E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, debate deri në mëngjes në Kuvend

  Opozita ka votuar kundër, duke e vlerësuar buxhetin shtesë si një demagogji të radhës të qeverisë

Mazhoranca ka miratuar në parim Buxhetin Suplementar të vitit 2008. Në total ky buxhet parashikon një rritje të shpenzimeve me 20 miliardë lekë. Opozita ka votuar kundër këtij buxheti, duke e vlerësuar atë si një mashtrim të radhës. Kryetarja e grupit kuvendor socialist Valentina Leskaj deklaroi se buxheti suplementar nuk sjell asgjë të re, duke e cilësuar si një demagogji të radhës të Berishës. “Është vështirë që ta quash buxhet, atë që Partia Demokratike e ka quajtur buxhet suplementar, për sa kohë që nuk ka karakteristikat e një buxheti, për sa kohë bën vetëm disa rregullime për borxhin dhe bën disa ndarje apo rialokime. Në këtë të ashtuquajtur buxhet suplementar, nuk ka asgjë për sa i takon politikave sociale, nuk ka asgjë për gjithë sektorët prioritarë që vetë Partia Demokratike i ka quajtur kështu. Do të thotë për Shëndetësinë, për Çështjet Sociale, për Arsimin, për Bujqësinë dhe madje, për rrugët rurale, për të cilat kishte premtuar 1500 km, teksa deri tani ka siguruar 10% të fondit”,- tha Leskaj. Ndërsa kryeministri Berisha ka kërkuar nga ana e opozitës që të votojë pro këtij buxheti, që sipas tij ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e vendit. Kryeministri Berisha deklaroi se buxheti suplementar në vlerën e 20 miliardë lekëve kompenson deri në 5 herë indeksimin e çmimeve dhe se përfundon në portofolin e 800 mijë familjeve shqiptare, punonjës buxhetorë dhe pensionistë. “Nga ky buxhet përfundon në portofolin e 800 mijë familjeve shqiptare punonjës buxhetorë dhe pensionistë dhe rritja e premtuar”,- tha kryeministri Berisha. Ai e vlerësoi buxhetin si mjaft të suksesshëm dhe është rezultat i luftës me efikasitet të korrupsionit, i cili qëndron në bazën e tre fenomeneve kryesore: kontrabandës, evazionit, informalitetit.

Bien investimet

Buxheti suplementar shënon ulje të investimeve publike në krahasim me janarin 2008 për rreth 11 miliardë lekë, ose 150 milionë dollarë, ndërsa qeveria nuk ka parashikuar asnjë fond kompensimi për familjet e varfra shqiptare të goditura rëndë nga inflacioni i lartë i jetesës së tyre, skemë kjo e detyrueshme për të asistuar këto familje. Deklarata ka ardhur nga deputetit i PS-së, Arben Malaj. Një nga pikat më të kritikuara nga ana e opozitës në Buxhetin Shtesë janë investimet publike, por edhe për masat që mungojnë përsa i përket rritjes së çmimeve. “Në këtë buxhet, nuk ka asnjë shtesë për pagesën e papunësisë dhe ndihmës ekonomike dhe nuk përfshin asnjë qindarkë shtesë nga privatizimi i “ARMO”-s apo privatizime të tjera”,- tha Malaj. Sipas ish-ministrit të Financave, ky buxhet pasqyron rritjen e të ardhurave që vijnë nga rritja e kostos së jetesës së shqiptarëve. “Të ardhurat e pretenduara nga qeveria, janë pasojë e çmimeve të larta të importeve, ato vijnë kryesisht nga tatimi i mallrave më të domosdoshme duke goditur rëndë fuqinë blerëse, sidomos të shtresave me të ardhura më të pakta. Një pjesë e këtyre të ardhurave vijnë nga tatimi i pagës minimale të pjesës më të madhe të shqiptarëve që janë goditur dy herë, një herë nga çmimet e larta dhe një herë nga tatimi i të ardhurave minimale”,- ka sqaruar Malaj. Deputeti i PS-së Malaj e ka vlerësuar nenin në buxhet që nxjerr jashtë tij “Të Ardhurat nga Privatizimet” si antikushtetues. “Është antikushtetuese që të lesh jashtë buxhetit të shtetit, të ardhurat që vijnë nga privatizimet”,- tha Malaj.

Leskaj: Qeveria dështoi me Buxhetin 2008

Në fjalën e saj në Parlament gjatë seancës së djeshme, kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj ka kritikuar buxhetin shtesë, duke deklaruar se “investimet në buxhetin 2008 janë realizuar në masën 26.5% të programit vjetor. Dukshëm edhe këtë vit, mosrealizimet më të mëdha vijnë në sektorët prioritarë: -Arsimi, me realizim 25.8 %; Bujqësia dhe Ushqimi, me 24 % dhe Punët Publike, me 30.6%. Ndërkohë që me gjithë deklaratat e bëra për financimin e 1500 km rrugëve rurale, ende nuk janë siguruar më shumë se 10% e fondeve të nevojshme. Investimet, siç u tha këtu, ulen me 11 miliardë lekë e natyrisht që shqiptarët nuk mund të presin më shumë punësim kur ulen investimet, të cilat shkojnë për uljen e deficitit që ju e dyfishuat gjashtë muaj më parë, kur miratuat buxhetin e vitit 2008”. Opozita ka bërë të ditur gjatë gjithë diskutimit të buxhetit suplementar në komisione se realisht ky projekt bën vetëm një rialokim fondesh dhe nuk është një shtesë në investime. “Sot ju po korrigjoni një pjesë të asaj që e rritët gjashtë muaj më parë dhe kaq. Ne nuk jemi aq naivë sa të besonim se atë që nuk e bëtë dot me tre vjet do ta bënit me korrigjimin e këtij buxheti, po të paktën mund të kishit bërë minimumin për ato që i keni quajtur vetë prioritete. Fakti është që dhe me këto ndryshime, buxheti i vitit 2008, nuk afron zgjidhje të problemeve që ka vendi dhe mbetet larg adresimit të sektorëve prioritare që prekin direkt cilësinë e jetës së njerëzve. Ç’keni bërë me Arsimin si sektor prioritar? Keni premtuar se do të dyfishoni shpenzimet për të, deri në fund të mandatit. Ky është buxheti juaj i fundit dhe jeni ende larg premtimit dhe natyrisht larg vendeve të rajonit, pa folur për standarde të BE-së. E njëjta gjë për Shëndetësinë, që është përkeqësuar në mënyrë dramatike. E cila është lënë në periferi dhe jashtë vëmendjes së qeverisë, siç ka pohuar dhe vetë Ministri i Shëndetësisë. Juve jeni ndofta e vetmja qeveri në botë që pasi e shitët Shëndetësinë te aleatët, keni hequr dorë prej saj”, - tha Leskaj.

Bode: 10 miliardë lekë për rrugët

Ministri i Financave, Ridvan Bode ka shpjeguar gjatë ditës së djeshme destinacionin e shpenzimeve shtesë në buxhetin 2008. “Janë alokuar përfundimisht 5 miliardë lekë për shtesën e pagave dhe pensioneve për 6-mujorin e dytë, si dhe 1 miliardë lekë për asistencën sociale, për të mbështetur pikërisht shtresat në nevojë dhe për të kompensuar rritjen e çmimeve në 6-mujorin e parë. Shtesa pra është me 10 % nga 4 % që është niveli i inflacionit. Fondet e buxhetit shtesë do të përdoren gjithashtu për investime publike. MPPTT do të përdorë 10 miliardë lekë, nga të cilat 8 miliardë lekë për të financuar investimet në proces të cilat po progresojnë dhe që janë të mundshme të financohen për një afat të shkurtër dhe 2 miliardë lekë shkojnë për fondin e shpronësimeve për investime, pasi fondi i dhënë në fillim të vitit është shpenzuar tashmë për shkak të fillimit të një numri të madh veprash”,- tha Bode. Gjatë pjesës së dytë të këtij viti, qeveria është detyruar që të zbatojë një kërkesë të bërë nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar për uljen e nivelit të borxhit publik. “Do të reduktojmë deficitin, siç theksova më lart nga 7.9% në 5.2%. dhe kemi bërë formulime të tilla që ky deficit të realizohet për shkak të nevojës që kemi për të financuar investimet që tashmë po progresojnë me shpejtësi. Kemi bërë një program realist dhe jo fillestarin, siç e kërkuan ministritë, lidhur me investimet e huaja. Pra, në një anë ne rrisim fondin e investimeve të brendshme publike me 14 miliardë lekë dhe në anën tjetër, ulim financimet e huaja dhe kjo jo duke shkurtuar kontrata, jo duke hequr objekte investimi ose anuluar marrëveshje kreditimi. Por progresi i ulët i punimeve në kontratat me donatorë, të cilat menaxhohen nga njësitë e ngritura prej tyre, nuk është në atë pritshmëri që kishin parashikuar ministritë e linjës dhe institucionet e tjera në fillim të vitit”, - tha Bode.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›