Buxheti, PS: Shifrat nxjerrin zbuluar premtimet e Berishës
TIRANË- Buxheti i shtetit nxjerr zbuluar premtimet e kryeministrit Sali Berisha për bujqësinë. Kështu ka deklaruar sot nënsekretari për Programin në PS, Ervin Bushati, sipas të cilit qeveria i jep bujqësisë në fshat 42 herë më pak se sa kontributi real që ajo sjell në ekonominë tonë.
Gjatë një conference për shtyp Bushati analizoi buxhetin e shtetit, duke konstatuar se edhe njëherë premtimet e Berishës janë boshe.
Sipas tij, bujqësia është sot një e pesta e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, por merr vetëm gjysmë për qind në projektbuxhetin për vitin 2010 të paracaktuar për Ministrinë e Bujqësisë.
Bushati ka bërë fajtor Sali Berishën që politikat ekonomike në bujqësi janë tepër të pafuqishme dhe pa fondet e duhura për të ndryshuar jetën e vështirë në fshat.
"Bujqësia e mbetet sërish "Liliput" nën "vizionin kolosal" të zotit Berisha, i cili merret vetëm me vepra të mëdha dhe harron "realitetin e vogël" të familjeve shqiptare në fshat"- tha ai, duke shtuar se edhe se në projektbuxhetin e vitit 2010, Qeveria Berisha ka përcaktuar vetëm investime minimale për gjysmën e familjeve shqiptare që mbijetojnë në fshat dhe të vetmin mjet jetese kanë aktivitetin bujqësor.
Sipas tij, vështirësitë ekonomike në investime, infrastruktura tërësisht e mangët dhe një treg bujqësor kaotik, e bëjnë të pamundur zhvillimin normal të një aktiviteti rural fitimprurës për familjet në fshat.
Në fund, Bushati ka deklaruar se gjendja ekonomike dramatike në fshat nuk ndryshon dot, po nuk ndryshoi mentaliteti qeverisës dhe përkujdesja reale për gjysmën e familjeve shqiptare në vend.
*****
PS: Mbi 90 mijë familje, më pak se 10 $ në ditë
TIRANË- "Qeveria nuk ka menduar për jetën e qytetarëve të vet, pasi i ka shkatërruar financat si pasojë e zgjedhjeve elektorale". Kështu është shprehur sot gjatë një konference për shtyp deputeti socialist, Ilir Beqja, i cili ka deklaruar se si rrjedhojë e politikave të ndjekura nga qeveria sot familjet shqiptare vuajnë varfërinë.
"Mbi 90 mijë familje në Shqipëri jetojnë me më pak se 10 dollarë në ditë. Në vigjilje të 17 tetorit, ditës botërore të çrrënjosjes së varfërisë, familjet shqiptare vazhdojnë të jenë më të varfra se një vit më parë"- tha ai.
Beqja theksoi se janë familjet shqiptare ato që ndiejnë direkt pasojat e politikave të qeverisë, e cila ka shkatërruar financat publike si pasojë e zgjedhjeve elektorale. Sipas tij, sot në vend prodhohet pak ose shumë pak, ndërsa zhvleftësimi i lekut me të paktën 10 % është një taksë e re e fshehtë që po paguajnë më së shumti familjet e varfra.