E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, çdo lek i disponueshëm, të shpenzohet

Qeveria shqiptare jo vetëm që nuk ka ndër mend të mendojë për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore, por ka në plan të harxhojë edhe paratë e privatizimeve, bëhet e ditur nga lajme të turbullta nga qeveria. Ndërsa dy ditë më parë Kryeministri Berisha "pranoi" rritje të borxhit publik me 1 për qind të PBB-së dhe premtoi se qeveria e tij do të punojë për të ulur deficitin, zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, e sqaroi dje. Sipas tij, qeveria zotëron edhe 27 miliardë lekë të ardhura nga privatizimet dhe ka në plan që të përdorë gjysmën e këtyre parave për të rritur shpenzimet e programuara gjatë këtij viti, ndërsa gjysmën tjetër për të ulur stokun e borxhit të brendshëm. Përdorimi i parave të privatizimit duket se do t‘i mundësojë qeverisë të mos kërkojë borxh të brendshëm deri në fund të vitit, një manovër financiare e detyruar kjo, për shkak se në tregun e brendshëm nuk ka para të disponueshme për të shitur tituj borxhi.

Por ende mbetet mister se si do të ndryshojë formula, pasi Ministria e Financave, një ditë pas deklaratës së Kryeministrit, ka dhënë një version krejt të kundërt nga ai i shefit të qeverisë në një përpjekje për të korrigjuar qëndrimin.

"Formula do të zbatohet në mënyrë të rreptë, siç është caktuar në marrëveshjet me FMN. 50% e të ardhurave do të shkojnë për investime publike dhe 50% për ulje borxhi", shprehet zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu.

Madje, dy institucionet kanë parashikime të kundërta edhe për menaxhimin e borxhit publik gjatë këtij viti.

"Në bazë të llogarive që janë bërë deri tani, stoku i borxhit do të ulet me 15 miliardë lekë", shton Shehu.

Tashmë, qeveria ka zyrtarizuar rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2009, i cili do t‘i paraqitet Parlamentit në shtator për miratim. Ministria e Financave thotë se ka në dispozicion 27 miliardë lekë nga privatizimet, të cilat do të trupëzohen në draftin e ri të buxhetit dhe do të shpenzohen brenda vitit 2009.

Këto fonde do të bëjnë të mundur që investimet publike të rriten sërish me 13.5 miliardë lekë më shumë se sa ishin parashikuar në fillim të vitit, ndërsa deficiti të mbetet i pandryshuar brenda nivelit 4 për qind.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›