E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, Ruci: Pranoni tetë propozimet tona, që të votojmë pro

TIRANË- Që prej orës 10:30 në Kuvend pa zhvillohet një seancë maratonë ku po diskutohet në parim projektbuxheti i shtetit për vitin 2012-të. Përgjatë dy javëve të gjitha komisionet e përhershme të Kuvendit diskutuan në parim p/buxhetin e shtetit, diskutim që sot u zhvendos në sallën e Parlamentit. Opozita po kritikon ashpër draftin e qeverisë. Sipas socialistëve, pr/buxheti 2012-të nuk merr asnjë masë për krizën ekonomike, ndaj së cilës bota është në ankth. Opozita deklaron se do të votonte një buxhet që ka shifra reale, por qeveria gënjen për cdo deklarim të tyre dhe anashkalon thirrjet e ndërkombëtareve. Problem, sipas socialistëve mbetet dhe borxhi publik. Në fjalën e tij para ligjvënësve, Kryeministri Berisha mbrojti draftin dhe sulmoi opozitën si të sëmurë me sindroma, që ai si kryeministër nuk i shëron dot. Berisha theksoi se drafti i paraqitur sot është më i miri, mbron qytetarin dhe nuk prek rritjen e pagave e pensioneve apo sistemin fiskal.

Debati herë pas here kalon me replika dhe batuta mes Berishës dhe deputetëve të PS.

RUCI: PRANONI PROPOZIMET TONA, NËSE DONI QË TË VOTOJMË BUXHETIN
Ora 19:50- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruci gjatë fjalës së tij në këtë seancë maratonë i kujtoi kryeministrit Berisha se ka folur plot 144 minuta, brenda të cilave nuk iu ka thënë shqiptarëve asgjë, nga ato që prisnin, sic tha Ruci.

Sipas Rucit, shqiptarët duan të dinë nëse ka rritje ekonomike gjatë këtij buxheti, nëse zbuten apo jo efektet e krizës, nëse luftohet apo jo korrupsioni, nëse ka apo jo më shumë përkujdesje për fëmijët e tyre. Ruci tha më tej, se në Kuvend nuk u kthye asnjë përgjigje për këto pyetje pasi “ Ky buxhet nuk ndihmon në zhvillimin ekonomik të vendit, sipas shifrave rritja ka ndaluar. Nuk zbut efektet e krizës, në kushtet kur barra fiskale në çdo familje nga 32% ka shkuar në 38%, nuk shoqërohet me ulje të borxhit publik, ky buxhet nuk zbut varfërinë, nuk ul papunësinë, nuk ka politika të reja fiskale, nuk mbështet shëndetësinë që është ku thërret qameti, nuk mbështet arsimin, nuk nxjerr bujqësinë nga feudalizmi i sotëm, ky buxhet nuk shpëton dot vendin nga plehrat, nuk përmirëson mjedisin shkatërrimin e lumenjve, pyjeve, ky buxhet dobëson buxhetin e pushtetit vendor, nuk lufton korrupsionin, nuk jep asnjë shpresë për ish të përndjekurit politikë, për ish-pronarët, nuk adreson asnjë nga 12 prioritetet e BE”, nënvizoi Ruci.

Ruci deklaroi në Kuvend se borxhi faktik shqiptar është 100%. Kjo sic shpjegoi ai do të thotë që “edhe kur lahemi, edhe kur vishemi, edhe kur ushqehemi, të gjitha i bëjmë me lekë borxh”, tha Ruc më tej.

Ruci i kujtoi edhe njëherë kryeministrit Berisha të pranojnë 8 propozimet e PS-së me qëllim që të majtët të japin votën e tyre pro.
“1- Pranojeni që ju si kryeministër dhe ne si deputetë të paguajmë më shumë tvsh për pagën, dhe hiqja mësuesit, infermierit.
2- Paguajnë dy herë më shumë taksa, siç thashë për sheqer, vaj, barna, energji, ne nuk e pranojmë këtë padrejtësi. Tvsh e bukës, miellit të kushtojë 17% me pak. 3- Sot shqiptarët paguajnë 10% tvsh për barnat për shërbimet shëndetësore, ti 3 herë më pak, dhe unë 2 herë më pak. Deklarohu që ti dhe unë të paguajmë më shumë.
4- Një litër naftë për fermerët blihet 1700 deri 1800, 800 është vetëm tvsh-ja jote, ta ulim.
5- Sot popullata paguan 20% tvsh të energjisë, ne themi ule në 6%.
6- Sot të gjithë fëmijët, paguajnë tvsh-në e libirit, hiqe.
7- Të zgjidhim përfundimisht çështjen e pronës. Të ngrejmë një Komietet, parashikoje në buxhet.
8- Të përndjekurit që kanë mbushur 75 vjeç, t’i bëhet dëmshpërblimi i menjëhershëm”, -deklaroi Ruci.

DULE: DO FUNDOSENI SI TITANIKU, BERISHA: PO E DRAMATIZON
Ora 19:10- Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule ngriti disa pikëpyetje për pr/buxhetin 2012-të. Sipas tij nuk ka mundësi që një vend si Shqipëria, i ndodhur kaq pranë Greqisë e Italisë, të mos preket nga kriza ashtu si ato. Dule tha se me këtë buxhet qeveria “I ngjan anijes së Titanikut vetëm ca minuta para fundosjes së saj”.

Në replikë kryeministri Berisha tha se argumentat e Dules nuk qëndrojnë.
“Të dramatizosh në këtë mënyrë, kjo nuk qëndron. Nuk është se kriza nuk ndikon tek ekonomia shqiptare por fakti është fakt, se ekonomia shqiptare ka realizuar të ardhurat doganore dhe tatimore rreth 8 mld më shumë se vitet para tyre”, komentoi Berisha.

KSERA: P/BUXHETI UL VARFËRINË, RRIT PUNËSIMIN
Ora 18:44- Ministri i Punës, Spiro Ksera deklaroi sot në sallën e Kuvendit se "projektbuxheti i vitit 2012-të është më i madhi i planifikuar ndonjëherë për Ministrinë e Punës". Sipas Kserës,"ky p/buxhet mundëson realizimin e prioriteteve në fushat që Ministria mbulon për uljen e varfërisë dhe rritjen e punësimit. Në 2012 do përfitojnë formim profesional në qendrat publike 9 000 persona, nga të cilët 7.000 punëkërkues të papunë do të formohen në kurse profesioni. Punësimi post-formim parashikohet të jetë mbi 50%", bëri të ditur Ksera.

BERISHA-OPOZITËS: PRANOJENI SE JENI TË SËMURË
Ora 18:31 Kryeministri Berisha ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes socialiste Klodiana Spahiu, e cila deklaroi se në Shqipëri 1 në 2 persona vuan nga sëmundjet e zemrës. Shefi i qeverisë i bëri thirrje deputetes së PS-së se nisur nga statusi i saj si mjeke nuk i takon që të thotë të pavërteta.
“Tu thuash shqiptarëve se njëri prej dy prej jush vuan nga sëmundje zemre u thua një nga të pavërtetat më të mëdha. Kjo do thotë se ke një problem serioz me veten se shqiptarët nuk kanë probleme kardiovaskulae. Një dejklaratë të tillë nuk mund ta bëjë një njeri me diplomë mjeku, këtë e nxjerr nga universiteti i PS. Në mjedisin tënd mund të jenë 75 % që vuajnë me depresion, por ka tregues të PNUD. Në mjedisin tend problemet maniako depresive mund të jenë të mëdha, por kjo nuk mund të jetë kurrë në elektroratin socialist. Të garantoj se ekzistojnë marrëdhëniet më njerëzore midis mjekëve dhe të sëmuërëve. Mos merr fjalorin politik për ti transportuar ato në marrëdhëniet mjek pacient”,- deklaroi Berisha.
Si replikë kundra akuzave të kreut të qeverisë, deputetja e PS-së Klodiana Spahiu u betua se akuzat ndaj saj janë të pavërteta dhe statistikat i ka marrë nga ministria e Shëndetësisë.
“Akuzat ndaj meje nuk janë të vërteta. Atë e kam lexuar në raportin e ministrisë së Shëndetësisë. Për këtë ju betohem!.

Berisha: “ Atëherë pranojeni se po e thoni për vehten tuaj”.

BEJA: BUXHETI FON TË VECANTË ËPR PAGAT DHE PENSIONET
Ora 17:58 Deputeti demokrat Fatos Beja i ka bërë thirrje opozitës që të votojë buxhetin e vitit 2012, pasi sipas tij ai ofron një fond të vecantë për të ruajtur pagat dhe pensionet. “Ka një fond për të ruajtur pagat dhe pensionet që të garantojë rrogat e njerëzve. Ndaj shikoni gjërat me objektivtet. A i shikoni shtëpitë dhe rrugët që janë bërë në fshatra”,- theksoi Beja. Ai deklaroi se do e votojë buxhetin ndërkohë i ka bërë thirrje opozitës ta votojë edhe ajo për të mirën e vendit.

SHAMKU: SALI RRIT BUXHETIN PËR ARSIMIN!
Ora 17:42- Ledi Shamku, deputetja e PS-së deklaroi hapur votën e saj kundër buxhetit, pasi sic tha ajo, buxheti për arsimin ai është rritur vetëm 2.5%, sa gjysma e premtimit. Deputetja i bëri thirrje kryeministrit Berisha ta conte fondin për arsimin në 5%, që të kishte votën e saj.
“Nëse do votën time Sali, rrite me 5% buxhetin për arsimin, nëse nuk e bën ik...”, komentoi Shamku.

VOKSHI: KY BUXHETI I VAZHDIMIT TË REFORMAVE
Ora 17:25- Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi e cilësoi buxhetin e vitit 2012-të, si buxhetin ku do të vazhdojnë reformat e ku vendi do të jetë më pranë familjes europiane.
“Ky është buxheti më i madh në vlerë nominale, me rritje 5.4% ndaj atij të vitit të kaluar. Është realist, e i qëndrueshëm. Ky buxhet vazhdon në rrugën e reduktimi të shpenzimeve operative, vazhdon të garantojë mbështetjen sociale, garanton politika e rritjes së pagave. Ky është buxheti më i përgjegjshëm dhe i besueshëm, më afër familjes europiane dhe me afër realizmit të reformave”, tha Vokshi.

XHACKA: BUXHETI NUK JEP ZGJIDHJE, DËGJONI PROPOZIMET TONA
Ora 17:05- Deputetja socialiste Olta Xhacka , gjatë fjalës së saj në seancën plenare ku po diskutohet p/buxheti për vitin 2012 deklaroi se qeveria nuk mund të zgjihdë krizën në kurriz të qytetarëve.
“Pr/ buxheti nuk i jep zgjidhe problemeve që përballet vendi. Nuk zbut varfërinë, kur ndihma ekonomike është ulur, nuk ul papunësinë në kushtet kur numri i të papunëve vetëm rritet, nuk dëmshpërblen ato që u ka sjellë dëme. Ekonomia vuan nga mungesa e konkurueshmërisë. Qeveria nuk mund të zgjidhë krizën në kurriz të qytetarëve. Ne i kemi bërë propozimet tona”,-deklaroi Xhacka.

IMAMI: BUXHETI DO MBËSHTESË DEMONTIMIN E ARMËVE
Ora 16:07- Ministri i Mbrojtjes Arben Imami gjatë fjalës së tij të mbajtur në fotltoren e Kuvendit deklaroi se në buxhetin e vitit 2012 prashikohet një fond për mbështetjen e forcave të armatsura, të denjë për angazhimin e saj në NATO. “Buxheti do të mbështesë një strukturë organike, dhe gjithë strukturave të forcave të armatosura. Si anëtarë të NATO-s duhe të përcaktojmë strukturën e forcës tonë. Duhet të përcaktojmë demontimin e armëve sipas planit të demontimit. Procesi i plasjes do të përfundojë brenda vitit 2012. Ta shëndërrojmë nga një forcë mbrojtjese në forcë trajnuese”,- deklaroi ministri Imami.

VASILI: DO RRISIM SHËRBIMET SPITALORE
Ora 15:35 Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, deklaroi se rritja e kontaktit të mjekut të familjes me pacientin në parësor, si dhe plotësimi i nevojave të spitaleve rajonale me aparatura për imazherinë dhe mbulim i nevojave të popullatës për shërbim spitalore janë ndër objektivat kryesore të projektbuxhetit për vitin 2012 për shëndetësinë. "Buxheti i kësaj ministrie në total për vitin 2012, në krahasim me buxhetin e rishikuar 2011, është parashikuar të rritet në masën 339 milionë leke, duke përfaqesuar 2.09 % të PBB", tha Vasili.
Sipas tij, këto fonde do të shërbejnë kryesisht në arritjen e objektivave si përmirësim të ofrimit të shërbimit parësor nëpërmjet zgjerimit të skemës së medikamenteve nga 420 në vitin 2011, në 430 në vitin 2012. "Sigurimi i qëndrueshmërisë së mbulesës vaksinale për vaksinat e kalendarit të vaksiminit në masën 95% është një tjetër objektiv në p/buxhetin 2012 për shëndetësinë'- theksoi Vasili.

MINISTRI HALIMI: 2012, VITI I REFORMAVE TË THELLA
Ora 14:30- Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, theksoi sot se fondi për investime në ministrinë e Drejtësisë është katërfishuar për vitin 2012.
Duke folur për buxhetin e vitit të ardhshëm, në seancën e sotme plenare ne Kuvend, Halimi tha se viti 2012 do të jetë viti me buxhetin më të madh në ministrinë e Drejtsisë, duke përbërë vitin e reformave të thella.
Sipas tij, dixhitalizimi do të jetë kryefjala e të gjitha reformave në Ministrine e Drejtesisë, së pari në zhvillimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe përfundimin e dixhitalizimit të të gjithë gjykatave, dixhitalizimin e shërbimit të noterisë, që do ta modernizojë këtë sherbim, duke ulur koston financiare për veprimet juridike për pasuritë e paluajtëshme dhe projektin për mbikëqyrjen elektronike që do të modernizoje sistemin e burgjeve, me impakt në rritjen e mëtejshme të sigurise publike.
"Ky buxhet është më i madhi për investimet që ka patur gjatë këtyre viteve, pasi ai do të sjellë reformën e jashtëzakonëshme të dixhitalizimit të sisetmit të burgjeve, noterisë, përmbarimit, hipotekave, gjykatave", tha ministri Halimi, duke shtuar se kjo është ajo që duan qytetarët, shërbim më të mirë si dhe progres më të mirë për vendin.

BERISHA: GJELBËRUAM SHESHIN, BLUSHI: E HYPET SKËNDERBEUN MBI NJE LOPE NË FUSHË, DUKET SIKUR HA BAR
Ora 14:00-I sapokthyer në sallën e parlamentit pasi ishte shkëputur për një inagurim, Berisha replikon me Ben Blushin lidhur me deklaratën e tij për buxhetin 2012 që po diskutohet prej paradites në parim.
Kryeministri Berisha akuzoi se opozita po vjell vrer mbi buxhetin. Ai kujtoi sheshin Skënderbej ku sipas Berishës cdo taksë gjelbërimi kalon në mbjellje te pemëve.
“Po ju citoj disa rreshta te nje shkrimtari. Kravaten time me te mire do ia lidh kalit te pare qe do me dale para. Po villni vrer ndaj buxhetit. Ju sjell këtu Tiranën. Qytetarëve të Tiranës u kushtoi 5 mijë dollarë një pemë me qeverisjen tuaj vendore. Mblidhnit taksën e gjelbërimit, por nuk thoni dot pyllëzuam Tiranën, këtë se thoni dot. Shko shikoje sheshin, mori drejtimin e zhvillimit jeshil. Nga betoni kaloi në shesh të gjelbëruar. Shihni more. A e kuptoni se çfarë ishte piramida apo jo? Piramida nuk ndërtojmë më. Nuk bëjmë Kurbane e rite të vdekjes. Ne kemi ritin e jetës. Atëherë më sulmuat kur fola për Harry Poter po tani që ju mbiu Kurbani tek dera e partisë? E merrni me detyrim dhe e lexoni me detyrim librin. Ja pra që ju mbiu Kurbani juve””.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i Ben Blushit. “Kollares po i vure llastik e var ku te duash. Po flet për taksat, por si ka mundësi, vetëm dyqani i Saliut nuk taksohet. Ai sheshi është bërë mirë se më jep mundësi të shkoj në shtëpi 5 minuta më shpejt në shtëpi por a mund të ma thotë njeri si të shkoj më tek monumenti. E keni hypur Skëndërbeun mbi një lopë dhe e keni lënë aty të kullosë bar ne fushe. Kjo nuk është për të qeshur. Po pati mundësi Saliu të shkojë tek monumenti pa hequr këpucën jam gati ta ndjek dhe unë” . 

FINO: HIQNI KUSHTËZIMET NË NENIN 15
Ora 13:50- Deputeti i PS-së Bashkim Fino theksoi se kushtëzimet e parashikuara në nenin 15 të pr/buxhetit janë të papranueshme.

“Do ta votoj buxhetin nëse rregulloni disa pika. Hiqni kushtëzimet që janë vendosur në nenin 15. Nëse flisni për grante të pakushtëzuara nuk mund të vendosni kushtëzime. Rritja e grantit duhet të jetë 7%.”- deklaroi Fino.

BLUSHI: BUXHETI I LARTË SE U RRIT BORXHI PUBLIK. QEVERIA KUJDES PRIVATIZIMET
Ora 13:35-Deputeti socialist Ben Blushi u shpreh se nqs buxheti është rritur sic thotë qeveria, kjo ndodhi pasi borxhi publik u rrit.
“Borxhi mbetet një problem kronik për Shqipëri, po zhyt ekonominë e botës se qeveritë paraardhëse nuk ditën t’i venë kufi. Ka ardhur koha të vemë kufizime. Nqs rritja e këtij buxheti ka ndodhur se borxhi është rritur e lamë 54% dhe shkoi 64%. Dhe normale, Kryeministri nuk përgjigjet dot sesi do paguhet borxhi publik në Shqipëri. Borxhi të mos trashëgohet kjo është cështja”.
Sipas Blushit, qeveria vjen në këtë parlament me formulën të shesin objektet shtetërore që kanë mbetur të ulim borxhin. Deputeti socialist apeloi që privatizimet të bëhen me seriozitet dhe jo me urgjencë. “ Privatizimet e atyre që kanë mbetur po bëhen me urgjencë, për të mbuluar borxhin, këto asete po shiten shumë lirë, nën kosto pa folur pastaj për korrupsionin. Ky parlament nuk mundet më të lejojë që asetet të shiten lirë, për interes të qeverisë. Njësoj si t’i shesësh për 5 lekë”.

RULI: RRIT MBËSHTETJEN PËR FERMERËT SHQIPTARË
Ora: 13:20- Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, gjatë diskutimit të projekt-buxhetit të shtetit për vitin 2012, sot në senacën plenare të Kuvendit, tha se "projekt/buxheti 2012 për ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit arrin në rreth 6.8 miliardë lekë, me nje rritje 5,2% më shumë se në 2011, ku prioritet janë zbatimi i programeve që kanë nisur financimin dhe synojnë zhvillimin zinzhir të sektorit rural".

Duke shprehur optimizëm për investimet dhe financimet e rëndësishme që janë planifikuar të realizohen vitin që vjen, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm rural, Ruli nënvizoi se përparësi financimi nga buxheti 2012 do të marrin projekti kombëtar i lançuar nga Kryeministri Berisha për mbjelljen e shtimin e sipërfaqeve me arrore, lajthi, gështenja, arra, shegë dhe bajame, si projektet më të leverdisshme për vendin, ndërkohë që, projekti për ullishtarinë vazhdon të bartë rëndësi për ekonominë rurale.
Ministri Ruli i bëri apel deputeve të opozitës që të votojnë projekt-buxhetin 2012, si buxhetin që reflekton vazhdimësinë dhe konsistencën e programit të qeverisë, të ndërmarrë në vite dhe që synon të përmbushë objektivat e qeverisë për uljen e varfërisë dhe rritjen e të ardhurave familjare.

AHMETAJ: BUXHETI, SIMBOL I DËSHTIMIT
Ora 13:10 - Deputet socialist Arben Ahmetaj deklaroi se pr/buxheti i vitit 2012 është simbol i qartë i dështimit të qeverisë dhe krizës që ka përfshirë vendin.
“Buxheti që keni paraqitur është simbol i qartë i paaftësisë, korrupsionit dhe krizës ekonomike që ka pllakosur vendin vetëm për fajin tuaj. Ky buxhet është realist vetëm në një drejtim, u thotë shqiptarëve: Me Saliun je më i varfër.”- u shpreh Ahmetaj.

MALAJ: BUXHETI I DËSHTUAR, VOTOJMË KUNDËR DËSHTIMIT
Ora 12:15-Deputeti socialist Arben Malaj theksoi në fjalën e tij në Kuvend ku po dikskutohet buxheti 2012 në parim se viti i ardhshëm nuk do të jetë i lehtë dhe se buxheti i hartuar nuk plotëson kriteret përballë krizës në eurozonë. “FMN, BERZH BB po bëjnë paralajmërime serioze, rritja ekonomike nuk parashikohet 4.3 % por rreth 2%. Vendi ynë regjistrohet si vendi me borxhin më të lartë në rajon”.
Malaj theksoi se vota e tij për pr/ligjin do të jetë kundër jo si draft, por kundër dështimit që parashikohet me atë buxhet.
“Ne nuk jemi kundër një buxheti të shtetit, por kundër dështimit në thelb pasi ju dështuat dhe në vitin 2011”
“Ju për të mbijetuar politikisht keni vërtetuar se shkatërroni cdo gjë dhe financat. Ndaj nuk bashkohemi me këtë qëllim”.

BRACE: BUXHETI NUK I JEP ASNJE PARA QYTETARIT, BERISHA GENJEN
Ora 11:55-Deputeti socialist Erion Braçe akuzoi qeverinë se gënjen për shifrat e paraqitura në buxhet. Sipas Braçes, buxheti është hartuar mbi borxhe dhe kjo vetëm sa rrit koston e jetesës së çdo qytetari.

"Berisha gënjen, buxheti nuk është i jashtëzakonshëm. Jemi në vitin 2012 dhe rritja ekonomike është në rënie. Vendet e punës, gënjen, niveli i të papunëve u rrit dhe javën e kaluar. Pensionet në qytete rriten vetëm 4% dhe në fshat po 4%. Rritja e pagave, jo tek vendet e BE nuk i arrijmë, por as ato ne rajon. Shumë pyesin pse nuk kam punë, pse nuk kam rritje të të ardhurave, sepse rritja është stimuluar nga borxhi. Një ditë duhet ta kthejmë borxhin. Konsumi në vend ka rënë dukshëm. Shqiptarët nuk kanë nevojë për borxh, por për punë."

Deputeti socialist akuzoi qeverinë se po manipulon shifrat e rritjes ekonomike për të fshehur të dhënat reale që tregojnë rritjen e borxhit publik të vendit.
“Borxhi i vendit është rritur me 3.5 miliardë dollarë, që prej vitit 2005. Rritja ekonomike e manipuluar duket sikur e zvogëlon borxhin, por ai është aty. Berisha po luan me falimentin, ne duhet të paguajmë shtesë për borxhin e vendit.”- u shpreh Braçe.

Sipas Braçes, korrupsioni po nënshtron shtetin tonë pasi sipas tij, “kryeministri Berisha po mban me thonj pushtetin duke treguar se nuk i do shqiptarët.
"80 përqind e pasurisë në vend zotërohet prej 1 përqind të popullsisë shqiptare. Së bashku kemi arsye të rrëzojmë sa më parë këtë qeveri, duke parë varfërinë e madhe, problemet që po has populli çdo ditë.", deklaroi Braçe.

TOPALLI: ËSHTË KOHA E PYETJEVE PËR BUXHETIN
Ora 11:50-Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli deklaroi se opozita ka mundesine të bëjë pyetje për buxhetin nëse ka të tilla. Deputetët e opozitës nuk depozituan asnjë pyetje.

BERISHA: OPOZITA NUK BËN PYETJE PËR BUXHETIN
Ora 11:40-Më tej Berisha vuri në dukje se në cdo vend të botës, opozita bën pyetje për draftin për buxhetin. “Znj kryetare Topalli është e cuditshme si në asnjë vend tjetër në Botë, opozita nuk bën asnjë pyetje për buxhetin. Pse nuk bëjnë pyetje sepse e dinë se përgjigjet dalin tërësisht dhe rrëzojnë pyetjet”.

BERISHA: BUXHETI I QYTETARIT, OPOZITA SE VOTON SE KA SINDROMEN E TUNELIT
Ora 11:00-Kryeministri Sali Berisha mori fjalën në këtë seancë plenare duke mbrojtur draftin e buxhetit të shtetit për vitin 2012. Në fjalën e tij kreu i qeverisë theksoi se buxheti është portofoli i familjeve shqiptare për vitin 2012. “ Sot, në vitin 2011 është dita më e shënuar dita në të cilën ligjvënësit e vendit, ata vendosin për buxhetin, buxhetin e 820 mijë familjeve shqiptare që janë aksionere direkt të këtij buxheti, por vendosi në buxhetin e gjithë shqiptarëve portofolët e tyre, vendet e tyre të punës, shërbimet ndaj tyre, vendosi për shkollat e fëmijëve të tyre”.
Duke theksuar se për qeverinë, parësore është interesi i qytetarit, kryeministri theksoi se ky buxhet reflekton pikërisht këtë buxhet.
Kryeministri theksoi se në sajë të reformave të gjithanshme të maxhorancës në këto vite dhe mbi të gjitha modelit ekonomik të vendosur, shqiptarët ia dolën që në një hark kohor 6-vjeçar të inkasojnë në buxhetin e tyre rreth 8 miliardë dollarë më shumë.
"Gjatë këtyre viteve kemi bërë tre buxhete shtesë, shqiptarët meritojnë 30 buxhete shtesë, por ne ia kemi dalë të mbledhim në këto vite tetë miliardë dollarë më shumë, duke mos llogaritur këtu shumë miliarda me uljen e taksave, tarifave, tatimeve, doganave etj", tha kreu i qeverisë”.
 
Berisha theksoi i bindur se opozita dhe këtë do shprehet kundër buxhetit.
“Ju nuk e votuat ne Komision kete buxhet. Unë uroj që ju të cliroheni këtë vit, një vit më parë ju ratë në sindromën e 'tunelit të Krrabës' dhe qëndruam së bashku deri në orën 5 të mëngjesit. Unë u përpoqa t'u shëroja, por ishte e pamundur. Ju nuk do e votoni sërish buxhetin, pasi ju keni sindromën e tunelit. U mundova t’ju shëroja, absolutisht. Unë e lexoj në fytyrat tuaja se dhe këtë vit ju nuk doni ta votoni”.
Sipas kryeministrit, buxheti perballon rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet ne infrastrukture, ne shendetesi dhe veprave te medha. "Eshte buxheti i 100-vjetorit, te mos e harrojme".
Berisha me tej theksoi se buxheti ka qellim madhor, qe Shqiperia te jete dixhitale, dhe buxheti e perballon kete."Nuk arrij te mendoj dot sesi nuk do e votoni kete buxhet".

BUXHETI: SPAHO: MBËSHTET RRITJEN EKONOMIKE
Ora: 10:37 Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho, prezantoi në Kuvend pr/buxhetin e shtetit për vitin 2012. Spaho deklaroi se pavarësisht krizës ekonomike botërore ekonomia shqiptare vazhdoi ritmet e rritjes pozitive, duke siguruar stabilitetin makroekonomik të vendit, por edhe duke nxitur konsumin e brendshëm përmes politikës së rritjes së pagave dhe pensioneve.
"Reformat e ndërmara gjatë 6 viteve të fundit forcuan ekonominë e tregut. Ulja konstante e normës së papunësisë, reforma strukturore e ato rregullatore, shkurtimi i shpenzimeve administrative, si dhe rritja e nivelit të investimeve, bënë të mundur bërjen ballë të efekteve të krizës", theksoi Spaho. 
Spaho theksoi se objektivat e pr/buxhetit të shtetit për vitin 2012 janë ruajtja e stabilitetit makroekonomik, inflacioni në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %.
Spaho deklaroi se opozita ka kundërshtuar p/buxhetin e shtetit, duke argumentuar votën kundër me faktin se borxhi publik përbën një rrezik për ekonominë.

Bode
Gjatë prezantimit në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit, Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se p/buxheti i shtetit për vitin 2012 synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, inflacionin në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %.

"Projektbuxheti i shtetit për vitin 2012 bazohet në disa shtylla dhe në një analizë realiste të ecurisë së zhvillimeve gjatë periudhës së krizës ekonomike globale, bazohet në tendencën e fundit dhe pritshmërinë për vitin 2012 që vendet e eurozonës programojnë", deklaroi Bode.

Sipas tij, për shkak të krizës globale 2009-2011 ekonomia shqiptare ka ndjerë presionet e pandërprera të krizës më të thellë prej mëse një shekulli. Ai theksoi se p/buxheti do të mbështesë edhe politikat e qeverisë, rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet në infrastrukturë, duke bërë të mundur zhvillimin ekonomik.
"Përtej këtij presioni, ekonomia shqiptare ka mundur të ruajë parametrat e saj në nivele të kënaqshme. Vijoi të rritej me një rritje mbi 3 % kundrejt një rritje mesatare në Europën Qëndrore dhe Lindore prej 0 %", tha kreu i financave publike.

Totali i të ardhurave parashikohet me një rritje prej 8 %, ose 356 miliardë lekë, me një rediment fiskal prej 25.5 % të PBB-së. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen 251 miliard lekë. Të ardhurat nga fondet speciale do të kenë një ritëm rritje me 5.6 % . Shpenzimet e buxhetit të shtetit parashikohet të jenë në parametrat që të mundësojnë një defiçit jo më shumë se 3 %. "Do të jenë 397 miliardë lekë ose 28.5 % e PBB-së, ç'ka përbën një kompletim të fizionomisë së një qeverisje të vogël", nënvizoi Bode.
Bode bëri të ditur se objektivat do vazhdojnë të jenë rritja e pagave dhe pensioeneve, mbështetja me rreth 5 % e PBB-së e investimeve publike, duke ruajtur nielin më të lartë të investimeve publike në hapësirën e vendeve të Europës. Shpenzimet e sigurimeve shoqërore vijojnë të mbeten të larta e të pasqyrojnë politikën për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Në këtë drejtim, Bode parashtroi nevojën e ndërmarrjes së një reforme më të gjerë, ndërsa ftoi edhe opozitën për mbështetje për realizimin e saj.

Opozita
Por opozita tashmë ka deklaruar votën kundër këtij projekti të qeverisë. Vetëm dy ditë më parë Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, se kriza ekonomike ka prekur palcën e ekonomisë kombëtare dhe familjare. Kreu socialist paralajmëroi një debat të fortë në Parlament për buxhetin e vitit 2012 nga deputetët socialistë, duke dhënë alarmin se efektet e krizës do të jenë shumë të mëdha për vendin. "Ne Grupi Parlamentar i opozitës në qasjen tonë largpamëse duhet të vëmë alarmin fundor në debatin për projektbuxhetin. Nesër do të jetë shumë vonë dhe kostot e rimëkëmbjes do të jenë të papërballueshme për një kohë të gjatë", u shpreh Rama.
(ma.ar/da.bo/er.nu/el.me/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Berisha: Buxheti i qytetarit Buxheti 2012, Rama-PD-së: Ju se bëni dot, ne do e bëjmë më mirë Replika Berisha-Blushi për sheshin Skenderbej

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›