E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: ERE jep garanci, OSSH-ja nuk do rrisë çmimin e energjisë

Kalimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes tek pronari i ri çek, nuk do të ndikojë tek ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike. Kompania çeke, CEZ, që ka blerë OSSH-në, nuk do të rrisë çmimin kur të marrë në duart e saj menaxhimin e kësaj kompanie. Ka qenë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që ka deklaruar se nuk do të ketë ndryshim të ndryshim të çmimit të energjisë. “Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe garancia vjen nga Enti Rregulltar i Energjisë”, - ka deklaruar dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Ai bëri me dije se brenda një kohe të shkurtër do të nisin negociatat për kontratën me firmën çeke dhe brenda vitit do të ketë përfunduar i gjithë procesi i privatizimit të kësaj shoqërie.

Firma çeke, CEZ, është e vetmja që përfundoi garën deri në fund. CEZ afroi 102 milionë euro për OSSH-në. Në këtë garë u paraqiten tri kompani nga katër që kanë tërhequr dokumentacionin, një italiane, një çeke dhe një austriake.

Kompania çeke, CEZ, që është kualifikuar e vetme në tenderin për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes ka pranuar kushtin e qeverisë shqiptare për të shlyer borxhet afatgjata të saj. Bëhet fjalë për një shumë prej 15.6 miliardë lekësh, që është marrë borxh nga qeveria në formën e kredive, kryesisht për investime në rrjetin shpërndarës të energjisë. Po kështu kompania CEZ ka pranuar edhe kushtin tjetër të qeverisë, atë të reduktimit të humbjeve në 32 për qind deri në fund të këtij viti dhe në 15 për qind deri në fund të vitit 2014. Ndërsa CEZ bëhet pronar i OSSH-së, asetet dhe aktiviteti i prodhimit dhe transmetimit të energjisë mbeten në duart e shtetit dhe popullit shqiptar. Investimet minimale që priten të gjenerohen nga ky transaksion vlerësohen të jenë rreth 200 milionë euro gjatë 5 viteve të para të operimit dhe duke u bazuar në targetet e humbjes në shpërndarje, të cilat CEZ-i në ofertën teknike të tyre pranoi të arrijë. Për pasojë, nëse marrim parasysh (I) investimet (II) çmimin e paguar për aksionet, dhe (III) borxhin e caktuar OSSH-së, CEZ do të kontribuojë një shumë prej 52.7 miliardë lekësh (425 milionë euro).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›