E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disa zona në Tiranë vuajnë kufizimet e ujit të pijshëm

Shumë zona në kryeqytet janë duke përjetuar kufizimet e ujit të pijshëm, duke bërë që temperaturat e larta ta përkeqësojnë edhe më shumë situatën për këta banorë. Këto kufizime të furnizimit me ujë nga Ujësjellësi i Tiranës bëhen jo në orare fikse dhe pa asnjë njoftim, në mënyrë që qytetarët të mund të marrin masat paraprake.

"Kyçja" e burimit të ujit nga Ujësjellësi ka prekur jo vetëm banorët e periferisë, apo ata të zonave informale, por edhe qendrën e kryeqytetit. Banorët e rrugës "Myslym Shyri" e "Muhamet Gjollesha" ankohen se nuk kanë ujë për disa orë me radhë, dy herë në ditë. Disa prej tyre pohojnë se kjo gjendje është bërë e vështirë, sidomos për ata që kanë pasur njerëz të sëmurë në shtëpi, për shkak të virozave të stinës.

Po kështu, mungesat në furnizimin me ujë në kryeqytet e kanë ndier edhe banorët te rruga "Komuna e Parisit". Mungesa e investimeve në këtë zonë për rrjetin e ujësjellës kanalizimeve ka bërë që "legjenda e kuçedrës" për ujin të vazhdojë pa mundur që të gjejë një zgjidhje të shpejtë. Ndërkohë që përplasja për kompetencat e Ujësjellësit nuk është zgjidhur ende mes vendorëve dhe qeverisë qendrore. Fajtore për mungesën e ujit në këtë zonë, sipas përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës janë ndërtimet në kodër, lejet për të cilat i kanë dhënë komunat fqinje.

Por gjendja e furnizimit me ujë që prej muajsh të tërë vazhdon të jetë problematike edhe në zonën përreth liqenit artificial të Tiranës, duke nisur që nga segmenti fundor i rrugës "Sami Frashëri", pranë gjimnazit "Petro Nini Luarasi". Banorët e këtyre pallateve ankohen se që prej muajsh kanë trokitur pa pushim si në zyrat e ujësjellësit ashtu edhe tek ato të pushtetit vendor, por askush nuk kujtohet që të zgjidhë problemin e tyre. Banorët shprehen se tek ujësjellësi i thonë se është problem i presionit të munguar të ujit. Ndërsa në bashki askush nuk merr ndonjë përgjegjësi për zgjidhjen e hallit të tyre.

Nga ana tjetër, linjat e furnizimit me ujë të kryeqytetit si nga Selita dhe nga Bovilla vazhdojnë që të vidhen rregullisht nga ndërhyrjet e paligjshme. Janë pikërisht këto të fundit që lënë pa ujë shumë banorë të Tiranës, të cilët përballen si me mungesën e ujit në shtëpi ashtu edhe me presionin e ulët të këtij produkti në shumë raste. Por lavazheve të shumtë në kryeqytet nuk u mungon asnjëherë uji, madje me presion.

Më e vështirë situata bëhet për banorët e zonave të reja, ku pas ndërtimit të pallateve nuk janë nënshkruar kontratat me Ujësjellësin, e për rrjedhojë për to askush nuk mban përgjegjësi.

Banorët kanë shpenzuar shuma të mëdha parash për të blerë apartamentet që kushtojnë jo pak. Por shumë shpejt kanë mbetur të zhgënjyer duke kuptuar se atyre nuk u garantohet normalisht furnizimi me ujë në këto apartamente. Pjesa më e madhe janë përpjekur që ta zgjidhin problemin përmes lidhjeve të paligjshme në rrjetin qendror të furnizimit, duke u shndërruar në barrë për banorët që kanë kontrata të rregullta dhe që çdo muaj paguajnë një mall që jo gjithmonë e kanë në shtëpi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›