E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti, Berisha: Opozita nuk e voton, vuan sindromën e Tunelit

TIRANË- Ka nisur ne Kuvend seanca plenare ku po diskutohet ne parim projektbuxheti i shtetit për vitin 2012. Përgjatë dy javëve të gjitha komisionet e përhershme të Kuvendit kanë diskutuar në parim p/buxhetin e shtetit. 

BRACE: BUXHET NUK I JEP ASNJE PARA QYTETARIT, BERISHA GENJEN
Ora 11:55-Deputeti socialist Erion Brace akuzoi qeverine se genjen per shifrat e paraqitura ne Buxhet. Sipas Braces, buxheti eshte hartuar mbi borxhe dhe kjo vetem sa rrit koston e jetes se cdo qytetari. "Berisha genjen, buxheti nuk eshte i jashtezakonshem. Jemi ne vitin 2012 dhe rritja ekonomike eshte ne renie. Vendet e punes, genjen, niveli i punes i rrit dhe javen e kaluar. Pensionet ne qytete rriten vetem 4% dhe ne fshat po 4% dhe jane po aq larg dhe nuk jane njehesuar, se ky zoteria ketu genjen. Rritja e pagave, jo tek vendet e BE nuk i arrijme, por as ato ne rajon. Shme pyesin pse nuk kam pune, pse nuk kam rritje te te ardhurave, sepse rritja eshte stimuluar nga borxhi. Nje dite duhet ta kthejme borxhin. Konsumi ne vend ka rene dukshem.

TOPALLI: ËSHTË KOHA E PYETJEVE PËR BUXHETIN
Ora 11:50-Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli deklaroi se opozita ka mundesine të bëjë pyetje për buxhetin nëse ka të tilla. Deputetët e opozitës nuk depozituan asnjë pyetje.

BERISHA: OPOZITA NUK BËN PYETJE PËR BUXHETIN
Ora 11:40-Më tej Berisha vuri në dukje se në cdo vend të botës, opozita bën pyetje për draftin për buxhetin. “Znj kryetare Topalli është e cuditshme si në asnjë vend tjetër në Botë, opozita nuk bën asnjë pyetje për buxhetin. Pse nuk bëjnë pyetje sepse e dinë se përgjigjet dalin tërësisht dhe rrëzojnë pyetjet”.

BERISHA: BUXHETI I QYTETARIT, OPOZITA SE VOTON SE KA SINDROMEN E TUNELIT
Ora 11:00-Kryeministri Sali Berisha mori fjalën në këtë seancë plenare duke mbrojtur draftin e buxhetit të shtetit për vitin 2012. Në fjalën e tij kreu i qeverisë theksoi se buxheti është portofoli i familjeve shqiptare për vitin 2012. “ Sot, në vitin 2011 është dita më e shënuar dita në të cilën ligjvënësit e vendit, ata vendosin për buxhetin, buxhetin e 20 mijë familjeve shqiptare që janë aksionere direkt të këtij buxheti, por vendosi në buxhetin e gjithë shqiptarëve portofolët e tyre, vendet e tyre të punës, shërbimet ndaj tyre, vendosi për shkollat e fëmijëve të tyre”.
Duke theksuar se për qeverinë, parësore është interesi i qytetarit, kryeministri theksoi se ky buxhet reflekton pikërisht këtë buxhet.
Sipas Berishës, ky buxhet është jo vetëm i mirë, por ia kalon trefish buxhetit më të mirë të prezantuar nga qeveritë socialiste.
“Ia dolëm e shtuam arkën me 8 miliardë më shumë. Dhe nqs i referohemi qeverisë së mëparshme me taksën kolektive dhe të kleptokracisë së instaluar mund të themi se duke marrë vitin e tyre kulmor, del se kemi të bëjmë me 3 buxhete shtesë. Shqiptarët meritojnë 30 buxhete shtesë, por ne ja kemi dalë, 8 miliard dollarë më shumë duke mos llogaritur këtu shumë miliarda që me uljen e taksave tarifave tatimeve mbeten të paprekura”.
Kryeministri u shpreh se do te deshironte qe buxheti te ishte me i madh, por tha ai kete do e deshironin dhe vendet me qindra vite ne liri.

Berisha theksoi i bindur se opozita dhe këtë do shprehet kundër buxhetit.
“Ju nuk e votuat ne Komision kete buxhet. Unë uroj që ju të cliroheni këtë vit, se vjet ju zuri sindroma e tmerrshme e tunelit, me Tunelin e Kerrabes. Këtë vit u shfaq sindroma e tunelit të Qafe Murrizit. Vjet qëndruam deri ne orën 5:00 në këtë parlament. U mundova t’ju shëroja, absolutisht. Unë e lexoj në fytyrat tuaja se dhe këtë vit ju nuk doni ta votoni”.
Sipas kryeministrit, buxheti perballon rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet ne infrastrukture, ne shendetesi dhe veprave te medha. "Eshte buxheti i 100-vjetorit, te mos e harrojme".
Berisha me tej theksoi se buxheti ka qellim madhor, qe Shqiperia te jete dixhitale, dhe buxheti e perballoj kete."Nuk arrij te mendoj dot sesi nuk do e votoni kete buxhet".

BUXHETI: SPAHO: MBËSHTET RRITJEN EKONOMIKE
Ora: 10:37 Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho, prezantoi në Kuvend pr/buxhetin e shtetit për vitin 2012. Spaho deklaroi se pavarësisht krizës ekonomike botërore ekonomia shqiptare vazhdoi ritmet e rritjes pozitive, duke siguruar stabilitetin makroekonomik të vendit, por edhe duke nxitur konsumin e brendshëm përmes politikës së rritjes së pagave dhe pensioneve.
"Reformat e ndërmara gjatë 6 viteve të fundit forcuan ekonominë e tregut. Ulja konstante e normës së papunësisë, reforma strukturore e ato rregullatore, shkurtimi i shpenzimeve administrative, si dhe rritja e nivelit të investimeve, bënë të mundur bërjen ballë të efekteve të krizës", theksoi Spaho. 
Spaho theksoi se objektivat e pr/buxhetit të shtetit për vitin 2012 janë ruajtja e stabilitetit makroekonomik, inflacioni në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %.
Spaho deklaroi se opozita ka kundërshtuar p/buxhetin e shtetit, duke argumentuar votën kundër me faktin se borxhi publik përbën një rrezik për ekonominë.

Bode
Gjatë prezantimit në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit, Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se p/buxheti i shtetit për vitin 2012 synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, inflacionin në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %.

"Projektbuxheti i shtetit për vitin 2012 bazohet në disa shtylla dhe në një analizë realiste të ecurisë së zhvillimeve gjatë periudhës së krizës ekonomike globale, bazohet në tendencën e fundit dhe pritshmërinë për vitin 2012 që vendet e eurozonës programojnë", deklaroi Bode.

Sipas tij, për shkak të krizës globale 2009-2011 ekonomia shqiptare ka ndjerë presionet e pandërprera të krizës më të thellë prej mëse një shekulli. Ai theksoi se p/buxheti do të mbështesë edhe politikat e qeverisë, rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet në infrastrukturë, duke bërë të mundur zhvillimin ekonomik.
"Përtej këtij presioni, ekonomia shqiptare ka mundur të ruajë parametrat e saj në nivele të kënaqshme. Vijoi të rritej me një rritje mbi 3 % kundrejt një rritje mesatare në Europën Qëndrore dhe Lindore prej 0 %", tha kreu i financave publike.

Totali i të ardhurave parashikohet me një rritje prej 8 %, ose 356 miliardë lekë, me një rediment fiskal prej 25.5 % të PBB-së. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen 251 miliard lekë. Të ardhurat nga fondet speciale do të kenë një ritëm rritje me 5.6 % . Shpenzimet e buxhetit të shtetit parashikohet të jenë në parametrat që të mundësojnë një defiçit jo më shumë se 3 %. "Do të jenë 397 miliardë lekë ose 28.5 % e PBB-së, ç'ka përbën një kompletim të fizionomisë së një qeverisje të vogël", nënvizoi Bode.
Bode bëri të ditur se objektivat do vazhdojnë të jenë rritja e pagave dhe pensioeneve, mbështetja me rreth 5 % e PBB-së e investimeve publike, duke ruajtur nielin më të lartë të investimeve publike në hapësirën e vendeve të Europës. Shpenzimet e sigurimeve shoqërore vijojnë të mbeten të larta e të pasqyrojnë politikën për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Në këtë drejtim, Bode parashtroi nevojën e ndërmarrjes së një reforme më të gjerë, ndërsa ftoi edhe opozitën për mbështetje për realizimin e saj.

Opozita
Por opozita tashmë ka deklaruar votën kundër këtij projekti të qeverisë. Vetëm dy ditë më parë Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, se kriza ekonomike ka prekur palcën e ekonomisë kombëtare dhe familjare. Kreu socialist paralajmëroi një debat të fortë në Parlament për buxhetin e vitit 2012 nga deputetët socialistë, duke dhënë alarmin se efektet e krizës do të jenë shumë të mëdha për vendin. "Ne Grupi Parlamentar i opozitës në qasjen tonë largpamëse duhet të vëmë alarmin fundor në debatin për projektbuxhetin. Nesër do të jetë shumë vonë dhe kostot e rimëkëmbjes do të jenë të papërballueshme për një kohë të gjatë", u shpreh Rama.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›