E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 5 miliardë dollarësh kalon në parim nga Komisioni i Ekonomisë

Buxheti prej 5 miliardë dollarësh i vitit 2009, më i larti i të gjitha qeverive shqiptare, ka kaluar dje në parim në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Sipas zëvendësministrit të Financave, Sherefedin Shehu, projektbuxheti i shtetit 2009, përveçse garanton një stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik në vend, jep dhe marzhe sigurie, duke qenë se përballemi me një vit ku në të gjithë botën ka krizë financiare. "Ky buxhet synon të konsolidojë më tej stabilitetin makroekonomik të vendit përtej zhvillimeve që ka pasur ekonomia botërore, ndërsa ne mbetemi një vend me një stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik, për sa i takon rritjes ekonomike, nivelit të inflacionit, kursit të këmbimit, bilanceve të tjera që kanë të bëjnë me tregtinë ndërkombëtare dhe nivelit të papunësisë", - theksoi zv.ministri Shehu. Sipas tij, në projektbuxhetin e shtetit 2009 janë parashikuar edhe dy reforma thelbësore në sektorë prioritarë, si ai i arsimit dhe shëndetësisë. Në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009 programohet një rritje ekonomike rreth 6.3%, inflacioni në nivelin 3+-1%, të ardhurat janë parashikuar në 333 miliard lekë, ndërsa shpenzimet llogariten 383 miliardë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›