E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore duhet të jetë prioriteti kryesor i klasës politike

28-11-2011 / Gazeta 55

LSI: Ndryshimi i sistemit, të vendosë komisioni parlamentar

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama u shpreh dje se reforma zgjedhore është çështje prioritare për të gjithë klasën politike në vend. Sipas tij, LSI do propozojë kërkesat e saj konsistente që kanë të bëjnë me barazinë e votës dhe transparencën.
“Padyshim, reforma zgjedhore, jo vetëm se LSI e ka pasur çështje prioritare por sepse ajo është e lidhur me fondamentin e bazës me të cilën ndërtohet demokracia në një shoqëri pluraliste, pra me zgjedhjet e lira, është një çështje prej së cilës dhe ndaj së cilës ne jemi shumë të vëmendshëm dhe kërkesat tona do të vazhdojnë të jenë konsistente. Çështje të panegociueshme për ne janë çështje që kane të bëjnë me barazinë e votës, me transparencën dhe me krijimin e kushteve që publiku shqiptar, që qytetarët shqiptarë të njohin në detaje gjithçka ndodh dhe të monitorojnë në proces atë se sa veprimi apo i gjithë procesi i reformës do të jetë në përputhje me interesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha ai.
Për sa i takon diskutimeve për çështjen e sistemit zgjedhor, sekretari i LSI tha se për të do vendosë tryeza e partive politike.
“Çështjet teknike, çështjet e sistemit, përbërjes etj, janë çështje të tryezës por edhe një herë e theksoj që atë që ka të bëjë me barazinë e çdo vote, të çdo qytetari shqiptar që është një e drejtë themelore dhe me vlerën që merr kjo votë në përfaqësimin në pushtet nga njëra dhe nga ana tjetër transparenca që çdo qytetar të shohë si ecën ky proces dhe si realizohet mbeten çështje për të cilat Lëvizja Socialiste për Integrim do të investohet me shumë seriozitet, me shumë përkushtim dhe padyshim maksimalisht”, theksoi më tej, Luan Rama.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›