“Buxheti 2012 i bazuar në model suksesi, s’luftohet varfëria duke luftuar të pasurit”

Mbledhja e Qeverisë - Kryeministri e cilëson taksën progresive të propozuar nga PS-ja, si mekanizëm marksist për të shkatërruar modelin ekonomik, i cili buroi nga byroja e re politike e pinjollëve të Bllokut
Kryeministri Berisha e ka cilësuar buxhetin e vitit 2012 i cili u votua dy ditë më parë në Parlament me votat e mazhorancës, si më të madhin në historinë e vendit, ndërsa ka theksuar se, “modeli ynë ekonomik ia doli të përballojë krizën financiare botërore”.
Duke folur para anëtarëve të kabinetit, në mbledhjen e përjavshme të Qeverisë, Berisha theksoi se modeli ekonomik shqiptar, është modeli që garanton realizimin e objektivave më ambicioze të kësaj mazhorance, të kontrollojë borxhin dhe deficitin si dhe të rrisë rrogat dhe pensionet. Kryeministri theksoi se qeveria e bazon këtë buxhet në performancën e ekonomisë shqiptare dhe funksionimin e modelit të suksesshëm ekonomik që ka garantuar çdo vit rritjen ekonomike, ndër më të lartat ne Evropë dhe në botë edhe në kulmin e krizës së thellë ekonomike, model i cili ka garantuar brenda një harku të shkurtër kohor, rritjen e investimeve të huaja ne vend, trefishimin e eksporteve, mbidyfishimin e rrogave të ulëta, të mesme dhe pensioneve, etj
Kryeministri falënderoi opozitën për diskutimet në parlament lidhur me buxhetin, duke shprehur njëkohësisht keqardhjen për disa propozime, të cilat, u shpreh kryeministri, synonin zëvendësimin e mekanizmit të modelit të tregut të lirë me modelin marksist të ekonomisë. Nuk luftohet varfëria duke luftuar të pasurit, ironizoi Kryeministri Berisha, idenë e socialistëve.
“Performanca e ekonomisë, baza e Buxhetit të vitit 2012”
Sipas tij, buxheti garanton zbatimin e të gjitha projekteve të Shqipërisë dixhitale, objektivi më madhor për 100 vjetorin e Pavarësisë si dhe mbështet projektet më ambiciozë në infrastrukturë, ujëra, shkolla, spitale dhe në projektet e mëdha kombëtare, të ullirit, arrorëve dhe drurëve të tjerë frutorë. “Shqiptarët dëgjojnë që sot, këto janë kohërat e uljeve dramatike te rrogave dhe pensioneve, uljeve të dhimbshme të pensioneve. Ne votuam dje për rritjen e tyre. Buxheti garanton zbatimin e te gjitha projekteve të Shqipërisë dixhitale që është dhe zotimi ynë madhor në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit. Nuk mundet ne, ti bëjmë një shërbim më të madh, nuk mundet ne, të rinojmë me diçka më tepër, në rrafshin zhvillimor këtë vend, se sa me moshën teknologjike. Buxheti mbështet tërësisht projektin më ambicioz në historinë vendit në infrastrukturë, në rrugë, ura, kanalizime, ujësjellës, shkolla, spitale, mbështet më fuqishëm se asnjëherë projektet e mëdha kombëtare të ullirit, arrorëve dhe drurëve të tjerë frutorë. Qeveria e bazon këtë buxhet në performancën e ekonomisë shqiptare dhe funksionimin e këtij modeli që ka garantuar çdo vit, rritjen ekonomikë ndër më të lartat ne Evropë dhe në botë në kulmin e krizës”, u shpreh Berisha.
Ai nënvizoi se qeveria e bazon këtë buxhet në performancën e ekonomisë shqiptare dhe funksionimin e këtij modeli ekonomik, i cili sipas tij ka garantuar çdo vit rritjen ekonomike ndër më të lartat në Europë dhe botë, në kulmin e krizës, si dhe ka garantuar rritjen eksporteve të vendit, të cilat këtë vit, krahasuar me 2006-n, janë tre herë më të mëdha.
“Ky model ka garantuar çdo vit rritjen e vazhdueshme të eksporteve të vendit, të cilat këtë vit, krahasuar me vitin 2006 janë tre here më të mëdha, e bazon në këtë model, i cili ka garantuar që investimet e huaja në Shqipëri, nga viti 2006 deri në vitin 2010, të rriten me 316 për qind. E ka bazuar në këtë model që ka bërë në Shqipëri që rrogat e arsimtarëve, mjekeve dhe infermierëve, në këtë hark kohor, nga 2006 deri më sot, të rriten me mbi 120 për qind. Si absolutisht në asnjë vend tjetër bazohet në këtë model që ka bërë që pensionet minimale të rriten me 110-120 për qind, në këtë model që ka bërë që rroga minimale dhe mesatare të mbidyfishohet”.
Sipas Kryeministrit, Qeveria e bazon buxhetin, në modelin ekonomik, i cili i lejoi vendit realizimin e veprave publike më të mëdha të të gjitha kohërave.
“Vetëm autostrada Milot-Morinë, ka lëvizje dherash, shkëmbinjsh dhe vëllimesh, 4 herë më shumë se e gjithë Kaskada e Drinit, e realizuar kjo, në një hark kohor dy vjeçar. Qeveria bazohet në këtë model, i cili bëri të mundur në një hark kohor të shkurtër që ky vend i vogël të ndërtojë dhe rindërtojë mbi 9 mijë km rrugë kryesore, autostrada, superstrada, rrugë dytësore, tretësore, etj. E bazon në këtë model, i cili ka bërë që nga një bujqësi e falimentuar pothuajse pak vite me parë, sot dyfishon dhe trefishon eksportet pothuajse çdo vit. Pra, modeli ekonomik i kësaj qeverie së bashku me lumenjtë e djersës dhe të mundit qe derdhin shqiptarët shpëtoi Shqipërinë nga kriza e thellë përpirëse që përfshiu Evropën dhe botën. Ky model bëri që leku kjo monedhë e një vendi të vogël të tregohet lek i vërtetë. Qeveria e bazon buxhetin e saj ambicioz për vitin që vjen edhe në të dhënat aktuale të ekonomisë shqiptare, të cilat dëshmojnë se xhiroja totale në 9 mujorin që shkoi është rritur me 15,5 për qind sipas deklaratës së biznesmenëve në tatime. Xhiroja e përgjithshme e ndërmarrjeve të prodhimit është rritur me rreth 20 për qind sipas deklaratës së këtyre sipërmarrjeve në tatime. Një rritje prej 5,5 për qind ka xhiroja në shërbime, ndërsa në ndërtim 3.05 për qind. E bazon në rritjen e numrit të bizneseve të reja me 48 për qind në shërbime dhe rritja e ndjeshme e bizneseve të reja në ndërtim, nga ulje -11,56 për qind që ishte ndërtimi në vitin e kaluar, këtë vit ka një rritje me 14, 28 për qind. Pra, këta janë treguesit më të vërtetë, më solidë dhe më të pakontestueshëm të ekonomisë shqiptare, po këta tregues dëshmohen dhe nga tregues të tjerë shumë të rëndësishëm siç janë eksportet e vendit. Ne periudhën janar-nëntor të vitit të kaluar eksportet e vendit, ‘made in Albania’ dhe rieksportet ishin 146 miliard dollarë. Eksportet e vendit në periudhën janar-nëntor të këtij viti janë 179 miliard dollarë, pra ka një rritje prej rreth 700 milion dollarë, rritje e cila kulmon me trefishimin e eksporteve ne krahasim me vitin 2006. Ky është modeli ekonomik që bazohet në këtë sistem fiskal, në këto taksa, në këtë kuadër, i cili ka krijuar ekonomisë shqiptare një frymëmarrje dhe një hapësirë lirie të paprecedent. Ky është modeli, i cili bazohet në administratë të vogël, i cili ka vendosur mbi shpatullat e sektorit privat, barrën më të ulët të sektorit publik mbi ta. Ky është modeli, i cili bazohet në investime të mëdha, investime me të mëdha se të çdo qeverie tjetër, investime të shpërndara në qindra e qindra projekte, investime të realizuara duke mos lejuar rritjen e borxhit, duke kontrolluar plotësisht inflacionin, duke realizuar dyfishimin re rrogave të ulëta, pensioneve të ulëta, rrogave mesatare”, vijoi më tej Kryeministri Berisha.
“Varfëria nuk luftohet kurrë duke shkatërruar të pasurit”
Kryeministri Berisha ka shprehur keqardhje që opozita votoi kundër buxhetit të vitit 2012 ndërsa ka shtuar se propozimet e saj synonin një krizë mekanizmash të modelit të zhvillimit ekonomik. Berisha nuk ka la pa përmendur edhe Asamblenë Kombëtare të PS-së, ku kreu i saj Edi Rama propozoi ngritjen e Këshillit të të urtëve. “Opozitën e falënderoj për diskutimet që bëri për buxhetin, por shpreh keqardhjen time të thellë për disa propozime, të cilat synonin, pikërisht mekanizmin themelor të modelit, zëvendësimin e mekanizmit të tregut të lirë të modelit me modelin marksist dhe sidomos tani që bënë zgjedhjet dhe rikthyen në prag të dhjetorit të gjithë byronë e re politike në udhëheqjen e PS. A mund të më thoni ju a mbeti ndokush nga fëmijët e bllokut pa hyrë në byro? Jo asnjë. Por kjo është zgjedhje e tyre, por me taksat çfarë kishin, se në punë e brendshme nuk u përzihet kush. Le ti rikthejnë dhe anëtarët e byrosë politike në këshillin e të urtëve, le të bëjnë ç’të duan . Ajo nuk është punë e jona. I dhimbshëm ishte propozimi i tyre, propozime të cilat kishin parasysh trustet dhe kompani të caktuara”, u shpreh ai.
Berisha i cilësoi propozimet e PS-së për taksën progresive, një populizëm pa materie dhe që sigurisht nuk sjell uljen e varfërisë ndërsa e ka ftuar atë të jetë konkrete me propozimet që sjellin uljen e varfërisë në vend dhe jo propozime që sjellin truste dhe favorizojnë kompani të caktuara.
“Edhe njëherë ju bëj thirrje mësuesve, mjekeve infermierëve, pensionistëve , të gjithë shqiptarëve , me cilin model do të ishin dakord ata? Me modelin që ju jepte 220 mijë leke, ju merrte 7 mijë dhe ju linte 213 mijë apo me modelin që ju jep 500 mije, ju merr 50 mije dhe ju mbeten 450 mijë. Cilin model do të preferonin qytetarët shqiptarë, modelin e pikatores dhe skamjes apo modelin me dyfishimit të rrogave? Ideja e tyre për të zëvendësuar taksën e sheshtë me taksën progresive është ideja e shkatërrimit të mekanizmit të suksesit ekonomik të reformave, një model universalisht i njohur si sukses që kërkohet të rrënohet me slogane populiste, marksiste, luftë kundër të pasurve. Le ti pyesim pak këta qindra, mijëra punëtorë shqiptarë të punësuar në sektorin privat se çfarë do të pësonte vendi i tyre i punës, në rast se qeveria do të kishte si qëllim kryesor rrënimin e sipërmarrëseve të tyre me taksa të larta. Le të pyesin çdo punëtor, rrogëtar në sektorin privat cili është mekanizmi i krijimit të vendeve e të reja të punës, si krijohen ato, a nuk krijohen ato nëpërmjet investimit të këtyre biznesmenëve, a është kjo rruga kryesore e krijimit të vendeve te reja të punës? Këtyre që do ti rrënojë me taksa dhe që eksponentë të caktuar të opozitës shprehen me urrejtje klasore, sepse të krahasosh Fidelin me Worren Buffet do të thotë të tallesh me veten tënde. Kapitalizmi amerikan arriti pas 200 vjetësh të ketë gjigandë si Worren Buffet. Ai ka mbi dy shekuj zhvillim, ne kemi vetëm dy dekada dhe bën krahasimin e të pakrahasueshmeve”.
Sipas tij, ideja e tyre për të zëvendësuar taksën e sheshtë me taksën progresive është ideja e shkatërrimit të suksesit ekonomik të reformave.
“E theksoj edhe njëherë se varfëria nuk luftohet kurrë duke shkatërruar të pasurit. Dhe këtë në mënyrën më tragjike e kanë provuar shqiptarët në kurriz. Unë vlerësoj diskutimet që bëri opozita në parlament, por ndjej dhimbje që nuk propozoi asnjë rritje rrogash dhe pensionesh. Por u kujdes për të gjithë tregtarët e miellit dhe të grurit, që tua heqim taksën e bukës, praktikë e cila është faktuar në të gjithë botën se nuk jep ulje çmimesh, përkundrazi çmimet mbeten njëlloj. Ajo që ndodh, është më e keqja, ia u lë grurin dhe misrin në ara, fermerëve shqiptarë, mbyll pularitë dhe prodhimin e vezëve në vend. Sigurisht se pularitë e Shqipërisë nuk mund të përballen me pularitë që marrin subvencion për çdo kokërr vezë. Sigurisht që blegtorët shqiptarë e kanë të vështirë të përballen me prodhimet e blegtorëve, lopët e të cilëve marrin 3 euro në ditë subvencion dhe sigurisht atyre iu del ta shesin qumështin më lirë se blegtorët në Shqipëri. Pra një populizëm pa materie nuk shërben. Sistemi ynë fiskal e ka ngjitur ekonominë e këtij vendi në çatinë e botës për sa i përket lirisë ekonomike. Sigurisht që ka të varfër, sigurisht që ka akoma në mjerim, por ftoj opozitën të paraqesë propozimet e saj për ti ndihmuar ata dhe jo të paraqesë një mozaik, ku nga një anë kërkon të shndërrojë vendin në republikë tregtare, nga ana tjetër krahason Fidelin me Warren Buffet”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha, duke premtuar transparencë për çdo qindarkë të përdorur nga Buxheti i Shtetit.