E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandatet dhe Kushtetuta

Pas provokimit publik që Kryetarja e Kuvendit i bëri opozitës se, do t'i drejtohej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me mbarimin ose jo të mandateve të deputetëve të cilët nuk kanë hyrë në parlament, pati një reagim nga shumë politikanë dhe ekspert të çështjeve juridike.


Është normale që çështje kaq e ndjeshme për publikun do të sillte një reagim dhe do të jepeshin mendime kontradiktore. Por, duke qenë një çështje më tepër juridike se politike, është momenti që më shumë se politikanët, të shprehen juristët.


Për të bërë një interpretim të saktë faktin se a mund të konstatohet mbarimi i mandateve të deputetëve të Partisë Socialiste apo pavlefshmëria e tyre dhe rrjedhimisht zëvendësimin e tyre me kandidatët pasardhës në lista, duhen analizuar në mënyrë të paanshme dispozitat kushtetuese, dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi, si dhe disa parashikime të rregullores së Kuvendit Popullor, referuar pavlefshmërisë, mbarimit të mandateve dhe zëvendësimit të deputetëve.


Për sa i përket situatës reale, ajo është e qartë për të gjithë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur deputetët të cilët kanë fituar mandatet për të përfaqësuar popullin në kuvend, por 64 deputetët e Partisë Socialiste nuk janë paraqitur në asnjë seancë parlamentare dhe ajo që është më e rëndësishmja, nuk kanë kryer betimin, gjë e cila nënkupton se, ata janë deputetë por, nuk mund të ushtrojnë këtë detyrë.


Kushtetuta në nenin 71 të saj, parashikon disa arsye për të cilat mandate i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, Për rastin konkret 2 prej tyre lidhen me situatën juridike dhe faktike të deputetëve që nuk kanë bërë betimin: rasti kur deputetët mungojnë më shumë se 6 muaj në parlament dhe kur nuk kryejnë betimin.


Betimi i deputetëve të Kuvendit nuk është thjesht një veprim formal apo simbolik. Ai nuk përfaqëson vetëm aktin e ngritjes në këmbë dhe shqiptimit të fjalës "betohem". Betimi i një deputeti të Kuvendit është kushtetutshmërisht shumë i rëndësishëm; kur bën betimin ai publikisht dhe solemnisht pranon detyrimin të veprojë në linjë me detyrimet e betimit dhe mos ta thyejë atë për asnjë rrethanë.


Betimi kryhet në seancën e parë në të cilën deputeti është pjesëmarrës, dhe në rast se mungon së seancën e parë, betimi për në seancën e parë në të cilin ai është prezent. Por në Kushtetutë apo në akte të tjera ligjore nuk ka një afat brenda të cilit është e detyrueshme kryerja e betimit.


Është e qartë se, lidhur me betimin, i vetmi rast kur mos bërja e betimit sjell mbarimin ose pavlefshmërinë e mandatit është ai kur, deputeti refuzon publikisht të kryejë mandatin ose heq dorë nga mandati po në mënyrë (neni 164, Kodi Zgjedhor). Në rast se, deputetët nuk shprehen publikisht se nuk kryejnë betimin apo heqin dorë nga mandate, atëherë Kuvendi apo KQZ, nuk mund të vendosin apo kryejnë një procedurë për zëvendësimin e deputetëve.


Një vendim i tillë nëse do të merrej do të ishte një vendim në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Kodin Zgjedhor (fatkeqësisht kjo KQZ ka treguar në raste të përsëritura që mund të shkelë si Kushtetutën, ashtu edhe Kodin Zgjedhor). Mungesa e një afati brenda të cilit një deputet duhet të kryejë betimin mund të jetë një vakum ligjor por, për aq kohë sa nuk parashikohet një afat i tillë, deputetët nuk mund të privohen nga e drejta e paraqitjes në parlament në një moment më të mëvonshëm nga kolegë e tyre.


I vetmi sanksion për këta deputetë, nëse mund ta quajmë të tillë, është fakti se ata nuk mund të ushtrojnë të drejtat për të përfaqësuar zgjedhësit e tyre.
Aspekti tjetër kushtetues që sjell mbarimin e mandateve ose pavlefshmërinë e tyre, është mungesa e një deputeti për më shumë se 6 muaj rresht në Kuvend.


Në këtë rast Kushtetuta vendos një rregull të qartë për ata deputetë të cilët, pasi janë zgjedhur dhe kanë kryer betimin, neglizhojnë në ushtrimin e detyrimeve që kanë ndaj zgjedhësve të tyre dhe ndaj Kuvendit. Por, në këtë rast është e qartë se, më parë deputeti duhet të ketë kryer betimin, të ketë filluar ushtrimin e mandatit të deputetit dhe më pas ai refuzon ta ushtrojë këtë mandat.


Kjo është një dispozitë ndëshkuese ndaj deputetëve që mënyrë direkte apo indirekte, neglizhojnë në ushtrimin e përgjegjësive të tyre dhe pasoja është ndërprerja e mandatit. Në rastin e deputetëve të Partisë Socialiste, ky arsyetim nuk përligj ndërprerjen e mandatave sepse edhe jashtë Kuvendit ata kanë shprehur me forcë qëndrimet e tyre politike për çështje të ndryshme (mbrojta e votës, mbrojta e kufijve territorialë apo çështje të tjera).


Gjithashtu, nëse shihen me kujdes edhe praktikat kushtetuese të shumë vendeve të tjera, situata është pothuaj e njëjtë, mandatet ndërpriten nëse deputeti publikisht refuzon betimin, ose kur pas bërjes së betimit, nuk ushtrohet mandati në mënyrë të pajustifikuar. Por, drejtuesit e Kuvendit apo Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga praktikat ndërkombëtare, përdorin vetëm ato që përkojnë me interesat e maxhorancës aktuale.
*Autori është jurist

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›