E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti faktik ne Kuvend miratohet pas debatesh mes deputeteve

Kuvendi miratoi sot me shumicë votash projektligjin “Për buxhetin faktik 2010”, i cili u shoqërua me diskutime të gjata gjatë seancës plenare mes deputetëve.

Ashtu siç pritej projektligji, për miratimin e buxhetit të një vitit më parë, solli në seancë plenare këndvështrime të kundërta dhe të forta të dy palëve politike.

Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, buxheti i vitit 2010, dëshmoi se ekonomia shqiptare është e qëndrueshme.

Bode tha se ajo u rrit në një kohë kur ekonomi të vendeve të zhvilluara fqinje pësuan recesion.

Sikundër mbajtën të njëjtën qëndrim dhe gjatë diskutimeve në komisionin parlamentar të Ekonomisë, deputetët e opozitës kundërshtuan çdo shifër dhe konstatim të prezantuar nga ministri Bode për buxhetin 2010.

Sipas deputetes Kodheli, gjatë vitit të shkuar, u shënua mos realizim të ardhurash si dhe dështim në skemën e sigurimeve shoqërore.

Diskutimet për buxhetet janë shoqëruar gjithmonë me debate të forta, ku deputete e opozitës hedhin dyshime të forta mbi të dhënat e këtyre ligjeve, mbi rritjen ekonomike, shifrat e borxheve si dhe të ardhurat.

Buxheti faktik përfaqëson analizën përfundimtare si dhe mbylljen e buxhetit të një viti më parë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›