E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puçi revolucionar i Egjiptit

07-12-2011 / Nga Shlomo Ben-Ami

Si zhvillohen revolucionet varet nga shumë faktorë, përfshirë edhe strukturën socio-ekonomike të një vendi, traditat e tij të veçanta historike, dhe nganjëherë edhe roli i fuqive të huaja. Prandaj Pranvera arabe kurrë nuk është pritur të jetë një proces linear, ose një version arab i revolucioneve paqësore të vitit 1989 në Evropën Qendrore. Egjipti është një rast në këtë trajtesë. Struktura e revolucioneve në shoqëri të paindustrializuara pothuajse në mënyrë të pashmangshme ka përmbledhur një pasim të valëve revolucionare dhe kundërrevolucionare. Rrëzimi i regjimit të vjetër nën peshën  e një kryengritjeje popullore është zakonisht vetëm fillimi i një lufte për kontroll të drejtimit të revolucionit. Lëvizja pa prijës e të rinjve të zemëruar egjiptianë që pushtoi sheshin “Tahrir” në shkurt të këtij viti ishte e motivuar nga dy ankesa kryesore: dekada të kaluar nën sundimin turpërues autokratik, dhe një padurim i përgjithshëm me premtimin e një “transicioni demokratik” bazuar në procese torturuese të reformës se kurrë nuk kanë prekur strukturën e pushtetit.
Trazirat e rikthyera në qytetet më të mëdha egjiptiane reflektojnë indinjatën në rrëmbimin e revolucionit nga ushtria dhe marrjen turpëruese të kujdestarisë të “transicionit” nga ana e Këshillit të Ushtrisë nën kryetarin e mareshallit Hussein Tantavi. Masat në sheshin “Tahrir” në muajin shkurt kërkuan një revolucion, por tani duket qartë se oficerët egjiptianë kishin organizuar një puç ushtarak. Ata sakrifikuan presidentin Hosni Mubarak për ta ruajtur strukturën e vjetër të pushtetit – ku ushtria përbënte shtyllën qendrore. Gjeneralët sundues ndajnë mungesën e besimit në Mubarakun nga ana e egjiptianëve të zakonshëm në rrugën për krijimin e një demokracie funksionale. Prandaj, Këshill Ushtarak e ka bërë tranzicionin demokratik shumë të gjatë, dhe ka bërë të qartë se ndryshimet e ardhshme kushtetuese nuk do të promovojnë ndonjë risi për zvogëlimin e pushtetit të klasës ushtarake, buxheti i së cilës do  të jetë larg më i lartë se çdo institucioni demokratik.
Por mbase më e rëndësishmja është se gjeneralët egjiptianë po mundohen ta modelojnë sistemin ushtarak qeverisës turk. Por, ironia është se ky model tani po shkatërrohet në Turqi. Ngulmi i gjeneralëve që kushtetuta duhet t’iu rezervojë atyre pushtet të madh për të përcaktuar kërcënimet e sigurisë – përfshirë edhe kërcënimet politike – është e papranueshme për liberalët e Egjiptit, dhe është një mesazh për Vëllazërinë Myslimane se ushtria mund të përdorë përsëri forcën për të përdorur ndonjë pretekst të kërcënimit të sigurisë publike. Nëse gjërat shkojnë në këtë drejtim, “kalorësit” e Kajros do ta kthejnë Egjiptin në një demokraci të mbikëqyrur egjiptiane në një kërcënim të përhershëm të grusht shtetit ushtarak. Çdo demokraci arabe që meriton këtë epitet është e detyruar të respektojë strukturat sociale, dhe kështu edhe rolin e religjionit në shoqëri. Frika nga islamikët më nuk mund të përdoret për shkeljen e kërkesave për liri politike, sikurse veproi Perëndimi në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur mbështeti një grusht shteti ushtarak për ta shtypur fitoren e pastër elektorale të islamikëve. Rezultat i ndërprerjes së një procesi të qartë politik në Algjeri ishte një luftë civile që mori jetën e qindra mija algjerianëve. Detyra për ta pajtuar një shoqëri të devotshme me vlerat e demokracisë shekullare pa dyshim se është një punë e vështirë. Por Turqia dhe - dikush shpreson – Tunizia, janë shembuj të mirë që mund të ndiqen. Me fjalë të tjera, ende nuk është krejtësisht e qartë se Vëllazëria Myslimane do të bëhet forca më e madhe dominuese politike egjiptiane në vitet që do të vijnë, sikurse frikësohen disa. Vëllazëria Myslimane më shumë gëzon një mbështetje aktuale për shkak të mbijetesës së tyre pavarësisht prej përpjekjeve të Mubarakut për t’i shtypur – sepse xhamitë ishin klubet e vetme “politike” që regjimi nuk mund t’i mbyllte. Në një shoqëri të hapur, fuqia e islamikëve do të sfidohet nga variacione të ndryshme politike dhe sociale të lëvizjeve të tjera politike. Vendimi i gjeneralëve egjiptianë në fazën fillestare për ta pranuar presionin amerikan dhe për ta sakrifikuar Mubarakun tregoi se ata nuk operojnë në pajtim me vlerat universale. Është e vërtetë se administrata e Barack Obamas kishte hedhur poshtë rolin e George W. Bushit në promovimin e demokracisë në vendet arabe. Ajo veproi karshi ngjarjeve, megjithëse nuk i formësoi ato. Por në fazat fillestare të revolucioneve në Tunizi dhe Egjipt, ajo dëshmoi një rol vendimtar në bindjen e ushtrisë për të mos përdorur dhunën kundër revolucionarëve. Pranvera arabe nuk është vetëm një kryengritje kundër diktatorëve arabë, është gjithashtu një akt sfidues ndaj bashkëfajësisë së Perëndimit me tiranët e rajonit. Performanca e deritanishme e Amerikës nuk ka qenë fort e qartë në këtë mesele. Në Tunizi dhe Egjipt luajti një rol të rëndësishëm kur u pa se regjimet po rrëzoheshin. Libia kryesisht u shpëtua nga fqinjët evropianë, por përgjatë Gjirit dhe në Siri, Amerika i ka braktisur protestuesit demokratikë, duke i lënë në duar të fatit. Fushata e dhunshme kundër demonstruesve që bëjnë tirrje për një fund të sundimit ushtarak në Egjipt, duhet ta nxisë Amerikën ta detyrojë ushtrinë të lejojë vazhdimin e tranzicionit demokratik që do të mbarojë në një pushtet civil. Duke lejuar ushtrinë – që ndihmë të madhe përfiton nga Amerika – të shtypë kërkesat popullore për liri dhe dinjitetin mund ta çojë poshtë, gjithë procesin dhe gjithë atë pak besim të mbetur për Amerikën në mesin e popujve arabë.

Autori, ish-ministër i Jashtëm izraelit, është zv.president i Qendrës Ndërkombëtare të Toledos për Paqe. Ai është autor i librit, “Vragat e luftës, plagët e paqes: Tragjedia arabo-izraelite”
Marrë nga “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›