E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Raporti, sektori energjetik, përparim të dukshëm

Sektori më i vështirë, që çdo vit ka krijuar probleme, ai i energjisë, ka ndryshuar kah. Tashmë për këtë sektor vlerësimet vijnë pozitive. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, duke analizuar progres-raportin e BE-së, ka deklaruar se sektori i energjisë ka avancuar. "Për herë të parë në të gjithë historinë e publikimit të raporteve të progresit të BE-së, sektori energjetik shënon një përparim të dukshëm", - theksoi dje ministri Ruli, në një konferencë shtypi ku analizoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitet 2007-2008. Ruli vlerësoi se në të gjitha fushat që mbulon METE është shënuar një progres i dukshëm, krahasuar edhe me vitet e kaluara. Sipas tij, "progresi është veçanërisht i dukshëm për sa i përket përafrimit të kuadrit legjislativ me direktivat përkatëse të BE, ngritjes së institucioneve rregullatore-monitoruese, sipas modeleve dhe eksperiencave më të mira evropiane si dhe progresit në implementimin e politikave dhe programeve të reja”. Duke renditur sektorët, të cilat janë përmendur për një progres të dukshëm në institucionin që ai drejton, ministri Ruli tha se "në raport vlerësohen qartazi arritjet në sektorin energjetik, në politikat e privatizimit, në politikat industriale, në politikat tregtare, në politikat në mbështetje të SME dhe reduktimin e ekonomisë informale, në politikat e konkurrencës dhe ndihmës shtetërore, në politikat e infrastrukturës së tregut etj.". “Raporti duhet të shërbejë si një plan konkret për sa i përket vlerësimit të punës dhe progresit në sektorët e veçantë që janë në përgjegjësinë e kësaj ministrie", - tha z. Ruli, duke kërkuar nga çdo drejtori dhe agjenci në varësi të METE-s që të analizojë me hollësi raportin dhe të nxjerrë përgjegjësitë që dalin prej tij.

Çfarë thotë raporti sipas fushave dhe sektorëve:

1. Për sa u përket politikave energjetike, vlerësohet qartazi progresi i bërë në stokun e rezervës hidrokarbure, reforma tërësore ne modelin e tregut të energjisë elektrike, reforma tarifore dhe kapacitetet e ngritura tashmë të ERE. Në raport përgëzohet ligji i ri për sektorin e gazit natyror. Në raport veçohet fakti i implementimit të suksesshëm të modelit të PPP-së për ndërtimin e HEC-it. Gjithashtu edhe përpjekjet e qeverisë për ndërtimin e linjave të interkonjeksionit;

2. Privatizimi: Në raport përgëzohet privatizimi i suksesshëm i ARMO-s dhe stadi i avancuar në privatizimin e OSSH-së. Në raport theksohet se këto janë reforma të suksesshme strukturore të qeverisë; Muajt në vazhdim do të shënojë privatizimin gjithashtu të suksesshëm paketës të mbetur të aksioneve të AMC-së. Për këtë METE është duke marrë të gjitha masat;

3. Raporti vlerëson si thelbësor përmirësimin qe i është bërë klimës së biznesit në Shqipëri: ngritja dhe funksionimi i suksesshëm i QKR-së, miratimi i 6 parqeve industriale, implementimi i pagesës elektronike të taksave on-line, prokurimit elektronik, thjeshtimi i ndjeshëm i lejeve dhe licencave janë disa nga masat e ndërmarra nga qeveria.

4. Në raport vlerësohet mjaft të gjitha përpjekjet dhe arritjet në fushën e politikave industriale pro-SME, koordinimi më i mirë i të gjitha agjencive qeveritare, ligji i ri “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”, por gjithashtu evidentohen disa prioritete të cilat duhet të jenë në vëmendje të METE dhe qeverisë për vitin që vjen;

5. Vlerësohet mjaft arritja në fushën e Ndihmës Shtetërore, si dhe roli i pavarur që luan kjo njësi e METE, së bashku me Komisionin e Ndihmës shtetërore, në analizimin dhe raportimin e skemave të Ndihmës Shtetërore.

6. Integrimi i tregut të Shqipërisë me BE, për shkak të politikave të hapjes vlerësohet pozitivisht nga raporti, dhe vlerësohet gjithashtu implementimi i suksesshëm i MSA dhe i CEFTES. Kjo gjë, - vlerëson raporti, ka sjellë dhe intensifikimi i shkëmbimeve tregtare midis vendeve te rajonit.

Sektori i ujësjellës-kanalizimeve, në proces ristrukturimi tërësor

Reformimi i sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve ka hyrë tashmë në një proces ristrukturimi tërësor, përmes decentralizimit dhe komercializimit të këtyre shërbimeve, bënë të ditur burime nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE). Iniciativa ligjore për administrimin e ndërmarrjeve të furnizimit me ujë nga autoritetet lokale, rishikimi i ligjit të rezervave ujore, politikat e qeverisë në miradministrimin e burimeve ujore në tërësi, janë pjesë e një programi dhe strategjie sektoriale në kuadër të menaxhimit të integruar të burimeve ujore dhe kërkesës bazë të Direktivës Evropiane për Ujin. Të njëjtat burime shtojnë se në dhjetor të 2007 u ndërmor iniciativa për rishikimin e ligjit të Entit Rregullator të Ujit, i cili rregullon monopolin natyror ujë, në funksion të vendosjes së tarifave, sipas një procedure të miratimit paraprak nga pushteti vendor pronar. Për të siguruar një mirë-administrim të këtyre ndërmarrjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve (DPUK) së bashku me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave dhe Entin Rregullator të Ujit, nën konsulencën e ekspertëve të Bankës Botërore, po zhvillojnë një Model Standard për Marrëveshjen e Performancës, me qëllim reduktimin gradual të subvencioneve nga shteti për operimin dhe mirëmbajtjen e ujësjellës-kanalizimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›