Shqipërinë në kushte të përafërta me Europën.
Duke iu referuar kundërshtive për ligjin në fjalë, si nga opozita dhe nga shoqëria civile, Mediu theksoi nevojën e hartimit të tij pasi, siç theksoi ai, “për çështjet e mbetjeve Shqipëria është ende larg standardeve, madje dhe me vendet fqinje”. “Ky debat është po kaq fiktiv dhe demagogjik se nuk diskuton thelbin e ligjit dhe të mirat që sjell implementimi i tij, por tenton të manipulojë ndjesitë e njerëzve për një çështje të provuar”- u shpreh Mediu në Kuvend. Duke vlerësuar punën e ekspertëve të huaj në hartimin e ligjit, ministri theksoi se ai vjen në përputhje me direktivat dhe standardet europiane. “Nga viti i kaluar ne e kemi reduktuar listën e mbetjeve nga 434 në 50 dhe këto të fundit janë pjesë e listës së gjelbër. Ky ligj lejon vetëm importin e këtyre produkteve për t’i dhënë funksionalitet zinxhirit të integruar të mbetjeve”- theksoi ministri Mediu. Ai nënvizoi se qeveria ka dëshmuar vullnetin për të kufizuar dhe ndërtuar një politikë funksionale të kontrollit dhe menaxhimit të këtyre produkteve, të cilat do i nënshtrohen një procesi transparent. Gjatë debatit të djeshëm në Kuvend deputetët e opozitës e cilësuan ligjin “klientelist dhe në favor të klaneve mafioze”. “Qëllimi i ligjit është importimi i plehrave dhe mos kërkoni t’i gjeni emër tjetër. Neni 49 i tij flet qartë që vendi do të bëhet depozitues i plehrave. Ligji hap vetëm dritare për t’u futur plehra në vend”- tha deputeti i PS-së, Blendi Klosi, duke theksuar se ai duhet të kalojë në referendum në mënyrë që të jenë shqiptarët ata që do të vendosin për të. “Plehrat janë kthyer në një gangrenë për Shqipërinë. Ky ligj duhet të jetë si asnjë tjetër dhe duhet të kërkojë referendum. Deputetë mos e votoni ketë ligj, në emër të fëmijëve, prindërve dhe brezave që do vijnë”- tha deputeti Klosi gjatë fjalës së tij në parlament.
Bode: PS i është kthyer politikës së plehrave/Ministri i Financave, Ridvan Bode, kritikoi dje në Kuvend opozitën për qëndrimin e saj ndaj ligjit të mbetjeve. “Është për të ardhur keq që në këtë parlament nuk është diskutuar për asgjë tjetër të rëndësishme të këtij vendi, përveçse “alternativës së plehrave”- u shpreh gjatë seancës së sotme plenare, ministri i Financave, Ridvan Bode. “I jeni kthyer politikës së plehrave dhe si taktikë keni atë që keni patur, komplotin kundër evropianizimit të Shqipërisë”- tha ai.
Bregu: PS fsheh interesa të dyshimta në kundërshtimin e ligjit/Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu në fjalën e saj deklaroi se ligji “Për Menaxhimin e Mbetjeve Urbane” është i nevojshëm dhe është një kusht për integrimin e në Bashkimin e Europian. Ajo nënvizoi se ligji i menaxhimit të mbetjeve, s’ka shkelje kushtetuese dhe se ky ligj rregullon riciklimin e mbetjeve. “Ky ligj plotëson një tjetër detyrim për rrugën e integrimit. Ligji menaxhimit të mbetjeve është në përputhje me direktivat e BE-së”- tha Bregu. Duke iu referuar deputetëve të opozitës Bregu tha “se askush nuk më bind mua se ju jeni në mbrojte të jetëve të qytetarëve, dhe ne po bëjmë të kundërtën, ndaj mos u bëni qesharak”. “Pranojeni se duhet të jemi me Europën, e cila ka ngritur një strategji të menaxhimit të mbetjeve. Ky ligj duhet të implementohet sa më shpjet. Ky ligj është kryekëput evropian”- theksoi ministrja Bregu.
Topalli: Ligji i Mbetjeve është për mbrojtjen e ambientit/Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli mbrojti dje në parlament ligji për “Menaxhimin e Mbetjeve Urbane”, duke e konsideruar atë si në përputhje me standardet evropiane. Sipas saj, s’ka asnjë arsye për të qenë kundër administrimit dhe menaxhimit tërësor të mbetjeve urbane. “Ligji synon ndarjen dhe sistemimin e mbetjeve, secila në vendin e saj, ashtu si në vendet e Bashkimit Evropian. Ky është një ligj që synon ta bëjë Shqipërinë ashtu si vendet e tjera të BE. Ka biznese të caktuara të cilat janë të interesuara për përpunimin e një pjesë të mbetjeve, të cilat riciklohen. Nëse dikush është kundër se pse ne kemi reduktuar listën e importit të mbetjeve nga 400 në vetëm 50 lloje, është punë dhe problem i vetë opozitës. Unë dyshoj se një pjesë e atyre që kanë protestuar, nuk e kanë lexuar ligjin. Ato që e kanë keqkuptuar, besoj se do kenë kohën e duhur për ta shfletuar këtë draft. Ne kemi bërë një hap të jashtëzakonshëm drejt heqjes së plehrave nga Shqipëria, kemi heq dhe kemi reduktuar në 50 elementë, pa harruar se licencimi i bizneseve për përpunimin e mbetjeve, do të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe do jenë nën vazhdimin e Shoqërisë Civile”- tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit tha dhe njëherë se vendimi i presidentit për të kthyer në Kuvendin ligjin, ishte qartësisht politik. Ajo tha gjithashtu se në një emision televiziv, z.Topi përmendi togfjalëshin lapsus “ligj – toksik”, në një kohë kur ky nuk është ligj për mbetje toksike, por për menaxhimin e mbetjeve të integruara.